Institucionet vendore në Qarkun e Lezhës, janë vënë në gatishmëri për përballimin e situatave emergjente qe mund te krijohen gjatë periudhës vjeshtë-dimër.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Mbrojtjes Civile, prefekti Taulant Malshi kërkoi nga të gjitha drejtoritë dhe strukturat përkatëse që të jenë të përgatitura dhe të koordinohen më mirë në terren. Ai ka kërkuar kryerjen e një analize të qartë për mjete dhe kapacitete njerëzore ndërsa ka shtuar se mosraportimi në kohë ka sjellë vonesa në bashkërendimin e veprimeve.

“Nga eksperienca e vitit të kaluar këto fenomene kanë vendosur në vështirësi jo vetëm bashkinë dhe strukturat që ju menaxhoni. Unë kërkoj një përgjegjësi të plotë në funksion të përballimit të këtyre situatave. Kërkoj më shumë bashkëpunim për zbatimin e plani të masave”, tha Taulant Malshi.

Në fokus të mbledhjes ishte edhe mirëmbajtja e akseve rrugore, veçanërisht gjatë reshjeve të dëborës dhe rrëshqitjeve të dheut.

Zëvendësdrejtori i Policisë vendore te Lezhës, Taulant Gjoka, kërkoi nga kompanitë kontraktore të jenë më të shpejta dhe më të përgjegjshme në ndërhyrje, pasi sipas tij deri më tani ka ndodhur e kundërta.

“Ajo që kemi vënë re gjatë ngricave apo ditëve me shi është një reagim shumë i vonuar, kontraktorëve përgjithësisht, për mirëmbajtjen e rrugës. Janë probleme që janë përmendur edhe më parë, ka patur komunikime të herëpasherëshme ana e policisë me këto kontraktorë. Më vjen shumë keq që reagimi i tyre është shumë i vakët", tha Taulant Gjoka.

Komisioni i Mbrojtjes Civile ka përcaktuar detyrat për çdo institucion, duke ngarkuar përgjegjësi të qarta për perballimin e situatave emergjente që mund të krijohen.