Letra e plotë e Dritan Dajtit:
Kush i zhduku tabulatet e mia

Letra e plotë e Dritan Dajtit:<br />Kush i zhduku tabulatet e mia
Dje Dritan Dajti, një nga personazhet më të mitizuar të krimit shqiptar, në seancën e gjyqit që po zhvillohet ndaj tij, ka këmbëngulur në zbardhjen e përgjimeve që i janë bërë telefonit të tij. Nga ato telefonata sipas tij, mund të zbardhet roli i vërtetë i krerëve të policisë në ngjarjen, ku ngelën të vdekur 4 oficerë policie dhe Shqipëria do tronditej.

Dyzet vjeçari që akuzohet nga prokuroria si autor i një masakre të pesëfisht më 7 gusht të vitit 2009 në qytetin e Durrësit, jo vetëm që nuk ka pranuar ekzekutimin e katër policëve, por edhe ka deklaruar se policia në bashkëpunim me prokurorinë, ka zhdukur përgjimet që i janë bërë atij, duke hedhur kështu insinuata, se bashkë me ato janë shkatëruar edhe provat që vërtetojnë, se ai ka pasur lidhje dhe mbrojtje nga krerë të lartë të policisë dhe politikanë. Faktikisht prokuroria dhe
policia nuk kanë paraqitur përgjimet dhe tabulantet e telefonave të Dritan Dajtit edhe pse shefi i Operacioneve Speciale në atë periudhë Arjan Muça, pranoi përpara
gjykatës faktin se telefoni i tij, kishte qenë nën përgjim përpara ngjarjes. Përveç përfoljes në media, përpara dhe pas arrestimit të Dajtit, se ky kishte lidhje të
ngushta me krerë të policisë dhe politikantë të ndryshëm, edhe një kabllogram i ambasadës USA në Tiranë , publikuar nga siti WikiLeaks, shkruante se zëvendës drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Agron Kuliçaj, ka patur kontakte me Dritan Dajtin dhe e ka informuar atë, për operacionet që përgatiteshin për arrestimin e tij. Gjyqi ndaj Dritan Dajtit, kunatit tij, Erges Xhoxhit dhe ish-oficerit të Policisë e Durrësit, Mariglen Muça, ka nisur më 28 maj të këtij viti gati dy vjet pas ngjarjes së rëndë dhe nuk dihet se kur do të mbarojë pasi janë thirrur dhjetra dëshmimtarë. Prokurori i çështjes Ardian Nezha për ngjarjen e 7 gushtit 2009, në zonën e plazhit në Durrës, ku gjatë operacionit për arrestimin e shumë të kërkuarit Dajti akuzohet se vrau efektivët, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, shokun e tij Ledjon Mara, si dhe plagosi një kalimtar me inicialet F.SH, pritet të kërkojë burgim të përjetshëm.
* * *
Në seancën e djeshme deklarata e Dajtit që gazeta “Shqiptarja. com”, po e boton të plotë, nuk u lejua të lexohej në prani të medias. Gjithsesi ajo u administrua.
E nderuara zj.Kryetare!
Të nderuar anëtarë të këtij trupi gjykues!
Në respektim të ligjit dhe të drejtës për deklarime që ju ma lejuat në seancën e datës 08.10.2010; me dëshirën për të bërë me dije të pranishmit, publikun dhe të interersuarit nëpërmjet medias; si dhe duke ju përmbajtur tërësisht objektit të akuzës deklaroj përpara jush se: Plani për mbylljen e dyerve të seancës gjyqësore prej mëse një viti me qëllimin e vetëm që punonjësit e policisë protagoniste të kësaj tragjedie, të dëshmonin fajësinë time me çdo kusht dhe jashtë çdo caku ligjor e njerëzor, dështoi në mënyrën më të keqe të mundshme. Përkundrazi ai provoi qartë të gjitha synimet e shfajësimit tim, të deklaruara në parashtrimet hyrëse. Tashmë dihet botërisht që për ironi të fatit, presioni juaj i pashembullt ndaj nëntë dëshmitarëve për të mos thënë të vërtetën, j’u kthye në bumerang, pasi dëshmitë që ju administruat provuan qarte faktin se:

Se pari, të nëntë punonjësit e policisë të pyetur në seancë me dyer të mbyllura për shkak se u rrezikohej jeta prej meje, deklaruan pa përjashtim se nuk e kanë parë fare personin që ka qëlluar ndaj shefit të njësisë së tyre Fatos Xhani, ndaj punonjesit të policisë Altin Dizdari dhe ndaj shtetasit Ledion Mara. E thënë ndryshe asnjë prej nëntë dëshmitarëve punonjës policie që ju i pyetët me dyer të mbyllura, nuk drejtoi gishtin tregues tek unë si vrasës i të ndjerëve F.Xhani, A.Dizdari dhe L.Mara. Madje mund t’ju kujtoj që dëshmitari Petrit Sulkaj deklaroi qartë përpara jush se L.Mara është vrarë pasi Dritan Dajti është rrëzuar në tokë.

