TIRANE- Familja Gega nga Kallmeti i Lezhës ka hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur dy ditë më parë në banesën e tyre, ku tre persona të veshur me uniforma policie dhe të armatosur, kanë arritur të marrin rreth 13 milion lekë të vjetra. Ngjarja e rëndë, për vetë mekanizmin e përdorur për të kryerat grabitje, në mes të ditës dhe në qendër të një fshati me pozitë mjaft të favorshme territoriale, për t’u larguar, ka alarmuar policinë e Lezhës.

Që prej momentit kur është kryer denoncimi i aktit, policia ka nisur jo vetëm hetimet, por madje ka kryer edhe një sërë shoqërimesh. Referuar të dhënave të besuara nga policia mësohet se mes të shoqëruarve janë edhe ish-efektiv policie, të cilët pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre janë lënë të lirë. Kërkimet dhe hetimet mësohet se po i drejtojnë krerë të policisë dhe të prokurorisë së Lezhës, ndërsa dyshimet bien mbi një grup të strukturuar kriminal, të cilët mund të kenë vepruar edhe në shumë raste të ngjashme. 

Ngjarja sipas familjarëve
Ka qenë vetë i zoti i shtëpisë, Kolë Gega, i cili ka bërë me dije për publikun të gjitha detajet e asaj mësymjeje kriminale në banesën e tij. Ai ka rrëfyer se tre personat e armatosur, kanë lënë mjetin me fenelina policie afër shtëpisë së tij dhe menjëherë i kanë kërkuar t`iu japë llogari pasi djemtë e tij që gjenden në Itali kishin kryer vrasjen e dy personave. Burri i shokuar, iu ka hap dyert ‘policëve’ ndërsa ata i kanë thënë se kemi ardhur të kryejmë kontroll. Procedura e ndjekur prej tyre, vërtet ngjan me mënyrën se si vepron policia jonë në shumë raste kur bëhet fjalë për kontroll banese.

Ata i kanë futur në një dhomë të zotin e shtëpisë, nënën e tij të moshuar dhe bashkëshorten e tij, ndërkohë njëri prej ‘policëve’ ka qëndruar në dhomë me familjarët duke i kërcënuar me vdekje. Dy të tjerët kanë bërë kontroll të imtësishëm në banesë derisa kanë arritur të gjejnë paratë dhe një shumë euro-sh, për t`u larguar më pas me mjetin e policisë. Të izoluarit nuk kanë qenë në gjendje të telefonojnë policinë, pasi edhe një celular që kishin, ua kishin marrë ‘efektivët’. Kolë Gega, ka kërkuar ndihmën e të afërmve për të njoftuar policinë për atë që i kishte ngjarë, autorët kanë mundur të largohen të qetë nga zona, ndonëse për të dalë nga ai fshat, ka vetëm një rrugë. Policia e Lezhës bën me dije se po punohet intensivisht për të zbardhur ngjarjen. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)