Duke nisur nga muaji qershor i këtij viti, menaxhimi i mbetjeve në Bashkinë Lezhë do të realizohet nga vetë bashkia, e cila ka krijuar ndërmarrjen e saj publike për shërbimin e pastrimit.

Strategjia e re parashikon hedhjen e mbetjeve sipas orareve të përcaktuara, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale si dhe do të ketë ditë të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, atyre të gjelbra, mbetjeve elektronike si dhe mobilieve. Strategjia u prezantua nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, gjatë një takimi informues me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces.

“Në qershor bashkia e Lezhës merr komplet shërbimin e menaxhimit të mbetjeve. Kompanitë private nuk do të kontaktohen më nga ne. Kemi konstatuar se marrëdhënia me të ka qenë shumë e vështirë. Pastrimi i territorit nuk ka qenë në cilësinë që duhet. Kontrata nuk është zbatuar dhe kjo nuk është çështje politike, kjo është një standard jetese që ne duhet ta kapim tani”, tha Pjerin Ndreu.

Me këtë mënyrë të re pastrimi dhe menaxhimi të mbetjeve, Bashkia Lezhë synon të bëhet një nga njësitë e para vendore në Shqipëri që zbaton standarde evropiane, duke i dhënë fund ndotjes, e cila pavarësisht përpjekjeve të deritanishme, nuk ka qenë në nivelin e duhur.