Librat për fëmijë e të rinj në një 'Faqe libri'… e në 'Shenjëzime'

Librat për fëmijë e të rinj në një 'Faqe libri'… e në 'Shenjëzime'

1. Po të gjurmosh në jetën artistike të Hasan Hasanit, nuk është e vështirë të mësosh se ai është poet, prozator e publicist. Por kohët e fundit po e shenjëzon profilin e tij si studiues e kritik letrar. Kjo i shton edhe një faqe më shumë poliedrit të figurës së tij.

Duke u ndalur në këto të fundit, mendoj që nuk është as e papritur e as rastësi kjo ardhje e tij në këto lamije.  Rrezja paralajmëruese është dukur moti më parë, gjatë botimeve të tij në periodikë e revista të ndryshme. Si një ‘parathënie’ i prin kontributi i çmueshëm në lëmin e letërsisë shqipe, si autor i Leksikoni i Shkrimtarëve Shqiptarë (1501-2001)[1]. Ndërsa librat, që tashmë kemi në duar titullohen: “Faqe Libri”[2] e “Shenjëzime”[3]. Ato hedhin vështrimin nga ecuria e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, shqyrtojnë e studiojnë copëza zhvillimi të kësaj letërsie, edhe pse kanë kaluar, shpesh herë, më shumë se tri apo katër dekada nga botimi i tyre. Shenjëzimi i veprës dhe bilanci artistik janë kurdoherë të nevojshëm dhe të domosdoshëm për vlerat e proceset e një letërsie.

Komunikimi me lëndën e ofruar të librave të bën të njihesh me konceptet dhe strukturat e tyre. Janë ndërtuar në dy blloqe: në shënime letrare për vepra të letërsisë për të rritur, dhe në shënime letrare për vepra të letërsisë për fëmijë e të rinj. Libra të kësaj natyre që, në tekstin e tyre kanë si objekt shqyrtimi dhe  analize vepra të letërsisë për të rritur dhe të letërsisë për fëmijë e të rinj bashkërisht brenda një hapësire, janë shenjë mbarësie (këtu, tani, është fjala për Letërsinë për fëmijë e të rinj), pasi një mozaik i tillë nuk është dhe aq i shpeshtë. Duke marrë shkas nga profili i këtyre librave, është e nevojshme të rikujtojmë se, koncepti i unikes në letërsi lidhet pazgjidhshmërisht me plotërinë e portretit të saj, pavarësisht specifikave dhe veçorive që mbart letërsia në vetvete. E parë në këtë këndvështrim, pohojmë seriozitetin dhe misionin e vërtetë të studiuesit Hasani për ta parë zhvillimin e letërsisë, procesin e saj në tërësi, në shumë rrafshe, në shumë qasje e në shumë marrëdhënie. Këtë e lidhim edhe me fjalën e autorit, që në në parathënien e librit thotë: “E quajta “Faqe Libri”, meqë të gjitha këto njësi janë shkruar për libra të ndryshëm letrarë, portrete të ndryshme letrare, autorë apo përvjetorë, qoftë të letërsisë për të rritur, qoftë të letërsisë për fëmijë, apo edhe për ndonjë figurë letrare të veçantë, si De Rada, Noli apo Migjeni. Të gjitha këto shkrime janë të botuara në gazeta dhe revista në Prishtinë gjatë një periudhe të gjatë kohore, (brenda viteve 1969-2006), pjesa më e madhe e të cilave janë botuar në revistën “Fjala” gjatë viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, ndërsa pjesa tjetër në “Jeta e re”, “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, “Rilindja”, “Gazeta e pionierëve” dhe “Shkëndija”, dhe paraqesin fillimet e mia duke filluar nga vitet e studimeve e deri në ditët e sotme, kur edhe po sheh dritën ky libër. ... Libri është i ndarë në tri pjesë: *Përshtypje të hershme, *Faqe libri për të rritur, dhe *Faqe libri për fëmijë ... Shpresoj se Faqe libri do të paraqesë përshtypjet dhe angazhimin tim për gati dyzet vjet në jetën kulturore e letrare në Kosovë.”[4]

2. Vështrimi im do të ndalet në kapitullin e librit, që përmban vetëm vepra të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Janë tituj që u takojnë periudha të ndryshme vitesh dhe kohe botimi. Edhe pse të botuara me largësi vitesh, Hasan Hasani nuk e ka humbur kohën dhe hapësirën e kësaj letërsie. Ndjekja në proces, zbërthimi i kodeve letrare, evidenton dhe pasuron karakterin njohës, informues, problemor, stadin zhvillimor dhe edukativ të librave në fjalë. Në optikën e studiuesit na serviren libra me shumëllojshmëri gjinish e zhanresh letrare, me struktura të larmishme, me prirje konvencionesh e rrëfimesh lineare e jolineare, të cilat pasqyrojnë problematikat e tematikat të zhvillimit dhe të ecjes së kësaj letërsie, të subjekteve që i flasin kohës, të mesazheve që përcjellin, etj.

Autori gjatë analizave (shpesh herë mes recensionit e përpjekjes së një realizimi drejt një studim të mirëfilltë) evidenton profilesh krijuesish, qasje brenda një vepre a të një shumësie veprash brenda qerthullit të shkrimtarit, njohje të psikologjisë e pasqyrim të botës fëmijërore, përcjellje vlerash në rrafshe krahasimtare, jehona e tyre në hapësirë dhe në kohë, nënvizon koncepte e hedh për diskutim disa parashtresa që paraqet kjo letërsi në rrugën e zhvillimit të saj duke u ballafaquar me kërkesat që shtron koha dhe realiteti i përditshëm.

Në kapitullin që trajtohen veprat e Letërsisë për fëmijë e të rinj ‘frymojnë’ artistikisht 24 autorë. Nga këta: 19 autorë janë shqiptarë, botime të Kosovës e të Shqipërisë, dhe 5 autorë janë të huaj. “Gjeografia” e veprave realizohet si pasojë e frytit të leximeve vetjake të studiuesit dhe parapëlqimeve të tij. Janë vepra që paraqesin një dimension të gjatë kohor dhe plotësojnë segmente të pastudiuara të tablosë së zhvillimit të letërsisë për fëmijë e të rinj, gjë që i japin mundësinë e zvogëlimit të kësaj zbrazëtie. Gjithashtu, kënaqësia estetike e të lexuarit dhe grishja që i bën vepra e shkrimtarit studiuesit Hasan Hasani nuk është e ‘parcelizuar’, por e njëjtësuar, duke i dhënë frymëmarrje më të gjerë veprës në interpretim, veçanërisht në përcaktimin e vlerave artistike që mbart secili libër.  

Studiuesi Hasan Hasani merr në shqyrtim këto vepra: “Vargje të mira edukative” (Mark Krasniqi: “Posta e porositur”, 1964, Prishtinë, f. 203); “Fytyrë e njomë trimërore” (Selman Vaqari: “Debatik”, 1971, Prishtinë, f. 212); “Mes përrallës e romanit” (Qamil Batalli: “Princesha dhe bariu”, 1971, Prishtinë, f. 221); “E vërteta kudoherë del në shesh” (Abdyl Bunjaku: “Djaloshi pas plepit”, 1976, Prishtinë, f. 229); “Jeta e gërshetuar nëpërmjet rrëfimeve” (Arif Demolli: “Pëllumbat e kujtimeve”, 1978, Prishtinë, f. 231); “Sintezë e një epoke e gërshetuar përmes rrëfimit” (Frederik Reshpja: “Trimi i fshatit Bardhë”, 1968, Tiranë, f. 234); “Kah poezia intelektuale për fëmijë” (Agim Deva: “Me temlik u nisa në botë”, 1978, Prishtinë, f. 238); “Demitizimi i Gjergj Elez Alisë” (Rushit Ramabaja: “Gjergj Elez Alia”, 1978, Prishtinë, f. 241); “Edhe një legjendë e bukur për fëmijë” (Nuhi Vinca: “Legjenda e peshkatarit”, 1978, Prishtinë, f. 243); “Roman tërheqës humoristik” ( Ymer Shkreli: “Bali Katravella”, 1978, Prishtinë, f. 245); “Nga pësimet gjithnjë nxirren mësime” (Kiço Blushi: “Beni ecën vetë”, 1979, Tiranë, f. 247); “Gjurmët e kohës në faqet e një libri” (Zejnullah Halili: “Vendlindja shihet në zemër”, 1984, Prishtinë, f.  256); “Poezi me mesazhe kohe e shprese” (Kismete Hyseni: “Më prit harabel”, 1995, Prishtinë, f.  266); “Vargje të ëmbla për fëmijë” (Ndre Mjeda: “Përmbledhje vjershash për fëmijë, 1995, Prishtinë, f. 271); “Dashuri për Atdheun, Shkollën, Familjen” (Qamil Guranjaku: “Xixëllonjat e vogla”, 1973, Prishtinë, f. 274); “Historia e një trembëdhjetëvjeçari” (Sotir Andoni: “Pranvera e madhe”, 1973, Prishtinë, f. 278); “Poezi që burojnë nga jeta” (Rifat Kukaj: “Arushi piktor”, 2005, Prishtinë, f. 281); “Dy vjersha të Vehbi Kikajt”, f. 284); “Vepër për fshehtësinë nënujore” (Zyl Vern: “Njëzet mijë milje nën det”, 1988, Prishtinë, f. 289); “Njerëzit: Bota e kompleksuar” (Svetlana Makareviq: “Zemrak”, 1973, Lubjanë, f. 294); ““Nëna” ishte dhe mbeti Nënë” (Maksim Gorki: “Nëna”, 1973, Prishtinë, f. 296); “Vepër e bukur dhe humane” (Video Podgorec: “Jevgu i bardhë”, 1975, Prishtinë, f. 299); “Fati i një fëmijë fatkeq” (Viktor Hygo: “Gavroshi”, 1975, Prishtinë, f. 303); “Ymer Elshani – shkrimtari më tragjik në botë”, (2005), f.  307.

Studiuesi Hasan Hasani heton imtësisht veprën letrare, teksa kumton problematikën dhe dukuritë e saj. Ai komunikon me lëndën drejt thellësisë së fjalës. E dokumenton veprën në pikëpamje të vlerave dhe riafirmon kujtesën, shpesh, të humbur të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Mund të përmend disa stacione, ku studiuesi Hasani në raport me veprën parashtron (analizon) objeksionet e tij në një shumësi pamjesh, si: *Moralizimi dhe didaktika. *Gjinia, zhanri, gërshetimi mes tyre. *Mënyra e rrëfimit të autorit. *Koha e librit, gjurma e tij dhe shenja e realitetit. *Intelektualiteti i poezisë si mission. *Elementet fëminore si pjesë e botës së tyre në krijimet parashkollore. *Mesazhet e veprës., etj.

 3. Studiuesi ka pranuar në të shumtën e rasteve të ‘bashkëbisedojë’ me një vepër të autorit. Veprat që merren në shqyrtim datojnë në këto vite botimi: 1964, 1968, 1971, 1973, 1978, 1979, 1984, 1995, 2005. Duke pranuar dendësinë e një date dhe përafëritë e saj, Hasan Hasani me vrojtimet e hulumtimet e tij ka sjellë një kronikë të besueshme dhe realiste të zhvillimi të kësaj letërsie në këto periudha. Botimi i librit me studime edhe pse i distancuar nga dalja në dritë e veprave, gjatë analizës së tij në evidentimin e vlerave, u ka dhënë veprave një ‘rizgjim’, një  ‘rijetim’, ku krahas faktit artistik, prania e kujtesës së librit gjallon e nuk fiket. Laryshia e  këndvështrimeve ka sfiduar njëtrajtësinë. Megjithatë, është një skedë në këtë “Faqe libri” që  bashkon në disa pika përceptimin e librave. Konfiguracioni i kësaj skede është bazuar mbi kompozicionin e shkrimeve, që mendojmë se përvijohet në këtë mënyrë: *Prezantim i profilit artistik të autorit dhe kontributit të tij në letërsinë për fëmijë e të rinj. *Zbërthimi i veprës, kryesisht në fushën përmbajtësore. *Përfundimi: njohja dhe rrezatimi i  autorit, si dhe mesazhi i veprës.

Një skemë e tillë është e njohur. Por studiuesi nuk ka mbetur në këto caqe. Risitë i gjejmë në paraqitjen e tipareve autoriale, të shprehimësisë së tyre, pasurimit të elementëve në formë e përmbajtje, të veçorive dalluese, të figuracionit letrar, etj., të cilat bashkëlidhen pas një studimi të thelluar të një vepre a të disa veprave të autorit, të cilat, sigurisht, Hasan Hasani i merr në shqyrtim, në të cilat: *Zbulon elemente poetike përmes shtjellimit përrallor, të cilat gjënden të fshehura tek  gjërat e fenomenet, të cilat na bëjnë të njohim kodin e substancën e poezisë së Mark Krasniqit. *Veçanton dukuritë e poezisë intelektuale, rrezatimin e saj përmes motiveve të atdhedashurisë, socialitetit, didaktikës e lojës te poezia e A. Devës. *I mëshon zbërthimit të personazhit kryesor te romani “Debatiku” i S. Vaqarit. *Konfiguron qartazi periudhat historike, fikson kohën me përmasat e saj përmes pasqyrimit të reales dhe ireales te “Trimi i fshatit Bardhë” të F. Rreshpjes. *Operon përmes nocioneve e raporteve të gjinive, dhe qasjes me veprat e të njëjtit autor, te romani “Princesha dhe bariu” i Q. Batallit. *Vlerëson marrëdhëniet vepër-aktualitet (kohësia e veprës), të komunikimit brenda tekstit letrar dhe mënyrave e formave të të rrëfyerit, te “Djaloshi pas plepit” i A. Bunjakut e “Pëllumbat e kujtimeve” të A. Demollit. *Thekson vlerat e legjendave, gojëdhënave si urë marrëdhënieje të vazhdimësisë së historisë dhe të ruajtjes së mesazhit aktual, te “Gjergj Elez Alia” të R. Ramabasë e  “Bali Katravella” të Y. Shkrelit. *Vendlindja dhe fëmijëria, si gjurmë kujtese, bëhen objekt analize të poezive të Z. Halilit. *Bashkëkohësia në vepër, elementet transformuese dhe ndikimi i dukurive në psikologjinë e personazhit, i ka “diktuar” dhe i zbërthen hollësisht te “Beni ecën vetë” të K. Blushit. *Meditativja, imagjinativja, loja, humania, e përditshmja etj., si reflektim e mishërim në poezitë e R. Kukajt e K. Hysenit.

Në këtë polifoni shqyrtimesh dhe interpretimesh, gjejnë pasqyrim edhe rrugët e  zhvillimit të gjinive e zhanreve të letërsisë për fëmijë e të rinj, ndërtime e struktura kompozicionale, mënyra ligjërimi e rrëfimi, dukuri të njohura e të reja në embrion, zhvillim e pasurim, etj., me një fjalë një skedë me një paraqitje të lakmueshme e me kompetencë shkencore. Ndaj, dhe nuk mund t’i harrojmë analizat shenjëzuese të veprave të M. Krasniqit, Q. Batallit, A. Demollit, F. Reshpjes, A. Devës, Z. Halilit, K. Blushit, të cilat bëjnë dallim nga simotrat. Për rrjedhojë, kapitulli i emërtuar “Faqe Libri” gdhend qartë përmes një gjuhe profesionale një pjesë të fytyrës së letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj me problematikat e saj, në periudha të ndryshme ecurie e zhvillimi.

4. Katër vite më vonë, studiuesi Hasan Hasani boton librin “Shenjëzime” (Përshtypje letrare). Ky libër e ka si parësor komunikimin me lexuesin. Sipas autorit Hasan Hasani motivi është ky: “Po vij para jush me një libër përshtypjesh letrare, titulluar “Shenjëzime”, ku gjetën vend njëzet e pesë vështrime librash, prej tyre njëmbëdhjetë libra për fëmijë.[5] ... Këto vështrime librash, këto qasje personale janë thjeshtë përshtypjet e mia për librat në shqyrtim; janë libra që i kam lexuar pa ndonjë imponim as obligim, por vetëm e vetëm nga dëshira dhe njëherësh hodha në letër atë që më bëri përshtypje, atë që la mbresa tek unë si lexues i pasionuar.[6]     ... Mbes me shpresë se lexuesit do të më kuptojnë dhe gjykojnë drejt në paraqitjen e këtij libri, shkrime këto që për mua janë jo vetëm disa shenjëzime dhe vizione për botën magjike të librit.”[7]

Duke ruajtur komunikimin me librin artistik në disa plane të gërshetuara njëherësh, si në atë të krijuesit, studiuesit e lexuesit që funksionojnë dhe janë të paraqitura si shqyrtim letrar në shërbim të vlerave; Hasan Hasani nënvizon disa etapa të kësaj marrëdhëniejeje të çmueshme që paraqiten sipas kësaj skeme: - përshtypje letrare., - mbresa., - shenjëzime., - vizione (apo përspektivë).

Libri “Shenjëzime” mbart si strukturë të njëjtën fizionomi si ai i mëparshmi, i titulluar “Faqe Libri”. Në mes tyre ka një ndryshim shqyrtues. Nuk kemi të bëjmë me vështrim recensioni që deri diku ishte tipar i librit të parë, tek “Shenjëzime” kemi thellim në njohje, zbërthime e evidentime dukurish, analiza të hollësishme në shërbim të kodeve të krijimtarisë të secilit krijues që merr në shqyrtim, ku vendin kryesor e zënë vëllimet poetike. Pikërisht, vetëm, për këta libra poetikë po shfaq disa mendime:

-Jo vetëm te “Kopshti i ëndrrave” që mbetet produkt analize, por studiuesi shkon më tej, shpërfaq tiparet e krijimtarisë së poetit Bardhosh Gaçe, tashmë një individualitet i spikatur në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj. Poetikën e tij e sheh te Vendlindja dhe rrënjët e saj, te epizmi dhe lirizmi, te metaforat e simbolet, te peizazhet dhe personazhet, etj. Është i drejtë mendimi se trungu i kësaj poezie është i veshur me degë e gjethe ulliri, krahë pulëbardhash, brigje deti, valë, stërkala, hënë, qiell, guaska deti, rërë, etj.

-Ndonëse shkrimtari Qamil Batalli nga Kosova mbetet një emër i rëndësishëm në tregimin për fëmijë, kësaj radhe objekti i dëshmisë është libri “Zemërarta”. Kontributi i tij poetik në rrafshin e letërsisë parashkollore paraqet interesa dhe çmueshmëri lidhur me mënyrën e qasjes dhe të paraqitjes. Gërshetimi i motiveve patriotike me ato edukative, të lojës me argëtimin, mbeten tharmi jetësor jo vetëm i prozës së tij por edhe i këtij libri, por edhe i atij me titull “Nisuni, pëllumbat e mi”.

-Duke vështruar profilin e saj, aktualisht, Shahbaze Vishaj vjen si një triptik në letërsi. Ajo shkruan poezi për të rritur, merret me studime dhe është aktive në letërsinë për fëmijë, kryesisht me vëllime poetike. Studiuesi është ndalur te libri “Shegë vjeshte”. Ai konstaton, veçanërisht disa tipare, si ajo e marrëdhënies me vjershën, me çdo ind të saj. Në këtë aspekt e përmbushje mesazhi, autorja ka një përputhshmëri shpirtërore brenda hapësirave të saj, me të vetmin qëllim që, lexuesve të vegjël t’u dhurojë të vërtetën e kohës. E kur flasim për të vërtetën e kohës, autorja tematikisht rreket të trajtojë dhe të flasë: për vetëdijen e lexuesit të vogël, për kujtesën historike dhe krenarinë kombëtare, për dashurinë për Vendlindjen e prindërit, të gjyshërve, nipave e mbesave, etj. Breznitë janë një poetikë e veçantë e krijimtarisë së saj. Mendoj që në këto vatra mbruhet magjja e poezisë së saj, e ndërtuar me një sistem të caktuar figurativ e ndërtim vargëzues herë me varg të rregullt e herë me varg të bardhë.

 -Këto vitet e fundit, shkrimtari Pandeli Koçi (pseudonimi letrar Sazan Goliku) me krijimtarinë e tij, veçanërisht në poezi e në përrallë është i pranishëm në letërsinë për fëmijë. Shquhet për trajtimin e temës sociale, pa moralizime e subjekte interesante të përditshmërisë saj. Poetika e njerëzores mbetet palci edhe i motiviveve të librit “Mos harro se je njeri”, që studiuesi ka përzgjedhur për të analizuar. Këndvështrimi i motivit, faktikja, realja dhe e drejtpërdrejta në organizimin e fabulës, e bëjnë poezinë e Golikut të freskët, të kapshme e me gjallëri jete.

-Shpirti lirik dhe heroi lirik, mbeten dy nga komponentët e krijimtarisë poetike të Kismete Hysenit. “Flas me Hanën” është libri i zgjedhur për objekt analize. Mendoj, që studiuesi Hasan Hasani në gjykimet e tij, në evidentimet e rrafsheve tematike të librit në fjalë, na ka ofruar një model se si i duhet qasur një libri, e veçanërisht poezisë lirike. Arsyetimet dhe deduksionet, fjalori dhe sintagma e përdorur e rrisin më tej dimensionin e kritikut Hasan Hasani.

-Shkëlzen Zalli, me kontributet e tij në poezinë për fëmijë, padyshim, është përfaqësuesi më i shquar dhe më i talentuar i brezit të tij. Tiparet e tij shpërfaqen edhe në librin poetik “Shkronjat në shtëpinë e fjalës”. I prirur drejt metaforave magjiplote fëmijërore, lodërtar në ëndjen e vargut, mosharrues i peizazheve të fëmijërisë e të Vendlindjes, etj. – janë disa nga veçoritë e personalitetit të tij që e bëjnë përmes talentit të tij të njohë psikologjinë dhe botës e fëmijëve. Të gjitha analizat që bëhen në favor të librit janë reale dhe të meritueshme.                

-Emri i Erindë Rrahmanit në letërsinë për fëmijë është një emër shprese. Studiuesi Hasan Hasani ka bërë objeksion studimi dy libra të saj: “Gjithçka mund të ndodhë” e “Natën e mirë, hënë!”. Librin e parë poetja e re e botoi në moshën 13-vjeçare. Karakteristikë e këtij libri të pa ndarë në cikle është se, portreti i saj plotësohet përmes motivve të befta të moshës së saj. Ndërsa te libri i dytë poetik, jo vetëm që shënoi rritje e cilësi artistike, por motivet janë nga jeta e përditshme të para si një risi nga syri i poetes së re. Ndaj, ajo shkruan për flamujt e zemrave, gishtin që ia tregon rrugën, urën që lidh zemra, për një hënë e një yll dhe gjumin e pafund, çka fsheh jastëku im, vjeshta në dollapin tim, ankesa e zeros... etj. Të gjitha flasin për një fjalor poetik plot fantazi dhe kurreshtje të Erindës së talentuar, që lë edhe shteg për interpretime.

-I shquar në prozën poetike për të rritur si zhanër, Ramadan Mehmeti herëpashere i “kthen sytë” edhe nga poezia për fëmijë. “Të kam zog”, edhe pse libri është i ndarë në katër cikle, përceptimi mbetet i beftë. Figura e gjyshit dhe marrëdhënia e tij me mbesat e nipat mbeten modele letrare që duhen përqafuar. Zgjedhja e figurave letrare, magjia e dialogut, etj., përbën një botë të bukur, që kushdo e ëndërron ta jetojë, qoftë si gjysh a qoftë si fëmijë. Dhe kjo është meritë e talentit dhe kualitetit artistik të poetit Ramadan Mehmeti.

5. Kontributet e studiuesit Hasan Hasani në fushën e kritikës letrare kanë vlera dhe ndriçojnë disa pika të rëndësishme të udhëtimit, nëpër vite, të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Kanë edhe një vlerë tjetër. Librat “Faqe Libri” dhe “Shenjëzime” sadopak plotësojnë ende boshllëkun që ekziston në lëvrimin e kësaj fushe të rëndësishme që evidenton dhe përcjellë vlera librash e autorësh, përcjellë jetësimin e tyre. Kanë edhe një vlerë tjetër. Janë ndihmesë e rëndësishme për hartimin e një Historije të Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj së cilës i ka ardhur koha të jetë më e kompletuar, për procesin e saj zhvillimor, për stadet e saj, për lëvrimin e gjinive dhe zhanreve të saj në rrugëtimin letrar, për dobësitë dhe risitë e saj, për ndriçimin në mënyrë sa më plotë të ekzistencës dhe panteonit të saj.

Shkodër, korrik 2019

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë