Në letrën drejtuar Asamblesë së Partisë Socialiste, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kritikon edhe mënyrën se si funksionon grupi parlamentar socialist. Ai thotë se grupi e ka humbur aftësinë për të kërkuar llogari dhe se, sipas tij mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje, ndërsa një qëndrim publik për një koleg mund t’i ekspozojë deputetët ndaj presionit nga drejtimi politik.
“Besnikëria ndaj programit politik nuk mund të kërkojë dorëzimin e lirisë së mendimit dhe të gjykimit të pavarur. Disiplina politike është e nevojshme për funksionimin e një shumice parlamentare. Por ajo nuk mund të shndërrohet në bindje të pakushtëzuar personale. Kur një deputet nuk guxon të kundërshtojë, kur mendimi ndryshe trajtohet si mosbindje dhe kur qëndrimi publik për një koleg bëhet shkak për presion nga drejtimi politik, atëherë vihet në diskutim ushtrimi real i mandatit përfaqësues. Deputeti duhet ta ushtrojë mandatin në përputhje me Kushtetutën, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve, jo nën frikën se një qëndrim i pavarur mund t'i kushtojë të ardhmen politike. Kur Grupi Parlamentar humbet aftësinë për të diskutuar, për të kontrolluar dhe për të kërkuar llogari, nuk dobësohet vetëm demokracia e brendshme e partisë. Dobësohet edhe funksioni kushtetues i Kuvendit si institucion përfaqësues dhe kontrollues i pushtetit ekzekutiv. Pasojat e kësaj mënyre drejtimi nuk mbeten vetëm brenda partisë apo Kuvendit. Ato shfaqen edhe në marrëdhënien ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit vendor”, thuhet në letrën e Veliajt.
Lajmi kryesor:
Veliaj kërkon largimin e Ramës, letra drejtuar Asamblesë: Të ndryshojë modeli i drejtimit të PS, reformimi nuk bëhet pa ndryshuar kryetarin që e ka krijuar











