Letrat e Gurakuqit: Gazetat jo për
sulme personale po për kombin

Letrat e Gurakuqit: Gazetat jo për<br />sulme personale po për kombin
Kritika në gazetat dhe revistat e gjysmës së parë të viteve ‘900 ka qenë mjaft e spikatur. Intelektualët e kësaj periudhe shpesh e gjenin veten ne polemika të ashpra me njëri-tjetrin në faqet e shtypit si për çështje politike, sociale, kulturore, patriotike e deri në çështje të ngushta personale.

Kjo atmosferë reflekton pothuajse në të gjithë botimet e këtyre viteve.

Tre letra të këmbyera mes Luigj Gurakuqit e Sotir Gjikës në nëntor-dhjetor 1919 trajtojnë pikërisht këtë temë. Gurakuqi i shkruan Sotir Gjikës, drejtor i gazetës “Kuvendi” në Romë se në gazetën e tij me pa të drejtë po vihej në lojë emri i Mustafa Krujës, mik i Gurakuqit, por njëkohësisht edhe i Sotir Gjikës. I diplomuar në Stamboll, Kruja “vihej në lojë” në një shkrim të botuar në gazetën Kuvendi pse përdorte gradën “doctor”. Gurakuqi shpjegon se kjo “tallje” ishte bërë edhe në një takim ballë përballë me shqiptarë të tjerë në Itali nga Lef Nosi, ndaj ai s’kishte dyshime se kjo situatë e kishte origjinën pikërisht aty. Gurakuqi tërheq vëmendjen se nuk është koha të hahen me njëri-tjetrin për detaje të kësaj natyre por të bashkohen e ta përdorin shtypin në interes të çështjes kombëtare.
Tre letrat janë shkëputur nga libri i sapobotuar “Sotir Gjika: DETYRA  IME  MBARON  ME  JETËN TIME”.

Tre letrat
Paris, 22 nânduer 1919
I dashur mik, Zotni Sotir Gjika,
drejtuer i gazetës “Kuvêndi”, në Romë.
 

I shtyrë nga disa vërejtje qi këndova në numrin e fundit të gazetës “Kuvêndi” nën titullin “Për ca gjëra me shpejtim” po vij edhe një herë të heq miqsisht kujdesin t’uaj mbi qëllimin që duket se kanë disa njerës që të përdorin shtyllat e fletores s’uaj për të rrëzuar në sy të popullit atdhetarët t’anë më të mirët e më të vjefshmit që të mund të shuajnë kështu pengimin që këta mund t’u sjellin për të hipur lart.

Shigjetat më të parat të këtyre njerëzve u drejtuan kundër Z. Salih Gjukës, tashti kanë zënë e po hedhin gurë kundër Z. Mustafa Krues. Është fare kot të mundoheni për të më mbushur mendjen se përqeshjet mbi titullin “Doktor” nuk i përkasin këtij, përse disa miq t’ardhur nga Roma po më sigurojnë se për këtë punë ishte folur edhe më përpara e po më tregojnë edhe emrat e atyre që u kanë dhënë shkak këtyre fjalve.

Jam tepër i lirë nga mendimet që të dëshiroj heshtjen e pushimin e ç’do kritike, po kërkoj edhe qi kjo të jetë e drejtë dhe e arsyeshme. Sidomos duke ditur mirë gjëndjen e sotshme të Shqipërìs e duke paraparë luftat e rrebta që na presin kundër armiqvet të kombit të mbrendëshëm e të jashtëm, besoj se do t’ishte nji faj i math prej anës s’onë po të nisnim të hithnim poshtë, pa të drejtë, nderin e atyre që kanë vuajtur, po vuajnë e që do të jenë kurdoherë gati të bëhen therorë për të mirën e Atdheut.
Më fort se për njerëz me mësime tepër të lartra, Shqipëria ka nevojë për burra të mentshëm e me karakter të shëndoshë, ashtu si janë treguar gjithnjë ZZ. Salih Gjuka e Mustafa Kruja. Për sa i përket titullit të përdorur prej Z. Mustafa Krues, nuk ka asnjë dyshim se ky mund të dëshmojë të drejtën e vet me diplomën që ka marrë prej një shkolle të lartë; por ata, që tallen me tê, nuk dij a mund të provojnë, me sjellën e shkuar e të sotshme të tyre, në a kanë të drejtë të përdorin për vete fjalët: “patriotë të pastër nga duart dhe nga morali!”.

Jam i mendimit se, në vend që të humbim kohën me polemika të dëmshme, sot kemi një detyrë shum më të rëndë, që është përpjekja për shpëtimin e atdheut fati i të cilit nuk është akoma dalluar. Do t’i shkruaj pra Z. Mustafa Krues që të mos u vejë vesh atyre të tallurave të kota; po, në tjetër anë, marr lejen të ju lutem miqësisht edhe Juve që të mos u bëni vent në shtyllat e gazetës s’uaj disa çështjeve që mund të lihen për më vonë pa i sjellë asnjë dëm lëvizjes kombëtare.
Duke njohur kthjelltësìn e zemrës s’uaj mora guximin të Ju bënj këto vërejtje fjesht miqësore e konfidencjare, edhe jam i siguruar nga miqsia e juaj se do t’i mirrni në kujdes e do të më tregoni edhe mendimin t’uaj mbi to.
Ju lutem t’i paraqitni Zonjës ngjatjetimet e mia me nder. Ju pëlqeni shëndetet e mia më të nxehtat.
I juaji
 
A. Q. SH. F.34 D. 34 Fl.30
Roma, 16 dhjetor  1919

 
I dashur mik,
Mezi pra munda sot t’ju përgjegjem (kam edhe zojushën e zyrës të sëmurë nga një sy) e t’ju falem me nder shumë për letrat e për artikullin e bukur. S’kam dyshim se do mos ju vijë rëndë t’i u fali me ndér, nga ana ime edhè shokëvet t’uaj të ndershëm që deshën t’a nderojnë Kuvêndin me shkrimet e tyre të çmuara.
Ratë jashtë duke besuar se nota mbi doktorët u botua kundër Mustafajt e bëtë liksht q’i shkruat të mos zëmërohet etj. Unë Mustafanë e kam pasur shok, e kam mik të dashur – miqësi të cilën i a kam provuar me punë. Ju e dini. Në qoftë pra se Mustafaj kujton se unë s’jam më për të ay q’ishe sot e dy vjet e ca e gjer dje, më qafë pastë vehten.

Kini parë se edhè pas letrës s’uaj kam botuar artikuj kundër emërimit të Salih Gjukës si Drejtor i Përgjithshëm i Mësimit. Unë s’e njoh fare Gjukën, as si njeri e as si kompetencë. S’kam arësye pra të mos i peshoj ato që patët mirësinë të më shkruani për tê. Madje do t’i shihni të botuara, pa treguar, natyrisht, burimin. Me gjith’atë unë s’mund t’i a mbyll derën kritikës së mirë. Ju shkruaj që mos t’ju shkojë mêndja se mos e’kam këputur rript e s’dua të dëgjoj ç’më thonë miqtë. Më thotë vehtja se me miqt’e mirë dhe me patriotët e mirë jam fare i pa egjër.

Edhè pakë fjalë mbi gjendjen. Duke mejtuar, kam arrirë t’i jap funt me vehten t’ime se Konferenca e Parisit do të mos jetë e zonja t’i japë botës paqen e dëshëruar. Përpara debâcle-t të diplomatisë popujt mbeten pra pleq të fatit të tyre. Gjer atje ku kan’arrirë punët më duket se Dërgata jonë kot e humbet kohën duke vazhduar së ndênjuri në Paris. Mbase fatin t’onë do t’a kenë mbaruar së pleqësuari dhe do t’a kenë shënuar midis syresh ata të cilët i gënjen mêndja akoma se po janë arbitrët e botës. Për delegatët t’anë ka shumë punra në Shqipëri. Të shumën aty munt të mbeten 2 a 3. Pas mêndjes s’ime, problem’i ynë zgidhet në Shqipëri me dorë dhe vullnetin të popullit. Si mjerë nè në pritshim akoma derman nga mëshira e Konferencës. Duhet të punojmë brênda në Shqipëri. Kur t’a ketë shënuar populli shqiptar udhën që duhet të ndjekë, kundër vullnetit të tij të papërkulur do të hapet çdo forcë q’i pengon vrapin.
Ime shoqe ju falet me nder e Leka ju puth dorën.
Juaji me dashuri,
Sotir Gjika (firma)
 
Zotit L. GURAKUQI
81, Rue de la Boëtie, 81
Paris
A. Q. Sh. F.34 D. 35 Fl. 190


Paris, më 20 dhjetor 1919
I dashur mik, Z. Sotir Gjika
drejtor i gazetës “KUVÊNDI”, në Romë

Mora mbas shumë ditësh që e pritja letrën t’uaj më 16 të këtij muaji edhe po nxitonj të Ju përgjigjem që të Ju këshillonj më mirë disa pika të çështjes për të cilën Ju kam shkruar disa herë me radhë në këto kohët e fundit. Ju njoh shumë mirë edhe e dij se si e kuptoni miqësinë edhe lirinë e fjalës e të bisedimit, e pra munt të Ju flas sheshazi e pa nevojë dredhimesh e nënkuptimesh, ashtu si mund t’i flitet nji burri të ndershëm e nji miku besnik.
Ndonsè Ju më thoni se “rashë jashtë dyke besuar se nota mbi doktorët u botua kundër Mustafajt” unë prapë ngul mbi mendimin e përparshëm. Me këtê nuk dua të vê në dyshim fjalët t’uaja edhe e besoj plotësisht se Juve nuk Ju ka shkuar as nëpër mend se ato kritika ishin drejtuar kundër mikut t’onë të përbashkëm, po kjo nuk do me thënë se qëllimi i shkronjësit nuk ka qenë ai që thom unë. E ja përsè.

Ai, të cilit i vajti mê parë mendja se nota e përmendur ishte drejtuar kundër Mustafait, qe Z. Lef Nosi, i cili e lidhi kuptimin e tij me këto fakte. Z. Lef Nosi na tregoi se kur paska ardhur Mustafai në Romë në Korrikun që shkoi, paska shkuar e i paska lënë një kartë vizite auktorit të notës i cili, jo vetëm që nuk i a paska këthyer, po qenka tallur në mes të shqiptarvet me titullin “doktor” të përdorur prej Mustafait. Po ato fjalë e ato të tallura që Z. Lef Nosi kishte ndëgjuar në Romë mbi kurrizin e mikut t’onë, i gjeti pikë për pikë në notën për të cilën flasim. Përveç këtij fakti të pakundërshtuarshëm, duhet të vërejmë edhe se nota e dënuar nuk kritikonte përgjithësisht Shqiptarët që titullohen “doktorë” po vetëm ata që kanë dalë nga Sholla e Shqensavet politike e shoqërore të Stambollit. Cilët janë Shqiptarët e tjerë, përveç Mustafait, që kanë dalë prej kësaj Shkolle e që përdorin titullin “doktor” në kartat e tyre?

Po përsërit edhe një herë se unë nuk e vê kurrë në dyshim kthielltësinë e mendjes e të zemrës s’uaj në këtë çështje, po dua të besonj edhe se, mbas këtyre shkoqitjeve, edhe Juve do të Ju mbushet mendja se auktori i notës nuk ka pasur qëllim tjetër veçsè që të tallej me Mustafanë, e se vetëm këtë kuptim i kanë dhënë notës të gjithë ata që njohin djallzinë e auktorit të saj e që dijnë se si kanë rrjedhur punët.

Sot kam të Ju bënj edhe një vërejtje tjatër për sa i përket numrit të veçantë të gazetës që keni nxjerrë në rasën e të kremtes kombëtare. E dij mirë se jam duke u mërzitur herë për herë me vërejtje këso dore, po, mbasi janë për të mirën e Atdheut e mbasi Ju vetë më keni dhënë lejen, nuk po Ju a kursenj edhe kësaj here.
Është e ditur se traditat e një populli nuk i përgjigjen kurdoherë historisë së tij, po, me gjith këtë, të gjithë popujt sado të zhvilluar e të përparuar që të jenë, i ruajnë edhe i nderojnë këto tradita e me to ushqejnë zemrat e djemurisë së tyre. Kritika historike i flet ftohtësisht mendjes, në vend që traditat ushqejnë ndjenjat e zemrës pa të cilat një popull, cili do që të jetë, nuk mund të ngjallet e të formojë njësinë e tij kombëtare, e cila mbetet gjithënjë shkalla e parë e qytetërimit dhe e përparimit. Lufta e madhe që mbaroi na jep një shëmbëll të shkëlqyeshëm të kësaj të vërtete. (.....) 
L. Gurakuqi 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit