TIRANË- Një çift nga Tirana kanë rënë në pranga pasi iu gjet 2 qese me heroinë në pjesën e kasetafonit të automjetit.
Lëvizjet e dyshimta të këtij çifti me makinë në “Sauk” kanë shtuar dyshimet te uniformat blu, të cilët e kanë ndalur makinën për ta kontrolluar. Pas kontrollit iu gjetën 2 qese plastike me lëndë të dyshuar heroinë, e përgatitur dhe ndarë në doza gati për shitje,(15.2 gramë), një shumë parash që dyshohet se i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe tre aparate celular.
Në pranga ranë - D. R., 26 vjeç, banues në Elbasan dhe Xh. P., 22 vjeçe, banuese në Tiranë. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.
Njoftimi i plotë i policisë
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Sauku”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë.
Sekuestrohet lëndë narkotike heroinë, një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 1 automjet si dhe 3 telefona celular.
Vihen në pranga 2 shtetas.Në vijim të punës për goditjet e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve , bazuar në informacionet se dy shtetas merreshin me shitjen e lëndëve narkotike heroinë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Sauku”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- D. R., 26 vjeç, banues në Elbasan dhe Xh. P., 22 vjeçe, banuese në Tiranë. Pas mbajtjes në vëzhgim të mjetit me të cilin këta shtetas po qarkullonin dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se në këtë mjet kishte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Saukut, kanë ndaluar mjetin për kontroll.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “OPEL”, me drejtues shtetasin D. R. dhe pasagjere shtetasen Xh. P., në pjesën e kasetafonit të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 qese plastike me lëndë të dyshuar heroinë, e përgatitur dhe ndarë në doza gati për shitje,(15.2 gramë), një shumë parash që dyshohet se i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe tre aparate celular.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.