Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Dy automjete janë gjetur të braktisura pas një aksioni ndjekjeje nga blutë e qytetit.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se dy automjetet janë të vjedhura: një mjet në qytetin e Kavajës, ndërsa mjeti tjetër rezulton me numër shasie të fshirë.

Ndërkohë, policia dhe prokuroria e Vlorës po kqyrin kamerat e sigurisë në qytet për të parë se sa kohë kanë qenë automjetet këtu dhe në çfarë zone kanë qarkulluar, për të arritur sadopak te shenjat apo edhe identifikimi i autorëve që kanë qarkulluar me automjetet.

Gjatë kqyrjes në mjete, policia gjeti edhe tre shishe me benzinë, që do të përdoreshin për djegien e automjeteve me qëllim humbjen e gjurmëve.

Një burim i fortë tha se investimi për të kryer vrasjen është i konsiderueshëm, duke marrë në konsideratë se dy automjetet do të digjeshin dhe personat do të largoheshin, dyshohet, me një automjet të tretë.

Ndërkohë, brenda automjeteve nuk është gjetur asgjë tjetër e dyshimtë. Policia shkencore është duke punuar për gjetjen e gjurmëve.

Kjo është një ngjarje e parandaluar, por megjithatë Policia e Vlorës është 'alarmuar' dhe është vënë në gatishmëri për t'i paraprirë ngjarjeve kriminale që mund të ndodhin në qytet.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë-Falë punës së thelluar hetimore, Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Sekuestrohen dy automjete të vjedhura dhe lëndë djegëse.

Më datë 08.02.2026, strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar në informacione operative të siguruara më parë, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe, për dy automjete që dyshohej se do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje kriminale.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehura në një sipërfaqe ullishteje, në fshatin Babicë e Madhe, dy automjete të dyshuara të vjedhura, konkretisht:

-një automjet tip “Nissan”, me targa të huaja;

-një automjet tip “Audi Q5”, me targa të huaja; si dhe 3 bidona me lëndë djegëse (benzinë).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Automjetet dhe provat e tjera të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.

Grupi i posaçëm hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë.