LEZHË - Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Zhvillimit Urban Englantina Gjermeni inauguruan sot në Lezhë, përfundimin e dy projekteve të rëndësishme komunitare. I pari, përfundimi i rikonstruksionit të një godine 4 katëshe në qendër të qytetit e ndërtuar që në vitet ‘60, i realizuar sipas një projekti inovator që gërsheton rehabilitimin urban me përdorimin e teknologjisë termoizoluese për reduktimin e konsumit të energjisë.
 
Projekti, i financuar nga MZHU me vlerë prej14 milionë lekë, konsiston në termoizolimin e fasadës, termoizolimin e tarracës, gjithashtu përfshin edhe ndërrimin e dritareve, duke përdorur materiale termoizoluese.
 
Pas këtyre ndërhyrjeve përfitues janë 22 familje banorë të kësaj godine. Ata do të kenë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike, pasi parashikohet që konsumi i energjisë elektrike dhe asaj me gaz do të reduktohet me 54%. Gjithashtu rivitalizimi i fasadës sjell dhe një pamje më cilësore të qytetit.


Kryeministri Rama dhe Ministrja Gjermeni panë nga afër edhe përfundimin e rikonstruksionit të 36 shtëpive të komunitetit rom dhe egjiptian. Projekti është financuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, me vlerë 11.5 milionë lekë.

Rikonstruksioni ka përfshirë zëvendësimin e dyer dhe dritareve, riparime e çative dhe riparimin e rrjeteve elektrike.

Kryeministri Rama inspektoi edhe ecurinë e punimeve për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit. Prej disa muajsh kanë nisur ndërhyrjet urbane për rivitalizimin e sheshit  qendror “Besëlidhja”, rikualifikimit të lulishtes si dhe të lumit të Lezhës.

Këto ndërhyrje do të krijojnë një zonë të integruar me gjithë elementet e tjera që pritet të sjellin ridimensionim urban dhe funksionalitet social të hapësirave.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)