Siguria e qarkullimit rrugor në situata emergjencash ishte në fokus të një takimi të zhvilluar në Prefekturën e Lezhës, ku Prefekti i Qarkut, Taulant Malshi, mblodhi përfaqësues të firmave kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, si dhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Gjatë diskutimeve u prezantuan masat konkrete që do të merren për t’i paraprirë çdo situate të mundshme emergjente, veçanërisht gjatë kushteve të vështira atmosferike. Prefekti Malshi bëri të ditur se monitorimi i punës së firmave të mirëmbajtjes do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim shmangien e neglizhencave të evidentuara në vitet e shkuara.
Prefekti i Lezhës theksoi se krahas gatishmërisë për të mbajtur të aksesueshme të gjitha akset rrugore, janë marrë garanci nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për ndërhyrje në disa nyje problematike të superstradës që përshkon Lezhën, të cilat kanë qenë shpesh objekt aksidentesh.
Rajoni i Lezhës përshkohet nga segmente rrugore jetike për qarkullimin dhe zhvillimin ekonomik, pasi lidh veriun e vendit me pjesën tjetër të Ballkanit dhe më tej me vendet e Europës. Për këtë arsye, garantimi i qarkullimit normal dhe minimizimi i problematikave mbeten prioritet, duke qenë objekt i takimeve të vazhdueshme mes Prefekturës, subjekteve të mirëmbajtjes dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Komente








