Sigurimi i ujit të pijshëm është kthyer në një sfidë të përditshme për banorët e fshatit Mabë, në njësinë administrative të Dajçit, në Lezhë.

Prej disa vitesh, ujësjellësi i këtij ndodhet jashtë funksionit dhe banorët detyrohen ta blejnë ujin ose të udhëtojnë disa kilometra larg për ta siguruar atë me bidona.

Ata shprehen se kjo situatë ua ka vështirësuar ndjeshëm jetesën, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur nevojat për ujë janë më të mëdha.

“Kjo situatë është prej 5-6 vitesh. Shkojmë në Koman, Hajmel dhe mbushim me bidona për një ose dy javë”, tha një banor.

“Ujin e blejmë në dyqan. Na kanë premtuar zgjidhje por asgjë deri tani. Dhe ka shumë kosto kjo gjë veçanërisht në verë”, u shpreh një banor tjetër.

Ndërkohë, pavarësisht se mungesa e ujit të pijshëm mbetet një nga problemet më shqetësuese për komunitetin, ende nuk ka një plan konkret për ndërtimin e një ujësjellësi të ri në fshatin Mabë, ndërsa pasojat e kësaj situate vazhdojnë t’i vuajnë rreth 300 familje që jetojnë në këtë zonë.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për t’i dhënë zgjidhje një problemi jetik, që prej vitesh vazhdon të mbetet i pazgjidhur.