LEZHË- Një 54-vjeçar ka hyrë i armatosur në ambientet e Spitalit të Lezhës, ku kishte shkuar për të marrë mjekim. Gjatë qëndrimit në spital, arma që mbante me vete i ka rënë nga çanta dhe është shkrepur aksidentalisht.

Pas ngjarjes, policia dyshon se djali i 54-vjeçarit, 18 vjeç, ka fshehur armën me qëllim që të pengonte zbardhjen e rastit dhe është shpallur në kërkim.

Në hetim është vendosur edhe një punonjës i IT-së në Spitalin e Lezhës pasi dyshohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“U procedua në gjendje të lirë shtetasi G. N., 54 vjeç, pasi në Spitalin Rajonal Lezhë, ku kishte shkuar për të marrë mjekim për shkak të problemeve shëndetësore, dyshohet se i ka rënë nga çanta e krahut një armë zjarri, e dyshuar pistoletë, duke shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme.

Në vijim të veprimeve hetimore, u shpall në kërkim djali i tij, 18 vjeç, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë një punonjës i spitalit (punonjës IT), shtetasi A. V., 54 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, njofton policia.

Policia vijon hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e incidentit.