Letra nga burgu për Ramiz Alinë: Shumë çështje për demokratizimin e jetës së vendit shtrohen të cunguara e jo të qarta

Letra nga burgu për Ramiz Alinë: Shumë çështje për demokratizimin e jetës së vendit shtrohen të cunguara e jo të qarta

Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cenuar e dhunuar të tjerët.

Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.

Lidhur me masat për përsosjen e demokratizimin e legjislacionit, për të cilat u fol më Plenumin e X-të, të Komitetit Qendror dhe në sesionin e fundit të Kuvendit Popullor, përjashtuar:

Krijimit të Ministrisë së Drejtësisë.

– Krijimit të avokaturës.

– Shfuqizimit të dekretit për internimet e dëbimet, si masa administrative, që në pamje të parë duken konkrete (si do të jenë e do të ndodhë në praktikë, kjo do të shihet më vonë), si dhe të tjerat – ato rreth disa-ndryshimeve në Kodin Penal, për: – Krijimin e institutit të rehabilitimit ose heqjen e dënimit.

– Vendosjen e institutit të lirimit para kohe me kusht.

– Përmirësimin e dispozitave që u referohen krimeve kundër shtetit.

– Uljen e dënimeve me vdekje në Kodin Penal, nga 34, në 11 raste, duket hapur se në këto, ka shumë gjëra të diskutueshme e të paqarta, si për zhurmë, por që nuk sjellin ndryshime thelbësore.

Po shpjegohem: Duke lexuar raportin e paraqitur në emër të Këshillit të Ministrave nga zëvendës kryeministri Manush Myftiu, në sesionin e fundit të Kuvendit Popullor, të heqin vëmendjen dhe nuk mund të kalohen ashtu lehtë, thënie të tilla:

– Legjislacioni ynë i të gjitha niveleve, ka ndjekur vijën e zhvillimit të shoqërisë dhe u është përgjigjur kërkesave të kohës.

– Praktika e vendit tonë, tregon se roli edukues i shoqërisë, ka qenë më efektivitet të madh dhe shumica e personave që kanë vuajtur, janë përmirësuar, punojnë e sillen mirë në shoqëri!

– Internimi dhe dëbimi, si masa administrative, janë vendosur në vendin tonë, në rrethana të caktuara dhe për kohën e tyre, u kanë shërbyer mbrojtjes e forcimit të rendit shoqëror.

E vërteta nuk është kështu. Asnjëra nga këto nuk qëndron, gjithçka flet të kundërtën. Njerëzit e dinë mire, si është vepruar. Askush nuk i pranon këto lloje shfajësimesh. Le të thuhet e vërteta! Koha kërkon moralitet edhe në politikë.

Në qoftë se; “u është përgjigjur kërkesave të kohës”, atëhere duhet të themi, se edhe likuidimi i Ministrisë së Drejtësisë, si dhe i avokaturës, në vitet ‘60-të, është një kërkesë e kohës! Jo, këto masa kur u morën, qenë të padrejta, në vazhdën e gjithë të tjerave, një nga kulmet e tyre, prandaj u korrigjua.

Po ashtu, nuk mund të flitet për ndonjë lloj “roli edukues”, në kampet e burgjet, jo e jo, – në to ka ekzistuar një gjendje terrori e keqtrajtim i pashembullt, mjaft të numërohen sa kanë vdekur, janë çmendur, janë vrarë e kanë shkuar deri në vetëvrasje, veç të sëmurëve. Por, edhe pasi kanë kryer dënimin e kanë dalë nga burgjet, i ka rrethuar një diskriminim a izolim, që vështirë të tregohet me fjalë.

Kurse ai super komision antikushtetues e mbi ligjor, i dëbim-internimeve, ka kaluar dhe si të internuar e si të dëbuar, me mijëra të tjerë, ndër të cilët edhe gra e fëmije. (Është e njohur se; kur parlamentit të Perandorisë Osmane, më 1911, iu paraqit një projekt-ligj, sipas të cilit nëse një anëtar i familjes, bënte pjesë në një nga çetat që luftonin atë kohë, për liri e pavarësi, t’u internohej familja, nuk u miratua. Dihet, gjithashtu, se në kohën e pushtimit fashist italian e gjerman, familjet tona, ndër to e imja e jotja, e mijëra partizanëve, edhe e krerëve tanë të asaj kohe, nuk u internuan, as pësuan gjë).

Jo, masa të tilla nuk u “kanë shërbyer mbrojtjes e forcimit të rendit shoqëror”, por i kanë dëmtuar rëndë. Nuk po zgjatem më tej, kaq janë mjaft për të shkuarën. Le të hedhim sytë tani te e ardhmja, sado që nuk ndahen njëra nga tjetra, lidhen në mes tyre, pra edhe qëndrova tek sa më sipër, që të vija tek sa më poshtë: Lind pyetja: vërtetë po hyjmë në rrugën e një shteti juridik si flitet? Ashtu qoftë, këtë duan dhe po e presin të gjithë, i madh e i vogël. Se të jemi të hapur, nuk jemi akoma. Edhe vetë masat që u pa e nevojshme të merren, ashtu të cunguara, për atë flasin.

Duhet të jemi të drejtë e të saktë me të tjerët, edhe me veten, e vërteta duhet thënë siç është. Nocioni për shtetin juridik, është diçka i njohur, ai mbështetet te disa kritere të përcaktuara. Me të kuptohet, vendosja e një raporti të drejtë midis shtetit dhe individit: shteti, si një tërësi normash ligjore e organizmash që garantojnë liritë e të drejtat e njeriut, ndërsa individi si i lire, që vepron në bazë të këtyre normave.

Një raport ky, që realizon si në kuptim e në praktikë, “kontratën shoqërore” të Rusoit, midis shtetit – si angazhim ligjor, dhe individit-si qenie me arsye, nga e cila lind marrëdhënia juridike, midis shtetit dhe individit – të drejtave e detyrave të administratës shtetërore, me të gjitha organizmat e saj, si elementi faktik i rendit, dhe të drejtave e detyrave të individit si subjekt.

Në këtë aspekt, që këto marrëdhënie juridike të jenë të moralshme, gjen shprehje koncepti universal i të drejtave të njeriut, në çdo kohë, vend e shoqëri, pra edhe tek ne. “Teorizimet” që janë bërë e bëhen, çojnë, siç edhe kanë çuar, në largimin nga parimet e mirëfillta të shtetit të sotëm dhe në dobësimin e pozitave të tij. Thashë gjëra të njohura, por që të mos kujtohet se këto s’dihen, të paktën nga intelektualët.

            28 maj 1990

    NE PRAG TE KTHESËS

Këto janë tri letra që i dërgova: të parën, në prag të ngjarjeve të dhjetorit 1990; të dytën e të tretën, – në prag të zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Të fundit, vetëm 6 ditë para se të dilja nga burgu.

Merr: Ramiz Alia

Sekretar i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së.

Kam ndjekur e kam lexuar me vëmendje, si nga hera dhe ca më shumë, çfarë është folur e botuar rreth zhvillimeve demokratizuese para e pas Plenumit të XII-të të Komitetit Qendror dhe sesionit të 8-të të Kuvendit Popullor, kuptohet me sa më lejojnë kushtet në të cilat ndodhem.

 

Ju kam shkruar edhe herë të tjera, po nuk di nëse letrat e dërguara, kanë arritur deri tek ju dhe si m’keni quajtur. Nejse, kjo është puna juaj. Unë bëj timen. Kësaj radhe, më lindën disa shqetësime, pra edhe i formulova sa munda, më përmbledhtas, duke gjetur mënyrën e mëposhtme në formën e pyetjeve, për t’i paraqitur ato. Nuk di nëse është më e përshtatshmja dhe sa do t’ja arrij?

U mata një herë, por pastaj thashë: pse të mos ja dërgoj? Derisa flitet për pluralizëm, e vjelje të mendimeve nga më të ndryshmet, të shkojnë edhe këto, të para nga një këndvështrim tjetër, më të çliruar nga kufizimet, dogmat e skemat e rutinës, duke qëndruar vetëm në disa nga çështjet, ato që i quaj kryesore për tani. Kështu dua edhe të m’merrni.

Në qoftë se në ndonjë gjë do të dukem i nxituar, e i skajshëm, kjo vjen nga se shprehem më hapur, gjë që të tjerët e kanë të vështirë – s’e bëjnë (apo ndoshta e bëjnë dhe unë s’e di). Pas kësaj hyrjeje, që e quajta të nevojshme, po filloj:

Pse nuk u shkua në mbledhjen e KSBE-së së Parisit, njëlloj si në atë të Helsinkit, 15 vjet më parë, cilat ishin kushtet për pjesëmarrjen atje, si për të tjerët edhe për ne (mirë është të botohen dokumentet kryesore të saj, siç kërkonte disa ditë më parë edhe një lexues në “Zërin e popullit”); pse Shqipëria nuk i plotëson ato, çfarë nuk pranon dhe përse?

E pra, që nga mbledhja e Kopenhagës, kur vajtëm për herë të parë si vëzhgues, pat mjaft kohë që të merreshin masat e, të viheshin në jetë ato, jo gjysma-gjysma, siç po ndodh, por të plota; si mund t’i shpjegohet kjo popullit, që pyet pse u ndamë nga të gjithë ato qe shkuan (vetëm ne jo, si vend Evropian), bota sot, e cila s’ka si të na kuptojë, edhe historisë nesër?

Në Plenumin e XII-të të Komitetit Qendror, lidhur me politikën e ndjekur për një nga çështjet më të ndjeshme sot – atë të të drejtave të njeriut, u tha: “Kjo politikë vendosi statusin politik, të barabartë për të gjithë qytetarët pa dallime race, krahine, besimi e kombësie”, duke hequr fjalën “ideje”, siç ka qenë gjatë luftës dhe e tillë pas Çlirimit.

Si duhet kuptuar kjo: konfirmim i një fakti, apo edhe si mendim se mund të ecet akoma, po njëlloj, me kufizime e ngushtime, si ato të mëparshmet, të cilat kanë sjellë kaq dëme, dhe koha e tregoi?

Flitet edhe se; “Partia kurrë s’ka qenë, e nuk do të jetë dogmatike”.

Por sa është e saktë kjo, në të kaluarën, kur dihet dhe është bërë e qartë, për ç’ka flasin edhe zhvillimet e masat demokratizuese të sotme, në të gjithë jetën e vendit, se të parit ngushtë, ngurtësia e mendimit, mungesa e debatit dhe e tolerancës, kanë qenë sëmundjet shoqëruese, prej më se katër dekadash dhe se asnjëherë me parë, nuk është bërë një luftë për të qenë kundër tyre, është vepruar në të kundërtën, nën etiketat e njërit ose tjetrit “gogol”, si: rreziku i jashtëm, ndikimet borgjezo – revizioniste, liberalizmi etj., duke u dhënë lloj-lloj kuptimesh e interpretimesh, sipas nevojave të rastit.

Vihet në dukje se; “akoma i paguajmë haraç padijes” dhe kjo përsëritet, po nuk qëndrohet te shkaqet, çfarë ka penguar e pengon?!

Pse nuk flitet si është e vërteta, për atë politikë të ngushtë e sektare me kuadrin, mbi të dhëna biografie, që ka vënë e mbajtur deri në udhëheqjet më të larta të partisë e të shtetit, njerëz të paditur, të cilët nuk i donin e ua kishin frikën të aftëve, njerëzve të dijes, të kulturës e të shkencës (shtypi ka nisur të thotë ndonjë fjalë, por vetëm si fakte, për atje poshtë), si dhe për atë mbyllje e izolim të gjatë, të cilat çuan dhe pasojat që dimë, në fusha e drejtime të ndryshme?

 

U fol kësaj radhe më hapur, se edhe gabime kemi patur, për ç’ka po flitet aty – këtu, edhe në shtyp, por kalohet lehtë e me fjalë të përgjithshme, sado që çështjet e cekura, janë serioze, deri në planin teorik. Pse nuk goditen, edhe me një qëndrim autokritik, pasojat e dëmet, sepse vetëm kështu mund të ndreqen e të mos përsëriten; përse nuk thuhet, edhe se për mendime të shprehura kundër tyre, ka patur viktima, si dhe ç’mendohet për ta tani?

Përmendet herë pas here, fjalimi i 26 shkurtit 1972 në Mat, në një artikull, është quajtur edhe si edicion i parë i proceseve të sotme, kur dihet që menjëherë u neutralizua, nga kush e përse, kjo dihet, dhe pa kaluar as dy muaj, në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror më 24 prill, u fol ndryshe; pse nuk qartësohet që; fill pas kësaj, gjithçka mori kahun e kundërt, në të gjitha drejtimet, me plenumet që ndoqën, duke çuar në ato pasoja të rënda, tashmë të njohura, për të cilat koha foli fort dhe akoma s’po ndreqen?!

Është folur, u tha edhe në plenumin e lartpërmendur, se “pluralizmi i mendimit, ka qenë i pranishëm edhe në të kaluarën në jetën tonë”!

Por gjersa dihet, që ai nuk është lejuar, aq sa edhe si fjalë nuk përdorej më parë, (mjaft të shihet shtypi i kohës për këtë), kur edhe për çdo mendim të ndryshëm, pale të kundërt me atë zyrtar, e pësojë keq, si edhe ka ndodhur; s’e di për cilët thuhen këto, përse duhet dhe sa shërben, derisa është fjala për një traditë të re, të porsa nisur me proceset demokratizuese të fundit?

Lidhur me ekonominë e vendit, u tha se; “ajo ndodhet në kufijtë e një gjendjeje të jashtëzakonshme”, në gazetat flitet edhe për; “rënie të ritmeve të zhvillimit”, për pakësimin e investimeve”, “uljen e rendimentit shoqëror e të ardhurave kombëtare”, “shfaqjet e inflacionit”, etj., dhe këto prej 10-15 vjetësh-përse nuk qëndrohet me analiza ekonomike, për të gjetur shkaqet që çuan në këto e të tjera dhe si mendohet të delet nga ato, çfarë pengon, ç’masa janë në program e, duhen marrë akoma?!

Lihet të kuptohet, herë hapur herë jo, se vendi e populli te ne, nuk janë aq të ngritur, të përgatitur e të pjekur, nuk kanë edhe tradita për debatin, proceset e thella demokratike, pluralizmin, etj., del pyetja: ka qenë më i ngritur në vitet ’20-të, apo sot? Pastaj; pse s’është përgatitur, ç’e ka penguar, kur e si, do të bëhet pjekja, a është e saktë që nuk ka tradita, pse të mos thuhet se, ato janë frenuar nga sistemi, nga prapanikët e të pushtetshmit (me tiparet e një farë oligarkie), të cilët veshën kostumet e atyre që mundën, i hipën në qafë vendit, sa si morën edhe frymën?!

Bie në sy se shumë çështje që trajtohen sot, lidhur me proceset e demokratizimit e të emancipimit të të gjithë jetës së vendit – nga të drejtat e njeriut, shteti juridik, reformat në strukturat ekonomiko-politiko-shoqërore, e me radhë, shtrohen të cunguara e me formulime jo të qarta, siç bëri aty më parë, Foto Çami, kur foli; “për të drejtat e njeriut punonjës” dhe aq; ose tani se fundi, në konferencën e talenteve të reja në Korçë, kur tha se; “pluralizmi i mendimit, është alternativa jonë, ndaj pluralizmit partiak”, se fjalët nuk pasohen me vepra, ose këto mbeten rrugës, pra edhe njerëzit (brenda vendit e më tej), që i vënë re dhe i kuptojnë, pyesin: pse u dashka dhe deri kur do të ecet me të tilla luhatje, të bëhen edhe dredha, përse duhen këto akoma?!

Pse mbahem ende në burg, kur koha në zhvillim, ka hedhur poshtë akuzat e bëra dhe ka vërtetuar të kundërtën, si pajtohet kjo me proceset e demokratizimit dhe të emancipimit, për të cilat flitet, a mendohet se edhe kjo çështje e të burgosurve politikë, është një plus, në atë që i bëjnë të diskutueshme shumë, gjoja masa, lidhur me proceset e nisura, mitin mosbesimin, kujt i bëhet qejfi akoma, ç’ekuilibre kërkohen; a mund të hidhen hapat që priten, me trashëgimi e mbetje të tilla, nga një e shkuar e tillë dhe nga pa ligjësitë e ndodhura, prej të cilave, duam të shkëputemi me vendosjen e shtetit juridik e, proceset e demokratizimit të pandalshëm e te pakthyeshëm?

                                                                          ***

 

Mund të kisha edhe të tjera të cilat rrahin te thënia e të vërtetave dhe ndreqja e sa u bënë keq. Ka njerëz që kanë edhe më shumë mbase. Nuk e di nëse kjo letër do të arrijë deri te ju, nuk e di edhe si do të ma quani, por e di që këtë mund të mos e marr vesh kurrë, e di edhe që nuk do të më përgjigjeni. Por të jeni i bindur që ju flas hapur sepse kam plot arsye e të drejtë të mendoj e të shqetësohem për çështjet e zhvillimit të vendit.

Askush s’ka si të ma ndalojë këtë, t’ua shpreh ato edhe juve, siç po bëj. Në mbyllje po përsëris, se ju kam shkruar edhe një herë tjetër: domosdonë e atij raporti që duhet vendosur kurdoherë midis lirisë, ligjit e forcës, që përbën bazën e një shteti ligjor e demokratik.

Kosovë e Madhe, 26.11.1990 

Merr: Arben Puto

Kryetar i Forumit për të Drejtat e Njeriut dhe Lirive Themelore

Pasi u mendova dhe e rraha çështjen, vendosa t’ju shkruaj këtë letër, lidhur me sa do radhis më poshtë.

Më falni për bezdisjen. Pse pikërisht juve dhe pse tani?

– Se si qytetar, intelektual, krijues edhe si i burgosur politik, më janë të shtrenjta të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Kam qenë, jam, i çmoj dhe prirem drejt tyre (dikur, më 1973 e më pas, këto m’kanë quajtur liberalizëm, siç dihet);

-Se kam përshëndetur, që në ditët e para Forumin e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, edhe pse ngriti menjëherë, çështjen e lirimit të të burgosurve politikë, i mbështes parimet, qëllimet dhe veprimtarinë e tij me bindje e besim, në rolin që mund e do të luajë ai, për demokratizimin e jetës së vendit,

– Se mbasi, u jam drejtuar prej kohësh e disa herë organeve shtetërore përgjegjëse, që nga Gjykata e Lartë e, deri te Presidiumi i Kuvendit Popullor, me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, për dënimin e padrejtë dhe nuk kanë bërë asgjë, e quajta me vend, t’ju drejtohem juve dhe opinionit publik;

– Se jam i mendimit, që në këto kushte, lirimi nga burgu dhe kthimi i të drejtave të mohuara si qytetar e si krijues, mund të arrihet, jo nga vullneti i pushtet mbajtësve sot, por me imponimin, që do t’u bëjnë atyre forcat demokratike, organizmat e tyre dhe veprimi i masave nga poshtë – le të gjykojnë e të flasin ato për të vërtetën./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve