LEZHË - Policia e qarkut të Lezhës në vazhdim të aksionit kundër kultivimit të bimëve narkotike asgjësoi mbrëmjen e djeshme 1200 rrënjë bimë narkotike, si dhe arrestoi një 56 vjeçar.
Zëdhënësja e shtypit të Drejtorisë Policisë Qarkut Lezhë, Hike Cara, bëri të ditur për ATSH-në se "gjatë operacionit "Shëmria" në territorin e fshatit Shëmri, komuna Orosh, Mirditë, gjatë kontrollit të bërë në një zonë malore janë gjetur 1200 bimë të dyshuara kanabis sattiva me gjatësi rreth 1,5 m. të mbjella në tre parcela". Policia identifikoi autorin e dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve narkotike, i cili është Ndue Nikolli, 56 vjeç, banues në Rrëshen të rrethit Mirditë.
Sipas zëdhënëses Cara nga kontrolli i territorit ushtruar nga strukturat e policisë në këto parcela, në tokën e Nikollit në vendin e quajtur " Përroi i arkës" në fshatin Shëmri, komuna Orosh Mirditë, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 1200 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.
Materialet procedurale në ngarkim të Nikollit i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale " Kultivim i bimëve narkotike" dhe " Moskallëzim krimi"./ATSH/