Një 20-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi lëvizte me kallashnikov në çantë.
Stiven Faqolli, banues në fshatin Qukës, u kap me 1 armë zjarri kallashnikov si dhe me municione luftarake të cilat i kishte brenda një çante.
‘Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar "Bushtrica", si rezultat i të cilit, është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi S. F., 20 vjeç, banues në fshatin Qukës.
Nga kontrolli në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak për të.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".’- njofton policia.