Gjykata e Lezhës ka dënuar me 12 vite burg Simon Gjokën, 38 vjeçarin nga Miloti, i cili fillimisht u arrestua për vjedhje bagëtish, ndërsa gjatë hetimeve u zbulua se kishte patur marrëdhënie me një vajzë të mitur.

Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 18 vite burg, por përftoi nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 12 vite heqje lirie.

Ashtu dhe si në momentin e arrestimit edhe gjatë gjykimit të çështjes, 38-vjeçari ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, por referuar dosjes hetimore është arritur të provohet se ai ka kryer vjedhje dhe ka abuzuar seksualisht me vajzën e mitur.

Në dëshminë 13-vjeçares, të marrë në prani të nënës dhe psikologut, ajo ka pranuar se kishte lidhje me 38-vjeçarin dhe se gjithçka kishte ndodhur “me dëshirë”, siç është shprehur në hetim.

Ajo ka shtuar se Gjoka e kishte prezantuar me persona të tjerë, çka filimisht ngriti dyshime për shfrytëzim për prostitucion.Në telefonin e të miturës u gjetën foto intime që i ishin dërguar të pandehurit, i cili kishte marrëdhënie miqësore me nënën e saj, një grua që shiste qirinj pranë kishës së Shna Ndout në Laç.

Simon Gjoka u arrestua në shkurt 2025, pasi hetimet zbuluan se ishte përfshirë në vjedhjen e bagëtive në fshatin Gajush dhe dyshohet për disa raste të tjera vjedhjesh në zonat përreth.

Gjatë përgjimeve dhe ekzaminimit të  telefonit të tij, policia konstatoi komunikime komprometuese me të miturën, çka e çoi më pas në zgjerimin e hetimeve dhe ngritjen e akuzës së dytë.