Letra ekskluzive/ Si u dënua vepra
'shoviniste' e Fishtës nga shkrimtarët

Letra ekskluzive/ Si u dënua vepra<br />'shoviniste' e Fishtës nga shkrimtarët
TIRANË - Si u dënua At Gjergj Fishta në konferencën e tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949? Një dosje e këtij viti ruajtur në AQSh me materiale mbi përgatitjen e kësaj Konference  përmbledh një mori dokumentesh ku dëshmohet se si po zyrtarizohej nga viti në vit ‘historia e re’ e letërsisë shqipe.

Ndër tezat që po përgatiteshin të diskutoheshin në konferencën e III-të të Lidhjes parashtrohet dhe kjo analizë mbi veprën dhe aktivitetin e At Gjergj Fishtës, pa autor në fund, ku agrumentohet paragraph pas paragrafi se pse ky autor duhej zhdukur njëherë e mirë nga historia e letërsisë shqipe dhe cila ishte fryma “armiqësore” në veprat e tij. Analiza që i bëhet Fishtës dhe veprës së tij është mjaft e gjatë dhe ne do ta sjellim për lexuesit tanë të ndarë në tre pjesë duke e sjellë vijimin në numrat e ardhshëm.
Më poshtë sjellim pjesën e parë të këtij dokumenti.

Dokumenti i plotë, pjesa e parë
 
     I) P. GJERGJ FISHTA. – Përfaqësuesi më tipik i shkollës letrare shoviniste të klerikëve të Shkodrës, P. Gjergj Fishta, u lind në Fishtë, fshat i vogël i Zadrimës, më 23 tetor 1871. P. Mariano Da Palmanova, një nga eksponentët e politikës së Vatikanit në Shqipëri e mori nga prindërit e tij që në moshë të vogël dhe e dërgoi në Shkodër. Si e la nja pesë vjet në Shkodër pranë miqve të tij, Mariano Da Palmanova e mori Fishtën në Troshan, ku pati si mësues, ndër të tjerë, edhe Leonardo de Martinon. Kështu Fishta qe i pari nxënës që u regjistrua në Kolegjin famëkeq të Troshanit, ku Vatikani, imperializmi austriak dhe italian do të fabrikonin agjentët e tyre.

     Që nga Troshani, në vitin 1886 Fishtën e dërguan në Bosnjë për të kryer mësimet e filozofisë dhe teologjisë. Vetë gjenerali i françeskanëve, Bernardino Da Portogruaro kishte dhënë urdhër që Fishta të dërgohej në Bosnje, sepse atje Austro-Hungaria i kishte vënë këmbët, dhe kleri katolik i atjeshëm përpiqeshin t’u jepnin udhën e shovinizmit ndjenjave liridashëse të popullit boshnjak.

     Si kreu studimet Fishta u kthye në Shqipëri, ku meshoi për të parën herë më 26 shkurt 1894 në Troshan, dhe aty u emërua lektor i Kolegjit. Më vonë shërbeu si kapelan në famullinë e Lezhës, e pastaj për ndonjë vit si famullitar në Gomsiqe. Thuajse krejt kohën tjetër të jetës ai e kaloi në Shkodër. Këtu ai u fut në jetën politike, i përgatitur mirë në Troshan e Bosnje, për të realizuar politikën e Vatikanit.

     Që nga ajo kohë Fishta fillon të shquhet për një agjitacion të papeshuar, me gojë e me shkrim. Agjitacioni i tij luftën e drejtë të popullit mundohej ta drejtonte shtrembër, populli donte çlirimin nga Turqia, agjitacioni i Fishtës mundohej ta drejtonte luftën e popullit kundër sllavëve, pse kështu e kishin porositur Fishtën Vatikani dhe padronët e tjerë të tij. populli ynë kishte kauzë të përbashkët me popujt e tjerë të Ballkanit, sepse edhe ata po vuanin prej shekujsh të okupuar e të shtypur, të shfrytëzuar e të përçarë nga imperializmi i huaj, klasat shtypëse dhe klikat tradhtare të brendshme.

