Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi këtë mesjavë raundin e 18-të dhe të fundit për këtë vit. Tanimë skuadrat kanë marrë pushimet dhe do rikthehen në fushë më 14 janar 2026.

Në bazë të ndeshjeve të fundit, klubet janë me sytë nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të ngjarjeve të ndodhura dy ditë më parë. AF Elbasani barazoi 1-1 kundër Tiranës në "Elbasan Arena", por bardheblutë u tërhoqën për dhjetë minuta nga fusha, për shkak se kontenstuan 11 metërshin e dhënë në favor të vendasve. Ky është rasti i dytë në pak javë që Tirana bën një veprim të tillë, në shenjë proteste për vendimet e arbitrave.

Në Elbasan kërkojnë që ekipi të marrë tri pikët, për shkak se kundërshtari braktisi ndeshjen, edhe pse pas dhjetë minutash u rikthye në fushë. Duket se klubi verdheblu bazohet te neni 37-të i Rregullores së Garës.

"37.1. Nëse një klub refuzon të luajë, nuk paraqitet në stadium ose është përgjegjës për mos zhvillimin e një ndeshje plotësisht apo pjesërisht, në Kampionatin Kombëtar të Abissnet Superiore, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së, përveç masave të tjera disiplinore, do të shpallë ndeshjen të humbur në tavolinë.

Nëse refuzimi apo mos paraqitja ndodh në më shume se 1 (një) ndeshje gjatë një sezoni, klubi përgjegjës do të përjashtohet nga gara dhe do të zbritet të paktën një kategori më poshtë duke iu zbritur jo më pak se 6 (gjashtë) pikë në sezonin pasardhës", thuhet në Rregullore.

Flamurtari

Sa i takon vlonjatëve, presidenti Sinan Idrizi po kërkon përforcime në sulm. Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi janë emrat e dëshiruar. Mirëpo nuk dihet nëse dy ish-sulmuesit e Kombëtares janë gati për t'u rikthyer në atdhe për të mbyllur karrierat respektive, duke qenë se kanë ndërtuar jetën në Zvicër dhe Turqi.

Partizani

Humbja 1-3 në derbin me Dinamon prishi klimën në klubin e kuq. Si të mos mjaftonin dy humbjet radhazi, stafi teknik është njoftuar se mbrojtësi Albion Marku ka mbyllur sezonin për shkak të një dëmtimi.