Lulzim Tafa me ciklin poetik “Ekspozitë me endrra”, Ermal Hasimja me prozën “E shkuar e pakryer” dhe Milena Selimi për përkthimin e romanit “Kohëstrehim” u shpallën fituesit të çmimeve "At Gjergj Fishta". Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Lezhë me rastin e 154-vjetorit te lindjes së Fishtës.Pjesë e konkursit qe organizohet nga bashkia u bënë 80 botime, të cilat u vlersuan nga juria e përbërë nga Rudolf Marku, Ernestina Halili dhe Bajram Kosumi.

Fituesit e këtij edicioni thanë se janë nderuar per çmimin që mban emrin e Fishtës, duke e konsideruar atë si një nxitje për vazhdimësinë e krijimtarisë së tyre letrare.

Po kështu në Lezhë u mbajt edicioni i 14-të i konkursit kombetar “Ora e Muzës”, ku 90 poetë paraqitën krijimet e tyre.

Në përfundim, juria shpalli fitues, poetet Bona Mulaj Lluka, Alketa Gashi Fazliu dhe Marash Mirashin. Konkursi letrar “Ora e Muzës” eshte pjese e aktiviteteve të shumta që mbahen në Lezhë në kuadër të muajit të letërsisë, i cili këtë vit i dedikohet At Gjergj Fishtës.