LEZHE- Drejtori i Maternitetit të Lezhës, Pjetër Meci, nuk ka gjetur asnjë mbështetje për reformat e ndërmarra prej tij dhe është detyruar që të japë dorëheqjen. Ai ka shpjeguar disa prej arsyeve gjë të cilat ai i lidh me detyrimin që ka çdo mjek për të përmbushur, ndaj qytetarëve.
 
Zvarritja e grave që vinin për të marrë shërbime, mos realizimi i konsultave mes mjekëve kjo edhe në operacione, parcelizimi dhe kioskëzimi i Maternitetit të Lezhës, janë disa nga problemet që sipas ish-shefit Pjeter Meci nuk gjetën përkrahjen e duhur për t'i zgjidhur. Sipas tij me këtë dorëheqje do t’i çlirojë kolegët ose për të zbatuar më përpikëri legjislacionin, ose për të vijuar në rrugën e ndjekur deri më tani.

“Unë nuk munda të shoh realizimin në këtë punë, jo për të bërë reformatorin e madh, por thjesht për një punë kolektive në një institucion shtetëror dhe duke kërkuar po ato rregulla që kërkohen në çdo institucion. Nuk gjeta një gjuhë të përbashkët për të bërë zgjidhjen e problemeve që kisha shtruar unë si shef shërbimi. Shikoja edhe zvarritjen e grave edhe për analiza dhe nuk e kishin të qartë ku kishin për të paguar detyrime dhe ku kanë gjëra falas”, tha Meci.
 
Përplasjet e ish-shefit të maternitetit të Lezhës me vartësit dhe drejtuesit e tij kishin vijuar prej kohësh, kjo për shkak së kishte kërkuar formalizmin e plotë të shërbimeve që kryhen në këtë spital, por që përfundoi me dorëheqjen e këtij të fundit.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)