Rreth 500 banorë të lagjes “Nënë Tereza” në periferi të Lezhës nuk furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm nga ndërmarrja e ujësjellësit. Ata ankohen se uji në çezma shkon vetëm një herë në ditë.

“Uji vjen vetëm pasdite rreth 2 orë. Ne me depozita kemi ujë. Ai që ka mundësi detyrohet e blen po ai që nuk ka mundësi i bie të konsumojë këtë. Është shumë vështirë”, thonë ata.

Prej 30 vitesh, depozitat dhe bidonët janë e vetmja mënyrë për të siguruar ujin.

 “Unë për vete e blej me bidonë. Ka kosto po nuk  kam çfarë bëj”, shprehet një tjetër banor.

Burime nga Bashkia thanë se në vitin 2020 është ndërtuar rrjeti i ri i ujësjellës-kanalizimeve, ku lagjja “Nënë Tereza” u përfshi pjesërisht. Banorët që ankohen për mungesë uji sot furnizohen nga rrjeti i vjetër dhe i amortizuar.

Lagjja “Nënë Tereza” është populluar pas viteve ’90 me banorë të ardhur nga fshatra të ndryshëm të veriut.