LEZHË - Tre gjuetarë italianë janë vënë në pranga nga Policia e Lezhës, pasi janë kapur duke gjuajtur në mënyrë të paligjshme në lagunën e Kun-Vainit në Lezhë. Gjithashtu të arrestuar janë edhe disa shqiptarë të cilët akuzohen si bashkëpunëtor të italianëve.

Policia e Lezhës bën të ditur se, arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit “Laguna” në Vain të Lezhës, ku janë kapur në flagrancë Rodolfo Tardi, Andrea Skarpi, Paolo Traski.

Të tre këta personat, qytetarë italianë, po bënin gjueti të paligjshme në bashkëpunim me Pashk Ndokën, Meraldo Ndoka, Arlind Kolecaj, Gjek Dedën, Ndue Kolën të cilët ishin shoqërues dhe strehuesit e tyre.

Gjatë arrestimit, atyre u janë bllokuar në cilësinë e provës materiale, disa armë gjuetie, municion dhe imitues të zërave të zogjve që shërbenin për gjuetinë e paligjshme.
Pas arrestimit të këtyre personave, dosja me materialet hetimor i ka kaluar Prokurorisë Lezhës për veprime të mëtejshme.

Këto janë ndalimet e para të bëra nga policia që kur në Shqipëri u vendos moratoriumi 2 vjeçar që bllokon gjuetinë e të gjitha llojeve.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)