LEZHË - Vështirësitë ekonomike e kanë çuar komunitetin Rom në Lezhë në limitet e mbijetesës. Për këtë arsye komuniteti rom i kësaj lagjeje ka rendur në rrugën e eksodit. 
 
Banorë të këtij komuniteti po largohen masivisht gjatë ditëve të fundit, drejt vendeve të Bashkimit Evropian kryesisht Gjermanisë, duke kërkuar një jetë më të mirë.
 
Vetëm gjatë muajit të fundit numri i romëve dhe egjiptianëve të larguar nga Lezha është mbi 300 persona.
 
 Këto shifra alarmante janë bërë të ditur nga kreu i Shoqatës së këtij komuniteti në këtë qytet Rauf Selimi. Sipas tij për këtë komunitet e vetmja rrugë shpëtimi është emigrimi.
 
Ky fakt pranohet edhe nga vetë banoret e këtij komuniteti që jetojnë në lagjen "Skëndërbeg" të Lezhës.
 
Numri i të larguarve nga Qarku i Lezhës drejt vendeve të BE-së sa vjen dhe rritet çdo ditë, ndërsa ato i përkasin kryesisht shtresave sociale në nevojë, që reflektojnë ndaj vështirësive ekonomike me të cilat janë përballur gjatë muajve të fundit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)