Letra e Mustafa Krujës zbulon
negociatat para 7 prillit 1939

Letra e Mustafa Krujës zbulon<br />negociatat para 7 prillit 1939
Çfarë roli pati Mustafa Kruja në shndërrimin që pësoi Shqipëria në prill 1939?  Si ndodhi pushtimi? Çfarë negociatash i paraprinë dhe çfarë u fol në prapaskenë?

Në prag të 75-vjetorit të pushtimit të Shqipërisë (7 prill 1939)  kjo ngjarje e trishtë e historisë meriton të kthehet në vëmendje. Materiali që kemi zgjedhur për këtë rast është mjaft ngacmues.

Ai është marrë nga arkivi i Mustafa Krujës, një personazh i shumë diskutuar, i cili me 15 mars po ashtu shënoi 127-vjetorin e lindjes. Në prag të botimit të vëllimit të katërt epistolar të Krujës, 

“Kuvend letrash me miqtë”, i cili do të dalë së shpejti në qarkullim, sjellim për lexuesit tanë dy letrat e mëposhtme, shkëputur nga ky vëllim, ku trajtohen pikërisht ngjarjet që i paraprinë 7 prillit 1939. 

Letra e parë është ajo e 6 korrikut 1952 e Pader Paulin Margjokajt, ku ky i fundit i citon mikut të tij një botim të C. A. Chekrezi, ku ndër të tjera ka hasur emrin e Mustafa Krujës mbi një marrëveshje me qeverinë e Romës në dhjetor 1938 për të hequr qafe mbretin Zog. Ndërsa citon ato çka shkruan Çekrezi, Margjokaj i kërkon Krujës të rrëfejë pozicionin e tij  dhe rolin që ai luajti “në shndrrimin qi psoi Shqipnija në vj. 1939”. Pothuajse një muaj më vonë, Mustafa Kruja harton një përgjigje të gjatë me shumë detaje sqaruese për Margjokajn rreth kësaj teme të nxehtë.
 
Dialogu i akullt, Janar ’39- Milano
 
Giro: vendimi asht marrë. Do të ketë nji bashkim personal nën kunorën e Viktor Emanuelit III dhe të pasardhësvet të tij; për mâ tepër, ndërmjet dy shteteve do të ketë nji shkrimje ushtarake, diplomatike dhe financiare
 
Kruja: Me këta kushte, përsa më përket mue dhe miqve të mij, Mbreti Zog mund të mbretnojë edhe njiqind vjet mbi fronin e Shqipnisë!”
 
 Graz, me 6 korrik 1952
 
I dashuni mik,
Letren e dashtun tanden e pata marrë me 24 qershuer e të falem nderës per tfillime.
Kso here due me të bâ pyetjet e mija tue i marrë prej nji libri të vogel qi sugurisht edhe Ti do t'a késh lexue.
Në librecin e C. A. Chekrezi, të shtypun në Ëashington kah marimi i vjetës së shkueme e qi mue m'a dha me e këndue Maloki, nder sá tjera gjinden edhe njekto fjalë, kû vjen e permendet edhe emni i yt.

"Pas dështimit të lëvizjes së Fierit - dështim i cili u shkaktua nga paaftsija e disa oficerëve t'anë për të bërë lidhjet e duhura me Bajraktarët e Veriut -, Parësija e vendit, dhe jo vetem Bejlerët, arrijti në perfundimin logjik qe, mbasi Zogu mbahej në fuqí me anen e perkrahjes që kishte nga Italija Fashiste, e vetmja rrugë për t'a hequr qafe ishte q'ata, si të parët e vendit, të bënin një marrëveshje direkte me qeverinë e Romës. Ndermjetës për këtë marrëveshje ishin Shefqet Bej Verlaci i Elbasanit dhe Mustafa Merlika i Krujës. Marrëveshja u plotësua në Dhjetor 1938."

"Në vent të ruajtjes së parimit t'indipendencës shqiptare nën një mbret italian, Mussolini kishte patur gjithnjë për qëllim që t'a okuponte Shqipërinë, duke përdorur si vegla "të parët e vendit".
"Tronditjen më të madhe e ndjenë (të parët e vendit) kur dëgjuan nga goja e Ciano-s se qeverija e Romës nuk kishte aspak ndër mend të lejonte hipjen në fronin e Shqipërisë të një princi italian; përkundrazi, Duçeja kishte vendosur që të çdukej krejt independenca e Shqipërisë e cila paskëtaj do të bëhej pjesë e mbretërisë italjane. Shefqet Bej Verlaci ishte nga të parët që protestuan, por ata q'e kundërshtuan më rreptësisht vendimin e Duçes ishin krerët katholikë të Shkodrës."

Per me plotsue disi jetëshkrimin qi ti nder trí letra-traktate të gjata më pate parashtrue, duhet qi edhe kjo periudhë e randsishme e historís shqiptare të shkoqitet prej tejet, mbasi ti sigurisht ké pasë rasen me luejtë nji rol, ndoshta kryesuer, atê nuk e dij vetë mirë, por nji rol krejt të madh sugurisht e ké lujtë ti në shndrrimin qi psoi Shqipnija në vj. 1939. Ndoshta âsht endè teper shpejt qi po t'a lypi vetë spjegimin e ktyne ngjarjeve randsíplote.

Me gjithkta kjo më intereson mue per së tepermit, per arsye se kam vû oroe qi nder gazeta të publikueme prej BALLIT e Komitetit SHQIPËRIJA E LIRË përherë permenden persona qi kanë pasë rasen me marrë pjesë nder kto ngjarje të vj. 1939-1943, si edhe perherë shahen e kritikohen ata persona qi paten zyre në ket kohë. Bile-bile - ka' i fjalë tyrqe bân lazem! - argumentat mâ të fortët qi kanë per dorësh anmiqt e BLOKUT KOMBTAR INDIPENDENT janë perherë kta, qi ata perherë munden  me i a plasë nder sŷ shum personave të ktij blokut se kta kanë bashkpunue me Italjaj. Në ket xhungel të politikës shqiptare kishem me dashtë edhe vetë disi me pá ndonji dritë skjaruese.  (...............)
Shum shndet të dergon me gjith zemer.
P.P. MargjokajO.F.M.
 
 
 Ramleh, 9 gusht 1952
 
I dashuni mik,
Vetëm sod po m’epet me e filluem përgjegjen e letrës s’ate me 6 korrik. Ksaj here po dashke me dijtun rolin qi un kam mujtun të luej “në shëndrrimin qi psoi Shqipnija në 1939”.
A priori po të përgjigjem nji herë kështu: “As Mustafa Merlika i Krujës e asnji refugjat tjetër i asaj kohe s’kanë luejtun fé roli n’atë shëndrrim”. E tash po të përshkruej faktet.
Dosarët e jetës s’eme afër 15-vjeçare n’atë mërgim, mjerisht më kanë mbetun krejt në Shqipní. Më vjen keq vetem n’i pastë kalbun kund lagshtina ase n’i paçin grimë mijt; jam i gzuem n’i paçin marrë komunistat, siç m’a han mêndja, sepse në paçin botue gjâ pa cliché (Fren. : gjurmë shtypi, negativ fotografie, dokument i shkruem) fotografike askush me mêndsí historjani s’ka mundun e nuk mundet me va besuem e në mos i paçin botuem e në mos i botofshin, çdo dashamir i im e historjani vetë do të munden me besuem se s’kanë pasun ku të kapen për me më komprometuem.

Po vijmë te përgjegja e pyetjes s’ate. Për fat të keq, tue mos pasun në dorë dokumenta, s’do të mundem me qênë i përpikët në data e hollsina. Por këto s’kanë nji rândsí historike të vërtetë. Un  me gjithë familje, prej verës 1937 deri në prendverën 1939, gati dý vjet, kam banuem në Gjenevë të Zvicrës. Në verën e  38-s, nji letër e Ernest Koliqit më ftonte në Romë, tue më vûmë përpara se qeverija italjane kishte bâmë nji evolucjon të madh në politikën e saj kundrejt Shqipnisë : ishte ftohun tepër me Mbretin Zog e donte me u sjellë kah populli e shefat nacjonalista të tij. Vota në Romë, kujtoj se ka qênë mueji i qershorit, pra jo bash në verë, por ndoshta kah mbarim’i prendverës.

Në nji restorant t’atij kryeqyteti hângrëm bukë bashkë nji mbramje, Ernest Koliqi, Giovanni Giro dhe un. Biseduem deri vonë. Thema: Zogu, me politikën e tij, e paskish zhgënjyem  (deludere - disinganare) Duce-n. Ky e kishte kuptuem tashmâ se përkrahja e personës së Zogut ishte tue i a huejtun krejt popullin shqiptar. Prandej ai ishte tue u përpjekun, dmth. Mussolini, me bâmë nji politikë kontakti direkt me popullin, djelmninë e nacjonalistat e Shqipnisë, mbë nji anë, e me e bindun Zogun qi të bânte nji politikë në favor të popullit, nji politikë qi t’a ngrohte e t’a lidhte popullin me tê, se ndryshe Italija do t’ishte e shtrëngueme me e lânë në fatin e tij.

“E atëherë” konkludonte Giro, “ka me qênë punë për jue me shpëtuem prej tij”. Giro ishte asokohe i lidhun me legatën italjane të Tiranës si organizatuer i djelmnisë shqiptare. Âsht nji personazh mjaft interesant Giro. Un po e njihsha së pari nj’asi shtegu. Njeri pa nji kulturë as mesatare, por kuvêntar sa s’ka. Un gati tanë kohën lashë atê me folë. I thom, mbasi ai e pat shprazun krejt thesin e vet: “Gzohemi, na nacjonalistat, qi, tek e mbramja, paskeni filluem edhe ju me pamë e besuem ça na jemi rryem tue ju thânë qe tash sa vjet. Por do të bisedojmë mâ gjatë, shpresoj, kur të ju mbushet mêndja krejt se na s’ju kemi rrêjtun.”

Giro shtoi: “Edhe un shpresoj se nji ditë, jo fort vonë, kam për të mujtun me thânë njânën dyshë: ndo Zogu ka me na provuem me fakte se meriton të vazhdojë me mbretnuem, e në këtë rasë kemi me ju kshilluem qi t’i epni dorën shoshoqit e të punoni të tânë së bashkut për popullin t’uej, ndose kam me ju deklaruem: “qe Zogu, qe ju, bâni shka të doni me tê!” I u përgjegja: “Un, si nji shqiptar patrijot, uroj mâ tepër rasën e parë, në qoftë se do të shoh përnjimênd se Zogu ka ndërruem udhë ; por në rasën e dytë, kam me pasun edhe un fjalët e mija për të ju thânë.” Ai: “Mundesh me i thânë qyshë tash, makar si hypothesë.” Un: “S’ka me qênë aspak e drejtë me na thânë qe ju e qe ai e me lamë duert, ju qi për 13 vjet rresht e forcuet kundrështarin t’onë moralisht e materjalisht”. Ai: “Ke plot të drejtë ; por mos kij kujdes, se n’ardhtë ajo ditë, do të jemi gati me i lâmë mëkatet t’ona si të ju duket edhe juve mâ mirë.” U damë me tê tue e paralajmuem un se këtë bisedim kam me va rrëfyem edhe shokve tjerë qi u besoj, nëse ai s’do të kishte gjâ kundra. M’auktorizoi.
 
 
Mërgata politike shqiptare dahej qyshë në 1927 a ‘28 në katër grupe: 1) Grup’ i im, i quejtun italofil e i mbajtun për jetesë me ndihmat e rregullta muejore të Romës; 2) Grupi i quejtun Bashkimi Kombtar qi kishte për leaders Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Sejfi Vllamasin, Rexhep Mitrovicën e tjerë, të cilët banojshin në Paris e mbaheshin prej Jugoslavisë.; 3) Grupi komunist, me Fan Nolin, Kostandin Boshnjakun, Lazër Fundon e tjerë; 4) Grupi i quejtun Komitet’ i Kosovës, me Hasan Prishtinën - qi u vra mâ vonë në Selanik - , Bedri Pejanin e tjerë. Tý t’intereson sigurisht me dijtun posaçe se i pesti qi mbushte kshillin drejtues të grupit të dytë ka qênë Angjelin Suma, zyrtarisht përfaqësues i kishtarisë (klerit) katholike. Edhe Xhemal Beg Bushati, qi banonte e bânte tregtí në Sarajevë, ishte pjestar i atij grupi. Pra Shkodra ishte me tê.

Ishte, pra, nji gjâ fare e qartë se un veç t’isha i marrë me i çuem përpara tregtimet (negoziati, Unterhandlungen) me Italjanët vetëm në krye t’em e me grupin t’em. Prandej menjiherë qi u ktheva në Gjenevë, u mora vesht me Parisin, caktuem nji pjekje e i vûna edhe shkokët e atjeshëm hollsisht në rrjedhë të bisedimeve të Romës. Edhe po marr vesht në këtë rasë, me habí të madhe t’emen, se ata po ishin tuj dijtun edhe mâ shumë se un!  Kishin nji shoq në Brindisi, ish deputetin e, më duket, ish-ministrin e drejtsisë në qeverín e Fan Nolit, Stavro Vinjaun. Giro paska qênë pjekun edhe me këtê e paska pasë kuvêndun edhe mâ thellë se me mue.

Paska pasë shkue biseda  deri në proponimin e pranimin e nji princi savojan për mbret të Shqipnisë. E kurrkund me e ndie nevojën ata me më bâmë edhe mue pjestar n’atë punë. Post factum, (Lat. : mbas faktit, mâ vonë) Ali Këlcyra pretendon se i paska pasë thânë Ernest Koliqi se i a kish pasë mbushun mênden ay Romës me m’u çelë mue, sepse s’më paskan pasë besuem. Âsht nji fakt i vërtetuem e i dokumentuem qi un atje paskesha qênë i njohun si troppo nazionalista;(It. : tepër kombëtarist)  por me i besuem deri nji Stavro Vinjau e jo mue, ngurroj me e shtye marrinë e italjanëve deri në këtë shkallë; prandej këtë fakt s’po e komentoj mâ gjatë e po due me besue mâ fort qi Giro, tue kaluem nëpër Brindisi e tue e pasun mbarë me folë okazjonalisht me tê, i âsht çelë Vinajut para meje. Sa për çashtjen e princit, besoj se do t’a ketë provokuem Vinjau vetë at’argument, ndërsa un qëndrova, n’atë kuvênd të parë me Giron, mjaft i reservuem.

Gjest’ i im kundrejt Bashkimit Kombtar, i dha këtij rasën me dhânë nji vëndim komod për interesat e veta dhe politikisht oportun; aty e mbrapa kontaktin me italjantë do t’a mbajshe un n’emën të të gjithve e në bazë të pikave kryesore të caktueme së bashku. Thashë komod për ta, se mbasi ishin të lidhun me Beligradin, drojshin se kontaktet direkte të tyne me Romën mund t’u merrshin vesht e t’i komprometojshin.

Pikat programore qi na caktuen për tregtimet t’ona me Romën qênë: 1. Italija do të na ndihmonte me pare e me mjete luftet kur na t’i thojshim se ishim gati për veprim, e, natyrisht, mbasi Roma të na kishte deklaruem se kish hjekun dorë prej Zogut. 2. Na pranojshim nji princ savojan për mbret të Shqipnisë. 3. Nuk do të pranojshim regjim fashist në Shqipní, por nji regjim mjaft “auktoritar” siç e lypte gjêndja e karakter’i popullit shqiptar. 4. Mund të pranojshim nji bashkim doganuer me Italinë, tue qênë se krejt ekonomija shqiptare lidhej me atë shtet. 5. Asnji koncesjon Italisë në kundrështim me pamvarsinë t’onë kombtare.

Ka qênë, kujtoj, në vjeshtën e 38-s qi pat ardhun Maliq Bushati fill për nji pjekje me mue, mbasi me nji leter nga Beligradi patëm caktuem orokun në nji hotel të Milanit. Maliq Begu më tha: "Flas n’emën të Shkodrës, katholike e myslimane, dhe n’emën të Kapidan Gjonit. Jemi në marrveshtje me legatën italjane të Tiranës për nji kryengritje kundër Zogut. Populli âsht krejt gati. Por shokët më kanë çue te ti me të pyetun në se na kërcnohet ndonji rrezik për Shqipninë, prej anës së Italisë a Jugoslavisë, tue e bâmë këtë kryengritje.” I u përgjegja: “Jemi edhe un me shokët e mij të përjashtëm në kontakt me Romën për të njâjtin qëllim.

S’kemi asnji frikë kah an’ e Jugoslavisë, qi e dron Italinë si morten. Kjo vetë âsht mjaft e fortë për në dashtë me i bâ ndonji sherr Shqipnisë e s’ka nevojë për me na bâ vegël ne, tue i dijtun mirëfillit edhe qi s’i bâhemi. Italija shka mundet me shpresuem prej nesh mâ tepër se ka pasun e po ka prej Zogut? Pra, duhet me besue shka na thonë, dmth. qi mbasi kanë shtimë në dorë me Zogun gjithë ç’kanë dashun, politikisht dhe ekonomikisht, tash deshirojnë përnjimênd me i sigurue me nji qeverí popullore, dmth. të deshirueme edhe prej popullit. Kini kujdes, veç, e mos premtoni kurrgjâ mâ tepër se nji princ savojan për mbret të Shqipnisë, siç e kemi pranuem edhe na.” Kështu u damë me Maliq Bushatin. Kuptimtar fakti qi në këtë rasë, e vetmja personë përjashta, me të cilën krahina e Shkodrës kishte ndiem nevojën me u kshilluem, qeshë un e as Suma jo qi, si thashë, ka qênë përnjimênd përfaqsues i pohuem i t’Imzot Mjedes.

Në Romë Ernest Koliqi flitte me personalitete italjane edhe n’emën t’em. Un kisha besim të plotë në tê. Në mbarim të 38-s më pat lajmuem se kishte nevojë qi të vinte me më raportuem me gojë shumë gjâna. Damë orok për në Paris, tue e menduem un oportunitetin qi t’ ishim të gjithë truc edhe me ata të Bashkimit Kombtar. Nga të gjitha lajmet qi na suell Koliqi, na u mbush mêndja se italjanët e kishin damë me hjekun dorë prej Zogut, qi donte me thânë me e rrëzuem e me zvêndsuem me nji princ italjan, siç ishim marrë vesht. Koliqi më paralajmoi n’ atë rasë se un do t’ isha i grishun së shpejti për tregtimet përfundimtare, në Romë ose në Milan.

Dhe përnjimênd u thirra në Milan, Hötel Gallia Excelsior. Nuk dij a ka qênë në kallnduer apo kah fillim’i frorit, mâ fort mbrênda kallndorit. Dijsha orën kur Giro bashkë me Koliqin do t’arrijshin e dola e i prita në stacjon, se un kisha mbërrîmë para sish prej Gjeneve. Giro më rroku e më puthi, si Koliqi, me gjithë qi ishte vetëm e dyta herë qi shiheshim. Edhe...fascisticamente, (  It. : fashistikisht ) i a nisi me më folë me tu (It. ti). Fraza e parë qi i duel prej goje, qe: “Non ci piove più sopra” ( It. : nuk bie mâ shi sipër, me kuptimin se vendimi âsht marrë e nuk ka kthim mbrapa) Âsht e vetmja herë qi më ka ramë me e ndiem kët’italjanizëm, qi po na dashka me thânë si n’atë rasë qi e përdori ai, “la decisione è irrevocabile”.  (It. : “vêndimi âsht i pakthyeshëm”) Ishte mbrâme, vojtëm në hotel, u ulëm të tre rreth nji tavoline të sallonit e Giro po më thotë: “Congratulazioni, Kruja! È arrivata la vostra ora, parlate adesso voi altri, dite quando potete iniziare la vostra azione e i mezzi che vi oçorrono; noi siamo decisi e pronti ad aiutarvi.” ( It. : “ Përgëzime, Kruja! Tash u takon juve me folë e me na thane kur do t’i nisni veprimet tueja dhe mjetet qi ju duhen ; na jemi të vendosun dhe gati t’u ndihmojmë”). 

  Un i përgjigjem: “Ringrazio, anche in nome dei miei compagni di fede e collaboratori, il governo italiano, particolarmente il Duce ed anche te, che lo rappresenta qui davanti a me, sia per la decisione presa, sia per l’aiuto che ci si promette. Quanto all’inizio della nostra azione ed ai mezzi di cui avremmo bisogno per compierla, te ne potrò informare soltanto dopo un incontro coi miei collaboratori che sono a Parigi. Una cosa però è necessario che sia ben chiara fin da ora: siçome fra le nazioni nulla mai è stato dato e si usa dare senza un beneficio equivalente, io domando al Governo italiano a mezzo tuo se l’Italia si sente pienamente soddisfatta con un principe di Casa Savoia sul trono d’Albania oppure pensa di avanzare altre pretese ancora. Sarei molto contento se tu stesso me ne potessi informare subito, di modo ch’io possa riferirne ai miei camerati a Parigi.”

( “Falënderoj, edhe n’emën të shokëve dhe bashkëpuntorvet të mij qeverinë italiane, veçanërisht Duçen dhe ty qi e përfaqëson këtu para meje, si për vêndimin e marrun, si për ndihmën qi na premtohet. Përsa i përket veprimevet t’ona dhe mjeteve qi do të na duhen për atê punë, do të mundem me të njoftue vetëm mbas nji takimi me bashkëpuntorët e mij qi gjinden në Paris. Por nji gjâ duhet të jetë e qartë qysh tash: tue qênë se mes kombeve kurrë nuk jepet e nuk âsht zakon me u dhânë  gjâ pa nji shpërblim të barazvlershëm, un e pyes Qeverinë italiane, nëpërmjet  teje, nëse Italia do të jetë krejt e kënaqun me nji princ nga shtëpia Savoja mbi fronin e Shqipnisë, apo ka ndërmênd me pretendue edhe diçka tjetër. Do t’isha shumë i kënaqun sikur ti vetë të më jepnje nji përgjigje tashti, qi un të mundem me i kallzue shokëve të mij në Paris.”) 

Giro: “Certo, ti posso chiarire tutto ora. Anzitutto, a Roma al problema del trono d’Albania è stata trovata una soluzione molto più razionale e più oppurtuna nell’interesse d’entrambi i Paesi: ci sarà l’unione personale sotto la corona di Vittorio Emanuele III e dei suoi discendenti; inoltre, fra i due Stati ci sarà la fusione militare, diplomatica e finanziaria”!( “Pa tjetër, mund t’i shpjegoj të gjitha tani. Pikë së pari në Romë âsht gjetun nji zgjidhje shumë mâ e arsyeshme dhe e përshtatëshme n’interesin e të dy palëve : do të ketë nji bashkim personal nën kunorën e Viktor Emanuelit III dhe të pasardhësvet të tij; për mâ tepër, ndërmjet dy shteteve do të ketë nji shkrimje ushtarake, diplomatike dhe financiare”!) 

Këtu Giro u ndal. Un: “Qualche altra cosa ancora?”(It. A ka ma diçka tjetër?) Giro: “No, non c’è altro ; Roma è persuasa che con le condizioni ora esposte l’Albania diventerà un Paese felice ed avrà il pieno appoggio d’Italia per tutte le sue legittime aspirazioni come popolo e come nazione.”( “Jo, s’ka tjetër ; Roma âsht e bindun se, me kushtet e parashtrueme, Shqipnia do të bâhet nji Vênd i lumtun dhe do të ketë përkrahjen e plotë t’Italisë për të gjitha aspiratat e saj legjitime si popull e si komb”)Un: “Ed allora, caro Giro, in queste condizioni e per quanto riguarda me stesso ed i miei amici, il Re Zog può regnare anche cent’anni sul trono d’Albania!” (“Atëherë, i dashun Giro, me këta kushte, përsa më përket mue dhe miqve të mij, Mbreti Zog mund të mbretnojë edhe njiqind vjet mbi fronin e Shqipnisë !”)  Giro i siellet atbotë Koliqit e e pyet: “E tu, Ernesto, cosa dici?” (“Po ti Ernest çfarë thue ?”) Koliqi: “Io pure, naturalmente, sono d’açordo col mio capo.”( “Edhe un, natyrisht, jam dakord me Kryetarin tem.” )

Giro: “Beh, Kruja, sei stato troppo rigido e categorico nelle tue espressioni. Pensaci sopra ancora questa notte e domattina torniamo a parlarne.”( “E po, Kruja, ke qênë tepër i ashpër e i premë në shprehjet e tua. Mendohu dhe njiherë sonde e nesër në mëngjez bisedojmë prap”) Un: “Io, caro Giro, ho detto semplicemente ciò che penso personalmente e sapendo d’interpretare esattamente il sentimento di tutti i nazionalisti albanesi. Anche se dovessi pensare tutta la vita, non credo di poter cambiare alla mia dichiarazione nè una sillaba nè un açento.

Altra cosa sarà se tu, caso mai, mi dirai domani che hai oltrepassato in tutto e per tutto le istruzioni dei tuoi superiori. Ma ti ho sentito dire a Ernesto che le stesse cose avete detto pure a lui insieme a Jacomoni. E naturalmente non vi sarete potuti sbagliare tutti e due nello stesso modo.” “Un, i dashun Giro, thashë çfarë mendoj personalisht, tue ditun se interpretoj pikërisht ndjenjat e gjithë nacionalistëve  shqiptarë. Edhe sikur të mendohem gjithë jetën, nuk besoj se do t’i ndërronja as nji rrokje, as nji theks pohimit tim. Ndryshe do të jetë nëse, bie fjala,  ti nesër do të më thonje se i ke tejkalue krejtësisht porositë e kryetarëve tuej. Por të ndigjova tue i thânë Ernestit se të njâjtat gjâna i keni thânë atij së bashku me Jakomonin. Natyrisht nuk mund të ishit gabue të dy në të njâjtën mënyrë.”   

Kurrë në jetën t’eme s’më ka ndodhun ndonji herë, me sa mbaj mênd, mos me mbyllë sŷ asnji ças, si atë natë. U çova heret nga shtrati, u lava mir’ e mirë, u vesha dhe vëndosa me shkruem. S’gjeta kartë n’odë e zdrypa poshtë në sallën e shkrimit. Mora do leter e hypa prap nalt, se shërbtorët po dlirshin. Vûna të zezë mbi të bardhë bisedimin e mbrâmjes me Giron dhe kur u përpoqëm të tre në sallon, nxora prej xhepit ç’kisha shkruem e firmuem e i a dhashë Giros. I thashë: “Ho creduto di facilitare il tuo compito di ambasciatore verso i tuoi superiori mettendo per iscritto e firmando la nostra conversazione : eçola!” (It. : “Mendova me t’a lehtësue detyrën tande si ambasador karshi eprorëve tuej, tue e shkruejtë  bisedën tonë e tue e firmosë : ja ku âsht!”)

E drejta : qëllim’i im ishte tjetër : drojshe se mos të më ndërronte Giro fjalët në Romë. Muer e e lexoi. Tha: “Non mi è mai toçato di leggere un atto diplomatico come questo pieno di rigidi negativi senza nemeno un positivo o magari senza cercare di raddolcire in qulache modo il linguaggio.” (It. : “ Nuk më ka ndodhun kurrë me këndue nji akt diplomatik si ky, plot me mohime të ngurta, pa asnji pohim a së paku një përpjekje për t’a zbutun disi shprehjen.”) Dhe i a shtrîni letrën Koliqit: “Guarda tu, Ernesto, se puoi cambiare un po’ la forma del consenso di Kruja lasciando la sostanza come ha voluto lui.” (It. : “Shihe ti Ernest, nëse mundesh t’a ndryshosh pak formën e pëlqimit të Krujës, tue e lânë thelbin siç e ka dashun ai.”)   Un s’kundrështova. Por kur e prûni Ernesti e m‘a dha me e kënduem atê qi kishte hartuem, s’më pëlqeu e nisa me i bâmë objekcione. Giro hoq dorë atbotë  nga ndryshim’i formës qi pat deshiruem dhe muer e shtiu në çantë fletën qi pata shkrue vetë.

Kështu, atë, bâni miku i yt, ndonse kishte 12 vjet qi rronte me bukë t’Italisë me gjithë familje në mërgim e, tue bâmë ashtu, ishte në short me mbetun në rrugë të madhe pa i a ngjitun dorën kurrkush. E pata damë mênden me kthye në Shqipní. Isha i sigurtë se Zogu do t’më kishte falë. Shokët e pëlqyen të tanë qëndrimin t’em. Vetëm Ali Këlcyra bâni këtë objekcjon: “Të kisha qênë un, do të kisha thënë po, dhe pastaj, si të merrnim fuqín na në dorë, i a mohonja të tëra.!” Po mbasandej edhe ky e hoq kritikën e tij kur i a provuem të gjithë se aso lojnash ndërmjet deles e ujkut janë të rrezikshme, posë qi të pamoralshme në çdo diplomatí. E besa sikur t’a dijsha se ç’kishte pasun ndër mênd Italija për Shqipninë, akt të pamoralshëm n’atë rasë s’do t’a kisha quejtun as un mendimin e Ali Këlcyrës.

Por jesin të vjefshëm gjithmonë interesa e oportuniteti për të dobtin me qênë korrekt me të fuqishmin.
Giro, mbas pak ditësh, më shkroi nji letër tue më siguruem se kishte punuem në Romë simbas deshireve të mija e se shpejt shpresonte me më dhânë lajme konkrete e të  mira. Pak mâ vonë më dha orok për nji përpjekje në St. Moritz të Svicrës. Kshtû m’u bâ nafakë me pamë edhe atë log të famshëm. Ksi shtegu kishte ardhun me kto proponime : 1) Shqipnija do të kishte nji mbret të vetin prej shtëpisë së Savojës, siç  kishim qênë marrë vesht qyshë në fillim.  2) Italija do të ndryshonte statutin e saj tue e shpallë mbretin e vet “Re d’Italia ed Imperatore d’Albania” analogjisht me mbretnat e Prusisë qi kishin edhe titullin perëndorë të Gjermanisë, sado qi shtetet e tjera të ksaj kishin edhe mbretnat e princat e tyne.  3) Çdo kërkesë tjetër e Italisë pezullohej e mbas fitimit të kryengritjes dhe stabilizimit të regjimit të ri, të dý qeveritë do t’u merrshin vesht ndërmjet sosh miqsisht e me kënaqësinë e të dý palvet.

Këtë herë un u solla mâ i butë. Kishte vênd me veshun petkun e diplomatit në vênd të petkut të patrijotit. Për dý pikat e para, qi ishin të ndërlidhuna, i thashë se un po e kuptojsha fare mirë se titulli perënduer i Shqipnisë do t’ishte vetëm nji titull nderi (nganjiherë po u dashka me u bâmë edhe sŷlesh!), vetëm se kishte me qênë vështirë me i a shtîmë në krye popullit të padijshëm e se anmiqt e përbashkët do t’a përdorshin atê për armë propagande. Fundi un nuk u lidha as për po as për jo, por u reservova me i a dhânë përgjegjen e preme me shkrim, mbasi t’a kisha biseduem e vëndosun me shokët. Sa për pikën e tretë, u tregova fare i kënaqun tue shtuem keqardhjen t’eme qi Roma s’na kishte dalë para me nji formulë t’atilë qyshë në shtegun e parë.

Me shokët ramë në nji mendim pa nji shoshitje të gjatë qi edhe titullin perënduer të mbretit t’Italisë duhej t’a prapsshim me aqë energjí sa bashkimin personal. Roma hoq dorë, tekembramja, edhe prej këtij pretendimi. Tash bisedimet ndërmjet meje e Romës, filluen të zhvillohen me korrespondencë ndërmjet Giros e meje. Mâ në funt, ai më shkruen qi t’i çojmë nji letër Mussolinit, tue i u lutun qi t’i parashtronte Mbretit Viktor-Emanuel, me cilsinë e kryeparit të shtëpisë së Savojës, deshirin e lutjen t’onë me shenuem princin qi do t’bâhej mbret i Shqipnisë.

Un i përgjigjem qi deshir’i im edhe i shokvet ishte qi me i a drejtuem kërkesën t’onë drejtpërdrejt Viktor-Emanuelit me anën e Duce-s. Edhe i lutem, Giros, me qëllim qi të zbuloj ndonji mendim të fshehtë a, si i thonë edhe, ndonji paramendim të tij e të qeverisë së Romës nga shprehjet qi do të përdorte, me m’a dërguem ai prej andej kopjen e letrës si për mbretin ashtu edhe për Mussolinin. Edhe ai m’i dërgoi. Kisha qênë frymzuem mirë në këtë pikë! Kopja e letrës për Viktorin, qi më dërgonte Giro, s’kishte kurrgjâ të jashtzakonshme ; por ajo për Mussolinin!...

Na, simbas kopjes së Giros, do t’i luteshim Mussolinit : 1) Me i paraqitun Mbretit Viktor Emanuel letrën t’onë. 2) Po i luteshim qi ditën në të cilën do të kishin pushtuem Tiranën forcat kombtare, të kishte mirsinë me urdhnue qi t’u gjindshin në kryeqytetin t’onë “una rappresentanza d’ogni arma delle gloriose forze armate d’Italia” (It. : “nji përfaqësi të të gjithë armëvet të forcavet  të lavdishme t’armatosuna italiane.”) për me marrë pjesë në paradën qi do të bâhej prej forcave ngadhnjimtare të revolucjonit. 3) Që të na dërgonte edhe kontin Ciano për me marrë pjesë në kuvêndin e prinjsavet shqiptarë qi do të caktojshin rendin e ri në Shqipní.

Un i shkruej nji përgjegje Giros e i them: 1) T’a dijë mirë Roma se të vûmen kambë në tokën shqiptare edhe nji ushtar i vetëm italjan, krejt revolucjoni dështon atë ças. 2) Shqiptarët e njohin vetë mâ mirë se Konti Ciano popullin e vet e prandej edhe rendin e ri dijnë t’a caktojnë vetë pa tê. 3) Lutem me më diftuem në se duhet t’i shkruej dý letrat për Mbretin e Duce-n pa këto kërkesa, apo jo.

Ndër kaqë nji tjetër delegat ishte dërguem prej Shkodre për nji takim me mue e prej Rome më kishte lypun orok në Milan : ishte Nush Topalli ksi shtegu. Letrën për Giron e mora me vete e i a dhashë Nushit për me i a dorzuem. Këtij i bâna edhe nji exposé  (Fren. : paraqitje) të gjatë  mbi gjithë ç’kishte rrjedhun ndërmjet nesh e Romës.
Me kaqë priten tregtimet t’ona me Italjanët. Nuk mbaj mênd kurrgjâ mbi datën e pjekjes s’eme me Nush Topallin në Milan. Do të ketë qênë nj’aty kah fillimi i Marsit. Giro s’u përgjegj mâ. Un mbaj mênd dý data tepër të randsishme.

Mbrâmjen e 14 marsit u gjindsha në Fiume ke miku i im Djevat Kortsha. Kisha votun edhe me e pamë edhe me e vûmë me gojë në rrjedhë të punvet t’ona, se e kisha jo vetëm shoq, por edhe mik intim. Atë mbrâmje, s’dij në ç’orë, po kërkojshim stacjonet e ndryshme për lajme. Kur qe: po ndiejmë prej nji stacjoni gjermanisht, prej Vjene më duket, se ushtrija gjermane i u rras Pragës mbrênda. Un atypraty them: “Djevat, e pat Shqipnija!” M’erdh vetvetiu se tash Mussolini s’do të rrinte pa okupuem Shqipninë. Edhe Djevati u bashkue me mendimin t’em. Nuk ndêjta shumë në Fjume e u ktheva në Gjenevë për me qênë në kontakt edhe me shokët e Parisit. Gjithë kshill’i Bashkimit Kombtar qe transferuem ato dit krise për ne e të tanë Evropën në qytetin e Grenoblit për me u gjindun afër meje.

Data e dytë me rândsí për mue ka qênë 5 prilli. Atë ditë u lajmova me telefon prej Rome për çka kisha drashun qyshë mbrâmjen e 15 marsit. Në telefon po më flet së pari Ernest Koliqi. Më thotë shqip vetëm këto fjalë: “Këta i kanë bâmë të gjitha përgatitjet ushtarake për me e shkelë Shqipninë!” Un kam kohë me i thânë Ernestit: “M’a paçin faqen e zezë tradhtorët e poshtër!” Ernesti m’a kthen menji herë italisht, tue më lajmuem: “Eço, do il microfono a Giro.” (It. : “Po të kaloj Giron”)  Ky po më thotë: “Caro Kruja, impellenti motivi di politica internazionale ci hanno costretti ad açelerare l’azione, e sarà un’ azione diretta, ormai, con le nostre forze armate; ma t’assicuro che tutto andrà secondo i nostri açordi, tutti i diritti dello Stato albanese saranno salvi”! .(“I dashun Kruja, arsye të forta të politikës ndërkombëtare na kanë shtrëngue me e shpejtue veprimin, e do të jetë nji veprim i drejt për drejtë, tashma me forcat tona t’armatosuna ; por të siguroj se gjithshka do të shkojë simbas marrëveshjeve t’ona, të gjitha të drejtat e Shtetit shqiptar do të ruhen.”)

Qe, or i dashuni mik, krejt’ rol’i im në ndryshimin e 39-s ky ka qênë. Un të thashë në fillim qi s’kam luejtun asnji rol n’atë ndryshim. Ti tash gjykoje vetë prej fakteve. Mbas kumtimit telefonik të Giros, un u nisa menjiherë me të parin tren, për Grenoble për me lajmuem shokët. Ata m’u lutën qi t’u nissha për Romë për me pamë në se mund të hetojsha se me ç’programë politike e kishin nisun Italjanët atë veprim ushtarak. Sigurisht asgjâ, sado pak e mirë, s’mund t’ândrrohej mâ. Por, si ai qi âsht tue dekun e nuk do t’a besojë, m’a dhanë edhe atë rrugë: kush e di, thojshin, ndoshta i a sheh gjasën me folë edhe ndonji fjalë qi mund të lânë ndonji gjurmë të dobishme. Por un vota e s’mujta me pâmë kurrkênd mâ nalt se shefin e zyrës shqiptare në ministrí të jashtme.

Dhe mora vesht se ndër rrugat e Durrsit po luftohej. U ktheva shpejt prap në Grenoble. Damë me i derguem Mussolinit nji telegrafë të këtilë: “Nel momento in cui la sorte della nostra Nazione si trova ormai esclusivamente nelle vostre mani, vogliamo sperare che dimostrerete la vostra magnanimità rispettando i suoi diritti di Stato indipendente”.( It. : “Në çastin kur fati i Kombit t’onë gjindet krejtësisht në duert tueja,  duam të shpresojmë se ju do të tregoni shpirtmadhësinë tuej, tue respektue të drejtat e tij si nji Shtet i pamvarun.”) Këto fjalë nuk janë tekstuale, por si më kanë mbetun ndër mênd. Tekstin e ka pasë botuem krejt shtypi italjan.

Më duket se ka qênë me 8 prill. Me 13 ose 14 prill, mbas kuvêndit të 12 prillit në Tiranë, si pamë qi u shpall bashkimi personal, të cilin na e kishim prapsun, si dhe formimin e nji qeverije shqiptare me të gjithë ministrat, si mâ parë, aty mbrênda edhe ministër të jashtëm, lufte e financash, na erdh pak shpirti e i dërguem Mussolinit nji telegrafë të dytë, tue i thânë se i pranojshim vêndimet e atij kuvêndi “me shpresë qi prej atyne vêndimeve do të dilte bashkimi i të tânë Shqiptarvet nën flamurin e Skënderbegut”. Edhe kjo telegrafë gjindet e botueme në shtypin italjan t’asaj kohe.
Me kaqe, pra, kjo themë mbaron e tash po shohim se ç’ka mâ letra e jote. (...........)
Me shumë shëndet
                                                I yti
                                                     Mkruja
P. S.  Thema qi kam zhvilluem në këtë letër âsht tepër aktuale për mue, prandej emnat e përmêndun në tê jesin thjesht ndore të Zotit e tande. I kam dërguem Shqipnisë së Lirë në Romë nji studjim të gjatë mbi dynastín e Kastrijotvet.

Shkrimi u publikua sot (23.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)