     Kështu Fishta u bë shumë shpejt agjitatori më i mirë i imperializmit austro-hungarez në Shqipëri, u bë “Poeti Kombëtar” i klasës feudale dhe i klikave tradhtare të vendit, u bë zëdhënësi tipik i reaksionit më të tërbuar klerikal.

     Në vitin 1902 ai u emërua sekretar i Komisariatit Françeskan në Shqipëri, dhe drejtor i shkollës françeskane të Shkodrës.
     Në vitin 1905 Fishta doli në skenë me “Lahutën e Malcisë”, Ble I, “Te Ura e Rrzhanicës”. Këtu filloi karriera e tij prej poeti të shitur këmbë e kokë tek imperializmi. Këtu filloi të ngrihet kënga e Fishtës si një hendek përçarje në mes popujve; dhe për këtë qe përgatitur Fishta. Ai “Lahutën e Malcisë” e vazhdoi gjersa më 1937 e botoi në një poemë të unifikuar me 30 këngë. Këtu ai punoi më tepër, kësaj i dha rëndësinë kryesore në jetën e tij sepse këtu ai konkretizoi vijën politike-ideologjike, të lakmive grabitqare të imperializmit nga një anë, dhe të feudalizmit vendas nga ana tjetër. Kështu Fishta në rrethet reaksionare u bë jo vetëm poet i madh por edhe një personalitet politik me rëndësi. I tillë vazhdoi të jetë gjersa vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940, duke qenë akademik i Italisë fashiste.

     Në vitin 1912 atë e kishin dekoruar njëkohësisht Perandori i Turqisë me dekoratën “MEARIF” Kl. II dhe Perandori i Austro-Hungarisë me dekoratën “RITTERKREUZ”.
     Gjatë okupacionit austro-hungarez që nga viti 1916 e gjer më 1918 Fishta qe drejtor i gazetës “Posta e Shqipnis”, organ i imperializmit austriak, që dilte shqip dhe gjermanisht në Shkodër, dhe drejtohej nga një redaksi e përbashkët françeskanësh dhe oficerësh austriakë.

     Pas Luftës së Parë Botërore Fishta nuk e humbi aspak rëndësinë e tij në qarqet reaksionare dhe klerikale. Me krijimin e shtetit shqiptar ai qe deputet dhe nënkryetar i Parlamentit. Bënte pjesë në klikën e Mustafa Krujës me shokë, të cilët politikën e shtetit shqiptar deshën ta drejtonin patjetër nga imperializmi italian.
     Pas ardhjes së Zogut në fuqi në dhjetor të vitit 1924, Fishta u tërhoq në Romë për një kohë të shkurtër, por më vonë u kthye në Shqipëri, u ujdis me Zogun dhe me politikën e tij, sepse Zogu filloi të bënte pikërisht atë që Fishta e klika e tij deshi t’i shesë Shqipërinë Italisë. Dhe tamam në këtë kohë Fishtën e dekoroi edhe papa me medaljen e “Meritimit”.
     Fishta Zogut i vajti në pallat shumë herë, mori shpërblime prej tij dhe puthi duart e .......................................................................

për një manovër politike, mbylli shkollat private, prandaj dhe shkollën e françeskanëve në Shkodër, Fishta u tërhoq në Itali për një kohë të shkurtër, me mision politik pranë Vatikanit dhe qeverisë fashiste.
     Më 7 prill 1939 Fishta u gjend në Shkodër, mori pjesë në atë qytet për përgatitjet e 12 prillit, dhe revista që ai drejtonte “Hylli i Dritës”, fashizmin e priti me artikuj të bujshëm lëvdatash, e priti duke e quajtur shpëtimtar.

     Po në këtë vit qeveria fashiste e Romës Fishtën e bëri akademik të Italisë. Në akademinë fashiste ai mbajti ligjërata antihistorike dhe antikombëtare, me të cilat deshi të provonte se Shqipëria na paska qenë gjithnjë e lidhur me Italinë gjatë shekujve.
     Kur ai vdiq më 1940, si akademik i Italisë, fashizmi humbjen e tij e përkujtoi me artikuj, fjalime, telegrame e botime të bujshme. Natyrisht shërbimet që ai i kishte bërë fashizmit kishin qenë të mëdha.

     Fishta ka shkruar shumë. Si doli në skenë me pjesën e parë të “Lahutës së Malcisë” (1905) e gjersa vdiq nuk pushoi së shkruari. Ai poezi ka shkruar 50 000 vargje aproksimativisht. Këto janë ndarë në poezi epike, lirike dhe satirike, vepra e tij kryesore është “Lahuta e Malcisë”, poemë epike e ndarë në 30 këngë, sipas botimit të fundit bërë në Shkodër më 1937. Pas kësaj vjen vepra e tij lirike përmbledhur në dy volume: “Mrizi i Zanave” dhe “Vallja e Parrizit”. Në të parim përmblidhen lirika me tematikë të ndryshme, po këtu zotëron kryesisht tematika politike. Fishta këtu, si në “Lahutën e Malcisë” çështjet patriotike i trajton në një frymë shoviniste të tërbuar. Në Vallen e Parrizit vjersha e tij ka përmbajtje fetare. Poezinë satirike Fishta e ka përmbledhur në volumin “Anzat e Parnasit” dhe në poemën satirike “Gomari i Babatasit”. Edhe në satirën e tij predominon tematika politike.

     Fishta ka shkruar shumë edhe në prozë. Proza e tij gjendet e shpërndarë nëpër revista e gazeta të ndryshme që dilnin brenda dhe jashtë Shqipërisë gjatë jetës së tij letrare. Disa pjesë i ka botuar edhe në formë broshurash. Argumentet e prozës së tij zakonisht janë politike. Ai prozën e tij, si edhe poezinë, e përdor zakonisht si armë për të mbrojtur interesat e klasës feudale dhe të klerit katolik në aleancë me këtë klasë. Sipas llogaritjeve që kanë bërë françeskanët pas vdekjes së tij, proza e Fishtës kapet në afro 700 faqe shtypi.

     Fishta është orvatur të shkruajë edhe melodrama dhe drama; ka përshtatur disa pjesë të Molierit, ka bërë disa përkthime poetike si himnet fetare të Manzonit, një pjesë të librit V të Iliadës e disa tingëllime e këngë të Petrarkës.
     Por nga të gjitha këto vepra të tij kryesore mbeten “Lahuta e Malcisë”, “Mrizi i Zanave”, “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”.

     a) Lahuta e Malcisë. – Shpirti reaksionar feudal shovinist i Fishtës më tepër se kudo del në “Lahutën e Malcisë”, në këtë poemë që ai e filloi, e vazhdoi dhe e përpunoi për 30 e sa vjet, me qëllim t’i ngrinte himne lavdie klasës feudale, “shpijavet bujare” siç thotë ai, me qëllim që t’u shërbente imperialistëve të rinj që ia ishin vënë syrin vendit tonë për ta okupuar pas shkatërrimit të Turqisë; me qëllim që të helmonte shpirtrat e shqiptarëve me një shovinizëm nacional të egër e çnjerëzor duke i nxitur për luftë të paprerë kundër fqinjëve tanë e sidomos kundër sllavëve.

     “Lahuta e Malcisë” përfaqëson në literaturën shqipe të tërë politikën e armiqve të popullit tonë: politikën e imperialistëve të rinj, austriakë e italianë, që po luftonin për t’i zënë vendin Turqisë në Ballkan, politikën e feudalëve dhe të klikave të tjera reaksionare, të cilat për të garantuar shfrytëzimin e tyre mbështeteshin në këta imperialistë, politikën e obskurantizmit mesjetar të klerit me Vatikanin nënkrye, politikën e kompromisit me Perandorinë dekadente Otomane. Por realizimi i një politike kaq reaksionare nuk qe një gjë aq e lehtë për armiqtë e popujve të Ballkanit.

