Tokat e Fishtës në Njësinë Administrative Blinisht të Lezhës janë kthyer në plantacione me shege.  

Kjo frutikulturë është kultivuar masivisht në këtë fshat dhe Zef Fugaj është njëri prej fermerëve që ka mbjellë 450 rrënjë. Kërkesa për shegën si brenda ashtu dhe jashtë vendit e nxiti të investojë 5 vite më parë dhe brenda një kohë të shkurtër doli në prodhim.

“Ky fidan ka ardhur nga Italia. Ka cilësi të mirë, shega është ëmbël. Investimi më ka shkuar rreth 5 mijë euro, por jam pak i zhgënjyer”, u shpreh Zef Fugaj.

Këtë vit prodhimi është i bollshëm, por problem mbetet mungesa e tregut. Fermeri thotë se pjesa më e madhe shegëve po kalben pa u vjelë.

“Tregu nuk është i sigurt. Këtu vijnë tregtarët dhe e kërkojnë me çmim nën kosto. Përfitim nga shteti nuk kemi”, tha më tej ai.

Në Fishtë janë kultivuar rreth 6 hektarë tokë me frutikulturën e shegës, ndërsa çmimi varion nga 80 deri në 120 për kilogram.