Vetëm pak ditë pas nisjes së vitit 2026, presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur publikisht stekën për zgjedhjet e mes-mandatit në nëntor. Duke folur më 6 janar para republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Trump paralajmëroi se humbja e shumicës mund ta ekspozojë atë ndaj një procesi të tretë të shkarkimit nga detyra. 

Deklarata vjen në një moment të tensionuar për administratën e tij. Një operacion i papritur ushtarak në Venezuelë, deklaratat provokuese për Groenlandën dhe përshkallëzimi i tensioneve me Iranin dhe Sirinë e kanë mbajtur Trump vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Në planin e brendshëm, të shtënat fatale nga oficerë federalë policie në Minneapolis dhe Portland kanë shtuar ndjesinë e paqëndrueshmërisë.

Megjithatë, këto zhvillime duket se nuk e kanë përmirësuar perceptimin publik ndaj presidentit.

Sipas të dhënave të përmbledhura nga RealClearPolitics dhe të publikuara nga USA Today, deri më 9 janar 2026, 44.1% e amerikanëve e miratojnë punën e Trump, ndërsa 52.7% e kundërshtojnë. Mbështetja shwnoi një rimëkëmbje të lehtë pas rënies së nëntorit, por mbetet nën nivelin 50%.

Edhe shumatorja e sondazheve të New York Times paraqet një tablo të ngjashme: miratimi ka rënë nga 52% në janar 2025 në nivelin e  të 40 përqindëshit dhe ka qëndruar aty për muaj me radhë. Në fillim të janarit, 43% shpreheshin pro, kundrejt 55% kundër presidentit

Një sondazh javor Economist/YouGov e vendos mbështetjen ndaj Trump në nivele edhe më të ulëta: 39% pro dhe 56% kundër.

I njëjti sondazh tregon skepticizëm të fortë ndaj mënyrës se si Trump ka trajtuar çështjen e Jeffrey Epstein, me afro gjysmën e të anketuarve që besojnë se presidenti po përpiqet të fshehë krimet e tij.

Edhe ndërhyrja ushtarake në Venezuelë nuk ka prodhuar konsensus. Një sondazh i CBS News/YouGov tregon se 52% e amerikanëve e kundërshtojnë operacionin, ndërsa 48% e mbështesin. Ata që e shohin ndërhyrjen si përpjekje për zgjerim influence ose akses në naftë priren ta refuzojnë, ndërsa mbështetja rritet te ata që e konsiderojnë një operacion kundër trafikut të drogës.

Në krahasim historik, pozicioni i Trump mbetet më i dobët se ai i presidentëve të tjerë modernë në të njëjtën fazë të mandatit. Sipas Gallup, miratimi prej 36% në dhjetor 2025 është më i ulëti për një president gjatë vitit të parë në detyrë.