LEZHË- Në këtë rulot me sipërfaqe 10 metra katrorë jetojnë 5 pjestarë të një familje në fshatin Tresh të Lezhës. Në kushte tepër të vështira dhe pa asnjë të ardhur, Drita Perdoda rrit 4 fëmijët e saj, më i madhi 14 vjeç, ndërsa e vogla është vajza 5 vjeç. Pas ndarjes me bashkëshorti, kryefamiljarja është vendosur në fshatin Tresh, pikërisht në tokën e kishës, por janë provizorisht aty dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen.

Vështirësitë janë të mëdha. Asnjë krah pune, ndihma ekonomike mungon prej 6 muajsh, shkolla sa vjen dhe u largohet këtyre fëmijëve, ndërsa Drita Perdoda kërkon mbeshtetje. Një strehëz ku do të fusë fëmijët e saj dhe një punë sado e vogël, janë kërkesa e kësaj familje. 

drita perdoda
(Në foto: Kryefamiljarja Drita Perdoda me vajzën)

"Unë shtëpi nuk kam, as kam ku të ngrohem, as kam ku të ushqehem këtu. Tre kalamajtë i kam te shkolla, për t'i shtruar për të pirë dhe për të ngrënë këtu nuk kam ku t'iu shtroj. As stofë nuk kam për të ndezur. Ju lutem më ndihmoni për dy dhoma shtëpi. Unë kam patur një ndihmë ekonomike 45 mijë lekë të vjetra dhe megjithatë dhe ato na i ka hequr", shprehet kryefamiljara Drita Perdoda.

drita perdoda
(Në foto: "Banesa" ku jeton familja)

Fëmijët e familjes Perdoda në Tresh të Lezhës dëshirojnë të jenë ndryshe, por kjo tashmë është e varur tërësisht në duart e të tjerëve. Ata tashmë i dinë vështirësite, ndaj kërkojnë ndihmë. 

"Çfarë të bëjmë pa shtëpi e pa gjë, jetojmë me çfarë na kanë dhënë të tjerët. Kërkojmë shtëpi. Nuk kam ku të lahem dhe përkrahjen na e kanë hequr", shprehet një nga fëmijët e familjes. 

Kjo pamje rrallë herë mund të gjejë rast të dytë, ndaj kërkohet reagim aq sa institucional, aq edhe njerezor e human. Këta fëmijë janë të pafajshëm, por kurrsesi s'mund të jenë si gjithë të tjerët.

drita perdoda

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)