Lezha po tërheq gjithnjë e më shumë turistë jo vetëm me bregdetin, por edhe me pasuritë historike, kulturore dhe natyrore. Për herë të parë këtë sezon po organizohen nga bashkia, itinerare turistike që u japin vizitorëve mundësinë të zbulojnë atraksionet e zonës.

Krahas pushimeve në plazhet e Shëngjinit dhe Tales, vizitorët po zgjedhin gjithnjë e më shumë të eksplorojnë historinë, kulturën dhe natyrën që ofron Lezha.

Për herë të parë këtë sezon po organizohen itinerare turistike, të cilat u japin mundësi pushuesve të vizitojnë disa nga pikat më të rëndësishme të Lezhës.

Mes tyre janë Memoriali i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Kalaja, Muzeu Etnografik dhe Arkeologjik, si edhe Laguna Kune-Vain, një nga zonat më të veçanta për biodiversitetin dhe peizazhin natyror.

"Iu bashkova një itinerari turistik, ku vizitova Kalanë e Lezhës, muzetë dhe Lagunën Kune-Vain. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, që më dha mundësinë të njoh më nga afër Lezhën, historinë dhe bukuritë e saj", tha një vizitore.

"Lezha është një qytet me shumë histori dhe ia vlen ta njohësh. Nuk e dija që, përveç plazheve, ka kaq shumë vende interesante për t'u vizituar. Jam shumë i kënaqur që iu bashkova këtij turi turistik", tha një tjetër turist.

Sipas Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë Lezhë, synimi është të nxitet bashkëpunimi mes agjencive turistike, guidave dhe strukturave hoteliere.