Letra e Trebeshinës për Mehmet
Shehun: Pse dua të iki në Zvicë

Letra e Trebeshinës për Mehmet<br />Shehun: Pse dua të iki në Zvicë
TIRANE- “...Për qejf të servilëve të vegjël të Lidhjes së Shkrimtarëve mund të merren nëpër këmbë njerëz e vlera pa u marrë asgjë para sysh. Duke mos dashur të jem lodër e fatit dhe e kapriçove njerëzore, kërkoj vizën për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria për në Zvicër.”

Ky ishte thelbi i letrës së shkurtër që Kasem Trebeshina i niste Mehmet Shehut me 8 dhjetor 1953, vetëm 9 ditë para se të arrestohej. Me shumë gjasa kjo letër i ishte nisur Mehmet Shehut para dy letrave të tjera që ai kishte dërguar në Komitetin Qendror, ku në njërën prej tyre kishte kërkuar daljen nga Partia, e në tjetrën bënte në një farë mënyre autokritikë për gabimet e tij politike.

Por çfarë ka thënë para hetuesit Kasem Trebeshina për idenë e largimit njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria? Procesverbali i datës 8 prill 1954, zbardh gjithë përgjigjet e shkrimtarit mbi idenë e ikjes, planet e tij për jetën në Zvicër, çfarë do të bënte me veprat letrare që kishte shkruar gjer më atëherë, me cilët kishte biseduar për këto plane dhe se ku konsistonte faji i tij në gjithë këtë histori.

Më poshtë po sjellim të plotë letrën e Trebeshinës dërguar Mehmet Shehut si dhe procesverbalin e marrjes në pyetje të shkrimtarit me 8 prill 1954, deponim që kishte zgjatur nga ora 16:45 deri në 19:00.   

 
PROCESVERBAL
 
I mbajtur në Tiranë, më 08.04.1954, unë, hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Major Sotir Zavalani mora në pyetje të pandehurin Kasëm Trebeshina.
Pyetja filloi në orën 1645
Pyetja mbaroi në orën 1900
 
Pyetje: Na trego i pandehur si ju lindi ideja juve për ikje jashtë shtetit?
Përgjigje: Rreth 25 shtatorit, gjatë provave që kishim në Teatër vura re se Esma Agolli po qante, dola nga Teatri, shkova në shtëpi dhe prej këndej kur dola shkova te Mehmet Myftiu, të cili i shfaqa gjendjen time në lidhje me atë, d.m.th. me Esman; Mehmeti ngulte këmbë që unë të hidhesha në optimizëm në lidhje me Esman dhe gjithë jetën. Më 27 ose 28 tetor arrita në përfundim se pesimizmin e kisha sepse nuk gjeja vend në shoqëri.

Më 7 ose 8 nëntor 1953, mua më lindi për të parën herë ideja për të ikur jashtë shtetit. Në këtë kohë e kam pasur me gjithë mend dhe kisha në mend të shkoja në Zvicër, por këtë hap unë do ta bëja pasi t’i bëja një letër Komandantit.

Pyetje: Për ç’arsye ju kërkonit të shkonit në Zvicër?
Përgjigje: Unë kam qenë krejtësisht i pakënaqur nga trajtimi që më është bërë këtu, së dyti duke parë se ishte e pamundur të ndryshonte kjo gjendje, kërkoja të gjeja një vend që të mundesha të shkëputesha fare nga jeta, një vend ku as të mos njihja njeri as mos të më njihte njeri.

Arsye tjetër është se unë e kam konsideruar Lidhjes e Shkrimtarëve si një grup intrigantësh nga një anë dhe nuk doja të merrja pjesë në intrigat e tyre. Një gjë tjerër që më është dukur mua e shtrembër është teza e Gustav Floberit “është frikë që Lidhjet e Shkrimtarëve të kalojnë në kooperativa”. Unë pranova tezën e tij dhe e kam quajtur Lidhjen tonë të Shkrimtarëve si një kooperativë dhe shkrimtarët si njerëz të vegjël karrieristë. T

ë gjitha këto vijnë për arsye se nuk m’u botuan këto vepra të miat: “Shqiponjat e maleve tona”, “Të rinjtë e kohës sonë”, “Nëpër dy botë” dhe vëllimi i vjershave me titull: “Kangët e Kangëve” paraqitur në Lidhjen e Shkrimtarëve, përveç kësaj unë kisha pakënaqësi sepse unë akoma nuk kisha zënë vendin që meritoja në letërsinë shqipe, mbasi e konsideroja veten që të zija një ndër vendet e 10 letrarëve më të mirë të letërsisë shqipe, gjithashtu doja që veprat e mia të botuara të futeshin në shkolla si tekste shkollore; veprimet e Lidhjes i kam konsideruar veprime policore.

Pyetje: Me cilët persona keni biseduar për ikjen në Zvicër?
Përgjigje: Për ikjen në Zvicër unë kam biseduar me gruan time Zydije Trebeshinën, kam biseduar dhe me Esma Agollin dhe me Mehmet Myftiun, me tjetër njeri s’kam biseduar për këtë.

Pyetje: Ç’mendoje ti të bëje pasi të shkoje në Zvicër dhe cili ishte qëllimi yt?
Përgjigje: Unë do të isha poet purist, art për art, poet i kullës së fildishtë; unë për të vetmen gjë që do të përzihesha në shoqëri do të isha për paqen, ndërsa në të gjitha fushat e tjera të aktivitetit do të isha poet i “Artit për art”. Qëllimi im ishte që të merresha me letërsi atje, dhe isha i sigurt se do të bëja karrierë në letërsi atje, aftësia për të notuar në të gjitha shkollat letrare, më bindte se do të jetoja me letërsinë. I kam thënë gruas sime se do të shkoj në Zvicër sepse atje ka shkuar Bajroni kur bëri divorcin me gruan.
Në Zvicër kisha ndërmend të merrja me vete vetëm romanin tim “Letra dashurie”.

Pyetje: Duke parë se veprat e tua nuk botoheshin këtu, ç’mendoje të bëje me këto vepra?
Përgjigje: Unë kam menduar një vëllim vjershash me titull “Trëndafilat e Shirazit” doja ta dërgoja në Itali, kurse “Shqiponjat e maleve tona” do t’ia dërgoja Shollohovit. Vëllimin me vjersha dashurie “Trëndafilat e Shirazit” nëpërmjet Legatës italiane do t’ia çoja edicionit Corbacios ose Bompianit. Unë në vijim të punës së Sergei Jesajenit, që kërkoi të formonte shkollën imagjinare si novator, unë si njeri kundër novacionit kërkoja të ringjallja shkollën romantike dhe ta udhëhiqja.

Pyetje: Ku konsistojnë fajet e tua?
Përgjigje: Fajet e mia konsistojnë në kultin e heroit, është mbi klasat, shkëputja nga jeta, e cila duket në të gjitha veprat e mia. Veprat e mia vuajnë nga një super sentimentalizëm. Heroi qendror i pjesës më të madhe të veprave të mia  nuk ka rrugëdalje.

Këto janë për sa u përket veprave të mia, kurse faj politik konsideroj ikjen nga shkolla. Së dyti, shoqëria më ofendoi, duke më cilësuar si njeri të marrë. Ajo kishte të drejtë të më dënonte, por jo të më ofendonte, prandaj u vura në opozitë me shoqërinë në Lidhjen e Shkrimtarëve, bile mendoja se Lidhja më bënte padrejtësi duke mos më botuar veprat dhe duke mos më dhënë vendin  në Lidhjen e Shkrimtarëve, përveç kësaj ikja ime nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe nga Partia, është dezertim, pranoj dhe që veprimtaria ime e dy-tre muajve të fundit para se të arrestohesha nuk i shërben ndërtimit të socializmit.
 
HETUESI I DREJTORISË SË SIGURIMIT TË SHTETIT
Major (Sotir Zavalani)
(firma)
 
I PANDEHURI
(Kasëm Trebeshina)
(firma)

Letra për Mehmet Shehun
 
Shokut Mehmet Shehu
Tiranë
 
Çdo njeri duhet të bëjë atë që i ngarkon epoka. Këtë e ka për detyrë dhe duhet ta bëjë pa tjetër. Po kur dinjiteti njerëzor nuk përfillet “dhe shqelmat që çdo vlerë zemërgjerë nga të pavlershmit merr” bëhen të paduruara, atëherë njeriut nuk i mbetet të thotë veçse “lamtumirë dhe në qoftë se përgjithmonë lamtumirë, prapë lamtumirë”.

Tashti duket qartë se për qejf të servilëve të vegjël të Lidhjes së Shkrimtarëve mund të merren nëpër këmbë njerëz e vlera pa u marrë asgjë para sysh.
Duke mos dashur të jem lodër e fatit dhe e kapriçove njerëzore, kërkoj vizën për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria për në Zvicër. Vizën transit do ta kërkoj nga shteti italian.

ME RESPEKT: (Kasëm Trebeshina)
(firma)
 
Tiranë, më 08.12.1953
Kasem Trebeshina

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg