Lëvizja e lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Balla: Shqipëria i ka përmbushur detyrimet në kuadër të marrëveshjes së Procesit të Berlinit

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në përgjigje të interesit të deputetëve të Komisionit për Çështjet Europiane, për procesin e lëvizjes së lirë në bazë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me Kartë Identiteti në Ballkanin Perëndimor, deklaroi se ajo është përmbushur e tani jemi në fazën që duhet konsoliduar.

Ministri Balla bëri një panoramë të plotë të shtyllave kryesore të kësaj marrëveshjeje, qëllimeve, avantazheve që krijon, duke nënvizuar njëherësh edhe sfidat që dalin nga zbatimi i saj konkret në terren, për shkak të veçorive të sistemeve e procedurave që përdorin shtetet e ndryshme, pjesë e marrëveshjes.

Ministri bëri një kronologji në lidhje me marrëveshjen dhe shtetet pjesëmarrëse, duke saktësuar se kjo është një nismë diplomatike për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, e njohur si Procesi i Berlinit.

Në lidhje me këtë çështje, ai tha se “marrëveshja për lirinë e lëvizjes me Kartë Identiteti në Ballkanin Perëndimor, është nënshkruar në Berlin, më 3.11.2022, dhe ka hyrë në fuqi më 1.6.2023. Procesi i Berlinit nis me Konferencën e nivelit të lartë, të mbajtur në Berlin, më datë 28 gusht 2014 dhe është një iniciativë diplomatike për zgjerimin e Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.

Lëvizja e Lehtësuar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor me Kartat e Identitetit është një Marrëveshjeje Rajonale si një mundësi për një rajon më të bashkuar, të lidhur më mirë me njëri tjetrin dhe më shumë përfitime për qytetarët e tij".

Duke u ndalur në problematikat konkrete në lidhje me zbatimin e marrëveshjes, Balla përmendi rastin e Maqedonisë së Veriut, që lidhet me përdorimin e sistemeve të ndryshme të identifikimit në pikat kufitare.

“Një ndër problematikat që haset në PKK është unifikimi i identifikimit të udhëtarëve që kalojnë në kufi, sepse, p.sh., në rastin tonë me Maqedoninë e Veriut, në përdorim sisteme të ndryshme. Në rast se Shqipëria përdor sistemin TIMS, Maqedonia përdor një sistem tjetër. Unifikimi i tyre, në fazën që jemi, është i pamundur, prandaj dua të sqaroj qytetarët që kalojnë në këto pika që ka pasur vonesa, edhe pse kemi aplikuar parimin “one stop shop”, pra një kontroll të vetëm, përsëri problemi ka ekzistuar për shkak se për çdo qytetar që kalon, duhet hedhur në të dy sistemet, edhe në atë të Shqipërisë, edhe në atë të Maqedonisë së Veriut. Ky është sqarimi, se edhe pse kemi kaluar në këtë formë kontrolli, përsëri kemi pasur vonesa. Në komunikimin që kam pasur me Ministrin Spasovski, në momentet që ka pasur vonesa, kemi kaluar edhe në “lëvizje të lirë” do ta quaja, pa kontroll, duke regjistruar vetëm targat e mjeteve, për efekt të detyrimeve që të dyja palët kanë në kuadër të detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet që kemi me palë të treta".

Balla u shpreh më tej se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj në kuadër të marrëveshjes.

“Sa i përket këtij dimensioni të rëndësishëm të Procesit të Berlinit, për lëvizjen e lirë, besoj që jemi në fazën që mund të themi se kjo është arritur. Ajo që duhet tani, është që të konsolidohet zbatimi i saj, sidomos për çështjet që lidhen me luftën kundër formave të ndryshme të trafikimit, përfshirë dhe trafikimin e armëve", shtoi Ministri.

Duke folur rreth problemit të migracionit të paligjshëm dhe luftës kundër rrjeteve kriminale që tentojnë të zhvillojnë trafikun e klandestinëve, Balla tha se “në fazën që jemi, çështja më sfiduese është ajo e përdorimit të hapësirës së Ballkanit Perëndimor për rrugët e trafikut të emigracionit të paligjshëm. Prandaj për ta frenuar këtë fenomen duhet të rrisim bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Edhe Shqipëria është përdorur si rrugë, por numrat janë më të vegjël se ato të vendeve të tjera të rajonit. Policia e Shtetit ka goditur grupe të ndryshme kriminale të cilat shfrytëzojnë këtë mundësi për të krijuar të ardhura. Policia gjithashtu punon në bashkëpunim me strukturën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në mënyrë që të godasin çdo lloj korridori apo rrjeti trafiku të migracionit të paligjshëm, të shtetasve nga vendeve e Afrikës apo Azisë, drejt BE”.

Ministri tha se Shqipëria vazhdimisht ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në rajon. Interesi i saj kryesor është një rajon i qëndrueshëm, ku paqja, marrëdhëniet social-ekonomike dhe kulturore, si dhe marrëdhëniet e qëndrueshme të përfitimit të ndërsjellë me fqinjët të mbizotërojnë.

"Marrëdhëniet e mira të fqinjësisë dhe bashkëpunimi me vendet e rajonit dhe në veçanti, me vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë një nga prioritetet e politikës së jashtme shqiptare, sidomos, në kuadër të procesit të integrimit në BE”, nënvizoi Balla.


Lajmi kryesor:

Balla: Efektivët që kanë pasur akses në 'EncroChat' apo 'Sky' do përjashtohen nga Policia e Shtetit! Do ngrihet Forcë Kombëtare për sigurinë publike


SI.E./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës