Një paketë e gjerë ndërhyrjesh për mbrojtjen nga përmbytjet pritet të zbatohet gjatë këtij viti në Lezhë. Projekti përfshin ndërhyrje në pritat malore, sistemimin e përrenjve, disiplinimin e ujërave, si dhe ndërtimin dhe rikonstruksionin e urave mbi këto rrjedha ujore. Vlera totale e investimit llogaritet në rreth 84 milionë lekë.
Sipas autoriteteve vendore, këto ndërhyrje janë bërë të domosdoshme për shkak të dëmtimeve të akumuluara ndër vite në infrastrukturën mbrojtëse, të cilat janë kthyer në një ndër faktorët kryesorë të përmbytjeve në disa zona të Lezhës.
Punimet kanë nisur në Kolsh, një nga pikat më problematike, ku amortizimi i pritës malore kishte sjellë devijimin e ujërave drejt zonave të banuara dhe ambienteve publike, përfshirë edhe shkollën. Situata rëndohej më tej nga prania e inerteve, të cilat bllokonin kanalet kulluese dhe favorizonin përmbytjet e përsëritura.Bashkia e Lezhës e konsideron këtë ndërhyrje një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë së komunitetit dhe minimizimin e riskut në të ardhmen.
“Jemi këtu në Kolsh ku po investojmë një pritë malore e cila do të neutralizojë një situatë të rrezikshme që agravohej për shkak të reshjeve dhe prurjeve të ujit që rrezikonin banesa. Jemi këtu për të parë punimet që po ecin me ritme të kënaqshme. Kemi zgjidhur një problem të rëndësishëm në këtë zonë” tha Pjerin Ndreu
Projekti do të shtrihet në disa njësi administrative, përfshirë Markatomaj, Kallmet, Blinisht dhe Zejmen, zona të cilat janë përballur vazhdimisht me vërshimin e ujërave dhe transportin e inerteve drejt tokave bujqësore dhe zonave të banuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për banorët.
Komente







