LEZHË- Një i 65-vjeçar është arrestuar pasi dhunonte nusen e djalit  në sy të dy fëmijëve dhe e kërcënonte se do e vriste. Në pranga ka rënë B. Ll.,65 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin. Ndaj tij, rëndojnë akuzat për veprat penale për “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje ".

Gjatë kontrollit në banesën e tij iu gjet dhe iu sekuestruan dy armë zjarri, çka i bën përmasat e kësaj ngjarjeje edhe më të rënda. Kanë qenë persona të tretë që kanë njoftuar policinë, duke parandaluar një krim të rëndë në familje.

"Ky shtetas në banesë, në prezencë të dy nipërve të mitur, ushtronte  dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së djalit të tij duke e kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri. Policia me marrjen e njoftimit ka ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës  dhe ka vënë në pranga autorin", njofton policia.