LEZHE - Një peshkatar është gjetur i vdekur në orët e para të ditës së sotme në afërsi të Portit të Shëngjinit.
 
Viktima është identifikuar nga policia si Mark Ujka 65-vjeç banues në Shëngjin, i cili merrej me gjuetinë e peshkut.
 
Trupi i pajetë i peshkatarit është gjetur në afërsi të skalierave dhe mendohet se mund të ketë gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes nga dallgët.
 
Peshkatari 65-vjeçar Mark Ujka kishte dalë për të peshkuar me rrjeta i vetëm dje pasdite por duke qenë se, nuk është kthyer më në shtëpi, familjaret e tij kanë bërë denoncim në polici për humbjen e tij.
 
Blutë e Lezhës janë vënë menjëherë në lëvizje, duke nisur kërkimet pranë vendit ku 65-vjeçari kishte dalë për të peshkuar në vendin e quajtur skalierat.
 
Trupi i pajetë i 65-vjeçarit u gjet në afërsi të skalierave, duke bërë të mundur edhe nxjerrjen e tij.
 
Nga hetimet e para është bërë e ditur se duke ju referuar detit të trazuar të një natë më parë, dyshohet se 65-vjeçari është përpirë nga dallgët e larta duke mos i dhënë mundësi për të dalë në breg.
 
Trupi i pajetë i 65-vjeçarit Mark Ujka është dërguar në morgun e spitalit të Lezhës, ku pritet që të kryhet edhe autopsia e mjekësisë ligjore për të përcaktuar shkakun e plotë të vdekjes së tij.
 


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )