Prokurimi i veprës ka nisur në korrik të vitit 2006, pas një urdhri të nxjerr nga ministri i asaj kohe, Lulzim Basha. Në bazë të kontratës së punimeve të ndërtimit, Drejtoria e Rrugëve duhet t'i paguante firmës së ndërtimit vlerën fillestare prej 10% të projektit, i cili ishte gjithësej 42 milionë euro. Firma fituese, ku ishte administratore kunata e Fahri Balliut, mori 4.2 milionë euro paradhënie, por këto u paguan nga buxheti i shtetit dhe jo nga financuesit e huaj. Kjo, pasi kontrata për fillimin e punimeve ishte nënshkruar 7 muaj para ratifikimit nga Kuvendi të kësaj kredie me BERZH-in dhe BEI-n, konstaton KLSH.
Kryeministri Berisha është investuar personalisht përmes VKM-së nr. 621, datë 24.09.2007, për pagesën e nënkontraktorit me vlerën e mësipërme, çka, në mungesë të emergjencës, KLSH e quan si shkelje ligjore. Ceremonia e përurimit bërë me ngut ishte një përpjekje në kuadër të fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale, të caktuara në muajin shkurt 2007. Menjëherë pas prerjes së shiritit nga Berisha, BERZH dhe BEI ndërprenë çdo punim, duke këmbëngulur që të kryhet studimi mjedisor dhe të përfundojë projekti, para se të akordohen fondet. Ndërkohë, paratë nga firma Alpine ishin marrë nga thesari.
KLSH konstaton, së dyti, shkelje me shpronësimet, që, sipas marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend, duhej të ishin kryer përpara punimeve dhe jo pasi të kishin filluar ato. Shumëkush mban mend që banorët e fshatrave në Fier e Vlorë kanë bërë më se një herë protesta për të kërkuar dëmshpërblim për tokat e tyre.
Së treti, KLSH konstaton edhe ritme shumë të ulta të punës nga kompania, e cila tashmë kishte marrë nënkontraktorë shqiptarë, të komanduar në administratorë serbë (Sllobodan Markoviç dhe Marko Dimitrijeviç, si dhe kunata e Fahri Balliut, Blegina Agolli. "Edhe pse ndërtimi i kësaj rruge kërkon makineri të shumta, si dhe një staf të mirëorganizuar, vërejmë se mungojnë këto dy veçori, të cilat kanë qenë thelbësore që në kërkesat e tenderit. Pothuajse në gjithë gjatësinë e rrugës nuk punohej, shfaqej mungesë mobilizimi nga ana e kontraktorit, duke treguar papërgjegjshmëri për realizimin e projektit brenda afateve kohore të miratuara", thuhet në raport.
Të gjitha këto difekte, sipas ekipit kontrollues të këtij institucioni të pavarur, ngarkojnë me faj penal ish-ministrin Lulzim Basha.
Në fillim të vitit 2009, sipas raportit të Kontrollit të Shtetit, ishte realizuar vetëm 29 për qind e projektit dhe afati i përfundimit u shty për 15 qershorin e vitit 2010. Ritmet e punës ishin skandaloze dhe kompania realizoi në një vit edhe 13 për qind të projektit, duke e çuar rrugën në 42 për qind të saj. Sivjet është viti 2012 dhe rruga nuk ka përfunduar akoma. Përveç kësaj, mazhoranca në Kuvend sapo ka miratuar një fond shtesë 18 milionë euro, duke marrë dhe kredi të re nga ndërkombëtarët. Sipas hetimeve, shkak i vonesës ka qenë ritmi i ulët i punës së nënkontraktorit shqiptar, klient i qeverisë, ndryshimet e vazhdueshme të projektit dhe mungesa e shpronësimeve. Janë 12 urdhra mes ndërtuesit dhe porositësit, të cilat janë miratuar nga Drejtoria e Rrugëve që kanë devijuar tërësisht kostot e projektit duke i çuar ato në 18 milionë euro më shumë.