LEZHE - Policia e Lezhës ka zbardhur vrasjen e mëngjesit të së hënës në fshatin Meqri të Lezhës. Edmond Doda, 23 vjeç, djali i viktimës, është dhe autori i ngjarjes ndodhur në stanet mbi fshat.

I riu e ka pranuar vetë autorësinë, ndërsa ka treguar para prokurores dhe oficerëve të policisë, se kishte qëlluar të atin pa dashje. Sipas dëshmisë së tij, babë e bir, që ndodheshin në stan me bagëti, në orën 5 të mëngjesit kanë vënë re se iu kishin vjedhur lopën.

Ata kanë nisur kërkimet të ndarë nga njëri-tjetri. Por, kur diçka ka lëvizur në pyll, 23-vjeçari Edmond Doda ka menduar se mund të ishin hajdutët dhe ka qëlluar me armë, duke lënë të vdekur babain e tij, Prengë Doda. I riu, sipas policisë, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe vrasje nga pakujdesia.

Në fillim kur ndodhi ngjarja u dyshua se Prenga fatkeq u vra prej grabitësve.

preng doda
(Foto: Prengë Doda, u vra gabimisht nga i biri)

Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)