LEZHË - Eurodeputetja Italiane Elena Gentile ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Lezhës, ku është takuar me kryebashkiakun Viktor Tushaj. Gjatë bashkëbisedimit me këtë të fundit ajo është njohur me me resurset dhe perspektivën e nesërme të qytetit historik të Lezhës. Gjatë deklaratës për mediat Gentile tha se zhvillimi i Shqipërisë i intereson europës. Ajo ka shtuar se resurset e këtij vendi janë nxitje për hartimin e projekteve të mëdha, ku sigurisht bën pjesë edhe Lezha.

“Europa e sheh këtë territor me një interes ne rritje sepse inteligjenca që kam konstatuar e lidh këtë qytet me politikat europiane. Shqipëria në përgjithësi por sidomos Lezha në veçanti me resurset e saje ekonomike dhe natyrore na nxisin për të vepruar me projekte te madha zhvillimi, çështjet sociale dhe politikat e punësimit. Zhvillimi i Shqipërisë i intereson Evropës, i intereson Italisë, ndaj mendoj se kemi para një periudhë të rëndësishme që përkon me iniciativa dhe marrëdhënieve që japin ndikim tek të dy vendet tona.”- u shpreh Elena Gentile, Eurodeputete.
 
Kreu i Bashkisë Lezhë Viktor Tushaj ka kthyer vëmendjen tek Parku Industrial i përfolur prej 7 vitesh, duke shprehur besimin e tij se kësaj radhe do të kishte edhe mbështetjen e Eurodeputetes Elena Gentile.

Vizitën e saj në Lezhë Eurodeputetja Elena Gentile e ka mbyllur me një vizitë në vendvarrimin e heroit tonë kombëtar, ndërsa ka siguruar se shumë shpejt do të jetë sërish në këtë qytet me projekte konkrete.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)