Këta popuj atëherë të ngritur me armë në dorë po kërkonin ta dëbonin definitivisht Turqinë nga gadishulli i tyre. Imperialistët bënin përpjekje të gjithanshme për t’ia arritur qëllimit të tyre grabitqar, por një nga mjetet politike që ata përdorën më tepër ishte përçarja në mes të popujve me anë të shovinizmit. Valën e luftës nacionale që bënin popujt për lirinë e tyre, politika e ndyrë e Austro-Hungarisë dhe imperialistëve të tjerë, u përpoq ta kthejë në një dallgë luftërash shoviniste në mes popujve të Gadishullit Ballkanik.

     Pikërisht këtu u mbështet deviacioni i Lidhjes së Prizrenit, e cila gjë tjetër qe për popullin shqiptar dhe tjetër rrugë i dhanë imperialistët austriakë, turq, italianë etj. Nga ky deviacion doli platforma politike e reaksionit në Shqipëri: “Lëre Turqinë e bjeri Shkjaut! Turqia s’e ka të gjatë, por ne jemi në rrezik nga sllavët! Austria do t’i japë Shqipërisë autonominë dhe lirinë!”.
     Mbi këtë platformë politike është ngritur “Lahuta e Malcisë”. Ajo merr të këndojë mbi argumente luftarake të kohës së Rilindjes sonë Kombëtare, por këto argumente s’janë kombëtare, pse s’janë të vërteta: ato nuk shprehin realitetin historik të vendit tonë, ato nuk shprehin ndjenjat patriotike të popullit tonë; ato janë falsifikime të historisë, janë dhunimi i parimeve nacionale më elementare.
     Populli ynë kishte gjarprin në gji, kishte ujkun e pangopur imperialist, Turqinë, që po i pinte gjakun prej shekujsh, dhe “Lahuta” e Fishtës del e i tregon popullit gjurmën e një ujku tjetër që mund ta hajë ndonjëherë! Ujqër të tjerë imperialistë i kërcënoheshin vendit tonë: Austro-Hungaria e Italia, dhe “Lahuta” e Fishtës këta na i quan pëllumba të perëndisë, lajmëtarë shpëtimtarë të lirisë dhe pavarësisë shqiptare! Populli donte çlirimin nga Turqia dhe nga veglat e saj të ndyra, feudalët, dhe “Lahuta” e Fishtës çdo liri, çdo përparim, çdo të ardhme të Shqipërisë e ka mbështetur mbi këtë klasë gjakpirëse, e cila atdheun, lirinë, autonominë e përparimin i shihte vetëm në trastën e tagjisë të imperialistëve të huaj.

     Shovinizmi, feudalizmi, patriarkalizmi e klerikalizmi me instinkte inkuizitore janë ngjitur së bashku te ky frat i perëndisë dhe kanë pjellë “Lahutën e Malcisë”, e cila në esencën e saj përbën veprën më reaksionare të krejt literaturës sonë dhe një nga veprat më reaksionare të mbarë literaturës botërore të të gjithë shekujve. Bile, për më tepër atë në disa pika, si p.sh. në instinktet shtazërisht katile kundër atyre që Fishta i ka deklaruar armiq, “Lahutën” e karakterizon një kanibalizëm i pashembullt në historinë e literaturës së përbotshme.

     Shovinizmi i Fishtës mbështetet mbi përçarjet raciale e fetare, mbi politikën “dividet et impera” politikë që ai e ka mësuar mirë nga agjentët e imperializmit dhe në “Lahutën” e tij e ka bërë “credo”:
“Un Shqyptàr, ata janë Shkjé:
“Né na dàn nji gjak e ‘i fé:
“N’mni t’shoshoqit kemi lé:
“Kem’ ndërmjet nji qiell e ‘i dhé!...
     (“Lahuta e Malcis”, f. 149-150)

S’ka marrëveshje në mes të popujve; ata i ndan gjaku, feja e kufijtë! Ja mjetet me të cilat klasat sunduese kanë larë botën në gjak për shekuj. Ja një poet i këtyre klasave, Fishta!
     Në Shqipëri sundon Turqia dhe i pi gjakun popullit tonë. Por kjo gjë i ngjau për sa kohë edhe Malit të Zi. Kështu të dy popujt kufitarë i bashkonte pa tjetër kauza e çlirimit, por Fishta s’do të dijë për marrëveshje në mes të këtyre popujve, ai është armik i betuar i të dyve. Po të ngjasë që Mali i Zi të bjerë në Shqipëri dhe duke luftuar krah për krah me shqiptarët kundër të njëjtit armik, siç u kishte propozuar sa herë krerëve të Shqipërisë së Veriut vetë Knjaz Nikolla dhe luftëtari progresist Mark Milani, për Fishtën është vdekje. Është vdekje sepse kjo do të ishte kundër interesave të feudalëve të vendit tonë. Një i tillë, Ali Pasha i Gucisë, vegël e imperializmit otoman dhe feudal shtypës i popullit tonë, kështu e porosit të shoqen kur ndahet prej saj:
 
“Por në kje se Mali i Zì
Erdh e rà kurr në Gucì,
Dér sà t’jét djali kerthi,
Pàsh njàt Zot, qi të ka falë,
M’a ndigio ti, grue, nji fjalë:
Bane zemren gùr e krep,
Premia djalit kryet në djep”
(Lahuta, f. 83)
 
     Kështu urdhëron pasha, pse humbja e Turqisë është humbja e tij, pse jeta e tij prej klase është e lidhur këmbë e kokë me Turqinë. Populli i Malit të Zì është vdekje për të, sepse edhe në Shqipëri ka një popull, ka një klasë të shtypur, që mund dhe do të lidhet domosdo me popullin fqinj për t’i dhënë fund robërisë së imperializmit otoman, dhe kështu mbështetja kryesore këlyshëve të tij, pashallarëve e bejlerëve, do të rrëzohej.
     Kështu Fishta, agjent i të gjithë imperialistëve, “Poet Kombëtar” i feudalëve, nuk e do lirinë e asnjë populli, sepse ai nuk do lirinë e vetë popullit shqiptar, ku është lindur.
 
“... Po, Mali i Zì,
Para hupë, e hapët! ...”
(Lahuta, f. 394)
 
“Njekshtu Shkjau-he ati i hupët fara!”
(Lahuta, f. 404)
 
Ja si e kupton dhe e këndon Fishta problemin kombëtar: popujve t’u humbet fara, të jenë në armiqësi të përjetshme dhe kështu klasat sunduese të mbeten përherë në fuqi!
Pasi Fishta vë si platformë të politikës së tij shoviniste, armiqësinë e përjetshme në mes popujve, dhe në rastin konkret në mes popullit tonë dhe sllavëve, ai duke shtrembëruar, e shumë herë edhe duke falsifikuar kryekëput historinë, çështjen kombëtare e shtron dhe e këndon vetëm në prizmin e luftës për vdekje kundër “Shkjaut”.
    
Në episodet e ndryshme të luftërave që përshkruan në “Lahutën e Malcisë”, Fishta i kalon edhe kufijtë e urrejtjes: bëhet kanibal. Ai, si agjitator kriminal i politikës kriminale të imperializmit dhe klasave sunduese të vendit tonë, në “Lahutën” e tij ka përshkruar mizori aq të ndyra që njeriun e degradojnë në kafshë. Njerëzit në luftën shqyhen njëri me tjetrin si tigrat e panterat, karakteristikë e kanibalizmit të klasave sunduese. Përpara skenash të tilla ndjenjat e popullit, qoftë edhe të një populli të prapambetur, revoltohen.
(Vijon…)


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Britania miraton me shumicë votash ligjin për eutanazinë

Britania miraton me shumicë votash ligjin për eutanazinë