Së dyti, tetë nga nëntë punonjësit e policisë, dëshmuan përpara jush se nuk e kanë parë personin që ka qëlluar ndaj kolegut të tyre Saimir Duçkollari. I vetmi dëshmitar që më fajësoi për këtë vrasje qe Flamur Gashi, personi që sipas provave që ju administruat, rezultoi të ketë qenë pas shpinës së të ndjerit Duçkollari në momentin e vrasjes. Pra dëshmitari Gashi më tregoi mua si vrasës në kushtet kur sipas aktit të ekspertimit plaga vdekjeprurëse e Dukçollarit është konstatuar në shpinë, pikërisht atje ku dhe ndodhej ky dëshmitar.

Së treti, tetë nga nëntë punonjësit e policisë, dëshmuan qartë përpara jush se nuk e kanë parë personin që ka qëlluar ndaj kolegut të tyre Kastriot Feskaj. I vetmi dëshmitar që më fajësoi për këtë vrasje qe Arjan Muça, organizatori drejtuesi dhe përgjegjesi kryesor për masakrën që po gjykoni sot.

Së katërti, të gjithë punonjësit e policisë me në krye drejtorin e tyre, dëshmuan një zëri përpara jush që urdhëri për Dritan Dajtin ishte që ai të goditej dhe jo të arrestohej. Kjo ka qenë dhe arsyeja që në vendngjarje këta dëshmitarë kishin gjithçka me vete përveç prangave. Kjo u dëshmua gjyqësisht prej tyre kur deklaruan përpara jush, që në momentin e kapjes me lidhën me kabëll elektrik, të cilin e morën në lokalin e parë që gjetën.

Së pesti, punonjësit e policisë dëshmuan përpara jush që kanë marrë nga vendi i ngjarjes armët e punonjësve të policisë që mbetën të vrarë, duke kryer kështu krimin “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i K.Penal. Kjo ka bërë që këto armë të mos sekuestrohen nga prokurorët në vendngjarje por nëpër koridoret e zyrat e tyre duke i hapur rrugën një manipulimi permanent të provave, veprime korruptive këto për të cilat “Byroja për Mbrojtjen e të Burgosurve” ka kallzuar penalisht prokurorët e çështjes, të cilët aktualisht janë në proces gjyqësor. Sigurisht që këtë manipulim tragjiko-komik ju e nderura Kryetare dhe ju të nderuar anëtarë të trupit gjykues e konstatuat vetë nga dëshmitë që dëgjuat për të ndjerin Kastriot Feskaj, ku sipas tyre rezultoi që ai në momentin e vrasjes mbante në duar dy automatik, një prej të cilëve e ka marrë dëshmitari Arjan Muça dhe tjetrin dëshmitari Altin Xhepa. Në këto kushte si mund të mos e quash manipulim tragji-komik, faktin që akuza edhe sot vazhdon të pretendojë se i ndjeri Kastriot Feskaj, në momentin që është qëlluar prej meje i ka pasur të dyja duart e zëna, në përpjekje për të prangosur një person të paidentifikuar.

Së gjashti, punonjësit e policisë dëshmuan përpara jush se përveç armëve personale të regjistruara kanë pasur edhe armë të tjera të tipit “makarove”, të cilat nuk i janë nënshtruar ekzaminimit. Mjafton t’ju kujtoj dëshminë e oficerit të policisë Petrit Hamzallari.Pikërisht gëzhoja dhe predha të këtyre armëve janë gjetur të qitura respektivisht në vendngjarje dhe në trupin tim, por për to nuk është kryer absolutisht asnjë veprim procedural nga organi i akuzës. Ky fakt tregon një aspekt tjetër manipulativ që do të zbulohet në vijim të këtij shqyrtimi gjyqësor.

Së shtati, punonjësit e policisë dëshmuan përpara jush se ata të gjithë kanë qënë në vendin e ngjarjes të veshur civila, madje disa prej tyre edhe me kapuç në kokë, ndërsa disa të tjerë me rroba banjo apo pantallona të shkurtëra. Ashtu sikurse u dëshmua edhe për dy punonjësit e policisë të vrarë, F. Xhani dhe A. Dizdari.

Së teti, punonjësit e policisë që dëshmuan përpara jush, provuan unanimisht se Ledion Mara deri ne momentin e vrasjes nuk kish pasur asnjë precedent penal apo problem me autoritetet gjyqësore, ashtu siç u përfol dhe u anatemua gjerësisht në media pas vrasjes, nga prokurorët dhe policia. Tashmë për atë që ka sy e veshë, është mjaft e lehtë të identifikojë vrasësit e tij.

Së nënti, punonjësit e policisë që dëshmuan përpara jush, provuan botërisht që në ngarkim të Dritan Dajtit nuk ekzistonte absolutisht asnjë të dhënë për trafik narkotikesh apo për vënie gjobash, çka do të thotë që ra poshtë edhe alibia e fundit për sulmin kriminal dhe të paprecedentë që m’u bë.

Së dhjeti, Drejtori i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar Arjan Muça dëshmoi përpara jush faktin që deri në momentin e tragjedisë, telefoni celular që përdorte Dritan Dajti ka qenë në përgjim, por rezultatet e përgjimit janë zhdukur. Kjo e bën edhe më kuptimplotë shkakun përse ju si trup gjykues mbyllet dyert e gjyqit dhe rrëzuat kërkesën time për marrjen me cilësinë e provës të tabulateve telefonike.

E nderuar zonja Kryetare!
Në vazhdim të deklarimit tim dëshiroj t’ju bëj me dije që kjo fitore e paralajmëruar dhe e mirëpritur prej meje, erdhi pas një beteje të vërtetë ndërmjet palës që kërkonte zbardhjen e së vërtetës dhe respektimin e së drejtës, e cila përfaqësohej nga unë dhe mbrojtja; dhe palës tjetër që kërkonte me çdo kusht mbulimin e saj nëpërmjet shkeljs së ligjit, e cila përfaqësohej nga ju dhe prokurorët. Bilanci i kësaj beteje vërtet rezultoi i frikshëm: Nga proces-verbalet e seancave gjyqësore rezulton e provuar që në kundërshtim me nenet 157/1 e 361 te K.Pr.Penale, ju pasi shkelët kufijtë e ligjit, nuk e patët problem të kaloni caqet e logjikës formale, duke më ndaluar pyetjet e mia ose përgjigjet e dëshmitarëve në 567 raste, shifër kjo vërtet e frikshme. Mjafton t’ju përmend këtu 146 raste vetëm për dëshmitarin Sulkaj, apo 119 raste për dëshmitarin Gashi. Gjithashtu në kundërshtim me nenin 340 te K.Pr.Penale, ju keni disponuar me dyer të mbyllura jo vetëm për pyetjen e dëshmitarëve oficerë të policisë ashtu siç keni deklaruar vetë në vendim, por si asnjëherë tjetër në 56 raste keni disponuar me dyer të mbullura edhe për kërkesat e palëve të cilat nuk lidheshin absolutisht me dëshmitarët apo deklarimet e tyre, duke dalë kështu hapur jo vetëm kundër ligjit por dhe kundër vetes suaj. Nuk besoj që sot të ketë ndonjë trup gjykues në planet, që pa filluar mirë shqyrtimi gjyqësor, t’i kërkohet me prova të pakontestueshme mbi 32 herë përjashtimi nga gjykimi i çështjes. E frikshme ka qenë edhe hakmarrja juaj personale që ju bëri të harronit ligjin dhe humanizmin që e karaterizon atë. Provë për sa sipër kanë qenë dhjetra seanca gjyqësore, kur ju për orë të tëra më mbanit të gozhduar në karrocën e invalidit, shpesh pa ndjenja apo me injeksione. Mbajtja në burg pa ligj dhe tej çdo kohëzgjatje paraburgimi e kunatit tim Ergest Xhoxhi, është një tjetër provë e asaj se deri ku shkon hakmarrja juaj fshehur pas mantelit të ligjit, të cilin as nuk e njihni dhe as doni ta njihni edhe kur atë ju a lexojnë. Sigurisht që pas kësaj masakre mesjetare në gji të këtij qytetërimi modern ku pretendoni se jetoni, do të shpikni pa tjetër ndonjë farsë si ajo e pak ditëve më parë kur duke dashur t’i jepnit publikut “profilin tim kriminal”, lejuat prokurorin Beci të shpifte në media trillime e spekullime se gjoja qe kërcënuar prej meje në seancë gjyqësore. Ndonëse e dinit më mirë se unë, që kjo nuk ishte aspak e vërtetë dhe që nuk kish ndodhur kurrë. Por ju siguroj që orvatja juaj për të mbuluar të vërtetën e pesë vrasjeve dhe të autorëve të saj, si dhe ajo për t’a zhvilluar gjyqin me gazeta e spekullime, përsëri do të dështojë, pasi jam i bindur që të gjitha provat që do të paraqesë akuza, rezultojnë pro shfajësimit tim.
Tiranë më 05 Dhjetor 2011
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë