Drejtoresha e Aleancës LGBT, Xheni Karaj ka reaguar sot për herë të parë në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv mbi trajnimet e organizuara nga ky komunitet në disa shkolla të mesme të vendit, për sensibilizimin e të rinjve dhe mësuesve për të luftuar bullizmin ndaj komunitetit LGBT dhe personave me prirje të ndryshme seksuale.

Këto trajnime kanë filluar prej vitesh së pari mes mësuesve dhe psikologëve pasi kemi vënë re se bullizmi nuk ekziston vetëm tek fëmijët por së pari tek të rriturit. Madje sipas një studimi që ka bërë Prof. Edmond Dragoti, 60 % e mësuesve pranojnë që ka bullizëm në shkolla, jo vetëm për LGBT. 77 % e mësuesve kërkojnë që të trajnohen sepse nuk dinë si ti menaxhojnë këto raste bullizmi. Përfaqësues të komunitetit LGBT për fat të keq janë duke braktisur shkollat për shkak të bullizmit në forma të ndryshme. Dhe meqenëse ne e kemi vënë re këtë menduam që të bëjnë një trajnim me mësues e nxënës që të rinjve të komunitetit LGBT të mos i kthehet shkolla në një ferr të përditshëm”-shpjegoi ajo.

VIDEO/Intervista e plotë në Emisionin Rreze Dielli në Report TV

Karaj, pranoi se në një prej takimeve me të rinjtë në një shkollë të mesme kishin marrë pjesë dy aktivistë LGBT transgjinorë.

“Po, në një prej aktiviteteve kanë qenë 2 transgjinorë por që janë aktivistë. Ka qenë trajnim me nxënës por duhet të kuptojmë që ata të dy janë 2 njëzet vjeçarë, të cilët për shkak të bullizmit njëri ishte përjashtuar nga shkolla, ndërsa tjetri ishte detyruar të braktiste shkollën. Ajo që është treguar në trajnim ka qenë përvoja personale sesi ata kanë braktisur shkollën për shkak të bullizmit. Këshilla e tyre për nxënësit ka qenë përpiquni që atë që na e bënë ne bashkëmoshatarët dhe mësuesit kur ishim në shkollë, mos ia bëni ju të tjerëve”-tha Karaj.

Ajo shtoi se bëhet fjalë për një projekt sensibilizues që nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën Amerikane apo organizatën Soros siç pretendohet nga disa politikanë të cilët reaguan pak ditë më parë në rrjetet sociale.

“Përgjithësisht u perceptua si propagandë. Por nuk është kështu, sepse nuk kemi ndër mend të rekrutojmë njerëz. Ne nuk jemi vampirë që i vampirizojmë njerëzit dhe i shndërrojmë në homoseksualë. Unë do thosha rastin tim konkret. Unë jam 32 vjeç, jam lezbike. Kam jetuar në një shoqëri me hetero-normative, ku propaganda heteroseksuale bëhet në mënyrë shumë të dhunshme në mënyrë të përditshme. O duhet të isha unë ajo që përmes kësaj propagande të shndërrohesha në një person heteroseksual o nuk e di. Nuk funksionon kështu. Këto janë thjesht paranoja, është një panik që nuk e di nga kush u përhap dhe për ç’arsye. Kjo është një nismë që nuk ka lidhje as me Soros, as me ambasadën amerikane. Kjo është diçka që nisi nga nevoja që ne e kemi identifikuar me punë dhe me personat e komunitetit, pasi ekziston një plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të LGBT.”

Rezearta Caushaj: Fajin e ka Ministria e Arsimit që ka anashkaluar prindërit
Ndërkaq, aktivistja e shoqërisë civile Rezearta Caushaj e ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, tha se përgjegjësia më e madhe qëndron tek Ministria e Arsimit, e cila nuk ka informuar atë që është një nga grupet e interesit, në këtë rast prindërit. Ajo tha gjithashtu se e ka parë edhe strategjinë dhe ajo është formuluar me pjesëmarrje të shoqërisë civile, e cila për pjesën më të madhe të shqiptarëve nuk përfaqëson askënd.

“Në radhë të parë ne jemi njerëz dhe duhet ta respektojmë njëri-tjetrin dhe sepse realisht duke përplasur 2 ekstreme të ndryshme nuk ka prodhuar asnjëherë asgjë konstruktive për shoqërinë. Ajo që shikoj unë problematike në këtë rast dhe unë mendoj se përveç tendencës tonë për të shpërthyer për gjëra që ne mendojmë se i kemi në dorë , ajo që ka qenë shtysë për reagimin ka qenë fakti se prindërit nuk janë pyetur. Në këtë rast unë nuk fajësoj organizatën LGBT. Ata janë aktivistë, kanë një kauzë të tyren, kanë të gjithë të drejtat e tyre që të flasin dhe të shpërndajnë idetë e tyre dhe qëndrimet e tyre. Ajo që shikoj unë problematike është fakti që ministria nuk ka informuar atë që është një nga grupet e interesit, në këtë rast prindërit.

Unë e kam parë edhe strategjinë dhe ajo është formuluar me pjesëmarrje të shoqërisë civile, por çështja është që ne nuk kemi shoqata të cilat përfaqësojnë prindërit për shembull. Shoqëria civile për pjesën më të madhe të shqiptarëve nuk përfaqësojnë askënd. Shqiptari mesatar mendon se organizatat e shoqërisë civile janë aty për të marrë fonde. Një pjesë është e vërtetë, për një pjesë tjetër nuk është fare e vërtetë. Për mua duke qenë se është prekur një temë, e cila nuk ka konsensus shoqëror, nuk mund ti kapërcesh prindërit”-tha Caushaj.

Edhe Karaj pranoi se duhet punuar me prindërit të cilët duhet të jenë pjesë e këtyre konsultimeve. “Është e drejtë, Rezi ngriti një problem dhe ne përpiqemi të bëjmë punën tonë, përpiqemi të punojmë shumë me prindërit. Në rastin konkret ne jemi marrë me ministrinë për marrjen e lejes dhe për ushtrimin e aktivitetit”-përfundoi Karaj.

Reagimet në Facebook sidomos nga politikanë të ndryshëm kundër kësaj fushate ajo i konsideroi si histeri dhe një tentative për ta bërë këtë një kauzë politike për përfitime personale.