LEZHË - Policia e Lezhës ka vënë në pranga pronarin e hotel "Fredi" në vijën e parë të bregdetit të Shëngjinit, 46-vjeçarin Fred Ndoka. Në kërkim është shpallur ish-drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Lezhës Sokol Toma dhe specialisti i Urbanistikes, Naim Cara. Ndërsa përgjegjësja e kësaj zyre, Adiona Martini po hetohet në gjendje të lirë.  

Ish-drejtori dhe dy punonjësit e Urbanistikës së Lezhës akuzohen për shpërdorim detyre. Nga hetimet ka rezultuar se Sokol Toma i ka dhënë leje për një kat shtese pronarit të hotel "Fredi" në Shëngjin. Pra nga 6 kate hoteli është ngritur në 7 kate gjatë vitit 2018.

Sipas prokurorisë, leja e ndërtimit është dhënë në shkelje të ligjit, pasi në planin e territorit është përcaktuar që objektet duhet të jenë 6-katëshe. Dyshohet se Toma, Cara dhe Martini kanë marrë ryshfet për miratimin e lejes së ndërtimit.

Operacioni është kryer nga Seksioni për Krimin Ekonomik në Policinë e Lezhës pas një hetimi 3 javor.  Pronari i hotelit, Fred Ndoka 46 vjeç, i arrestuar tashmë është njohur me dy akuza: "ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ndërtim i paligjshëm”.

Po kështu me akuzën për shpërdorim detyre është njohur edhe Adiona Martini, e cila po hetohet në gjendje të lirë. Në kërkim policor, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, janë shpallur Naim Cara aktualisht specialist në Bashkinë së Lezhës, dhe Sokol Toma, ish-drejtor i Urbanistikës.

Zyrtarët nën hetim:  

Sokol Toma, 47 vjeç, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë

Adiona Martini, 32 vjeçe, përgjegjëse sektori në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë

Naim Cara, 41-vjeç, specialist në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë