Bashkia, Shërbimi Social Shtetëror, Biblioteka, Drejtoria e Arsimit dhe shumë institucione të tjera publike në Lezhë, nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për personat me aftësi ndryshe. Në shumë godina mungojnë rampat e kështu personat me aftësi ndryshe duhet të ngjisin me vështirësi me dhjetëra shkallë.

Por edhe në jetën e përditshme ata e kanë të pa mundur lëvizjen lehtësisht. Trotuaret janë shumë të lartë, nuk kanë rampa ose ato nuk janë vendosur pranë vijave të bardha ose stacioneve të transportit publik. Edhe semaforët me audio mungojnë. Gjetjet janë prezantuar gjatë një takimi me aktore në Bashkitë Lezhë dhe Kurbin.

“Ne vazhdojmë të ndërtojmë rrugë, trotuaret e të cilëve nuk janë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuar. Kjo çon izolimin e personave me aftësi të kufizuara. Godinat publike vazhdojnë të mos ofruar akses jo vetëm në hyrje, pastaj në katet e mësipërme e pastaj tualetet. Lezha është qytet turistik dhe duhet të ofroje akses”, tha Suela Lala, person me aftësi ndryshe.

Disa prej gjetjeve të identifikuara i janë referuar Komisionerit për Diskriminimin, që ka bërë ndërhyrje duke sanksionuar gjoba dhe lenë afate për përmirësimin e gjendjes, por kjo duket shumë pak kur identifikon se problematika është më e madhe.