Një situatë që mund të kishte përfunduar keq është shmangur në Lushnjë, ku Policia zbuloi një armë zjarri në një lokal të mbushur me të rinj. Në kërkim është shpallur 21-vjeçari Marlind Sulo, ndërsa 5 shokët e tij Eri Kasapi, Saviol Shehu, Gledion Mullaj, Helio Toli, dhe Lusian Sulo përfunduan në pranga sepse nuk treguan të vërtetën.

Sipas burimeve policore, gjithçka nisi nga informacione operative se një i ri po lëvizte i armatosur në qytet dhe ishte ulur në një bar-kafe në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Policia ndërhyri menjëherë, duke rrethuar ambientin.

Gjatë kontrollit në tavolinën ku ndodheshin disa të rinj, efektivët gjetën një pistoletë me municion luftarak të fshehur në xhepin e një xhupi të hedhur mbi karrige.

Në momentin e ndërhyrjes, policia zbuloi se personi që dyshohet si pronar i armës nuk ndodhej më aty.

Hetimet zbuluan se xhupi dhe arma i përkisnin Marlind Sulos i cili ishte larguar pak minuta më parë drejt një berberhaneje dhe nuk u kthye më. Ai tashmë është shpallur në kërkim.

Ndërkohë, 5 të rinjtë që ndodheshin në tavolinë me të u arrestuan për “moskallëzim krimi”, pasi sipas Policisë refuzuan të tregonin kujt i përkiste arma, duke penguar veprimet.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e 21-vjeçarit, ku u gjetën fishekë, duke forcuar dyshimet për armëmbajtje pa leje.

Në total, Policia sekuestroi pistoletën, municionin luftarak, një automjet dhe 5 celularë, që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e të riut në kërkim.

Njoftimi i plotë i policisë 

Sekuestrohen një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte me armë zjarri në qytet, dhe se ndodhej në një lokal bashkë me disa shokë të tij, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar lokalin, një bar-kafeje në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku dyshohej se ndodhej shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë për arrestimin tij. Gjatë ndërhyrjes shërbimet e Policisë kanë gjetur në xhepin e një xhupi, që ishte lënë në nga karriget e tavolinës ku ndodheshin 5 të rinjtë, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi i personit që posedonte xhupin dhe armën e zjarrit , konkretisht shtetasi  M. S., 21 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ishte larguar pak minuta më parë për në një berberhane dhe do kthehej përsëri. Po në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit E. K., 20 vjeç, S. Sh., 24 vjeç, G. M., 21 vjeç, H. T., 20 vjeç dhe L. S., 22 vjeç, të gjithë banues në Lushnjë, të cilit ishin në një tavolinë me shtetasin M. S, dhe nuk treguan se kujt i përkiste xhupi dhe arma duke penguar Policinë në veprimet e saj. Po në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. S , u gjet municion luftarak (fishekë). Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit tip pistoletë, municioni luftarak, 1 automjet dhe 5 aparate celularë. Vijon puna për kapjen e 21 vjeçarit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, në ngarkim të 5 shtetasve të arrestuar, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit M. S., të shpallur në kërkim.

 

-----------------------------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë