Librat shkollorë, romët i blejnë
s'i jepet faturë për rimbursim

Librat shkollorë, romët i blejnë <br />s'i jepet faturë për rimbursim
TIRANE - E njëjta situatë ka qenë edhe për romët, një ndër kategoritë, të cilat në bazë të një vendimi të veçantë, përfitojnë rimbursim në vlerën 100 për qind të librave shkollorë që ata blejnë për fëmijët e tyre. Por jo vetëm romët. Nga një vëzhgim që “Shqiptarja.com” ka bërë te shkolla “Andon Z. Çajupi”, “Eqerem Çabej” si dhe “Katër Dëshmorët”, librat po tregtohen pa faturë tatimore, që do ët thotë se nuk dihet nëse prindërit do të përfitojnë rimbursim këtë vit apo jo. Ismetja, që i përket komunitetit rom dhe që duhet t’i marrë librat falas, në të vërtetë kur ka dalë nga oborri i shkollës së mesme “Çajupi”, na thotë se jo vetëm që s’i kanë dhënë faturë tatimore, por ajo as nuk e di se duhet at kërkonte këtë faturë. “Jo nuk e kam kuponin tatimor dhe nuk e dija që duhet ta merrja. Unë bashkë me vajzën thjesht bleva librat për vitin e parë sepse janë të domosdoshme gjatë vitit. Ne nuk jemi të informuar që duhet ta marrim kuponin për arsye rimbursimi, edhe pse çmimet e librave janë me të vërtetë shumë të shtrenjtë. Paketa kushtoi rreth 5.700 lekë të reja. Por as vetë ata që shisnin nuk na thanë se duhej të merrnim faturë tatimore”, - shprehet Ismetja, e cila ka ardhur së bashku me vajzën e saj për të blerë atë pjesë librash që ndodheshin në shkollë.

Edhe vetë shitësit pohojnë se nuk kanë dhënë asnjë faturë për shitjet që janë bërë gjatë dy ditëve të para. “Ne nuk kemi dhënë faturë, vetëm librat dhe pagesa që është bërë nga blerësi. Nuk e di, se përse nuk është dhënë faturë, sepse unë vetëm shes” – thotë shitësi tek shkolla e mesme “Eqerem Çabej”. Ndërkohë që drejtuesit e shkollave thonë se ky problem duhet të marrë zgjidhje dhe në mungesë të faturës tatimore, nxënësit të pajisen me një kupon të thjeshtë dhe më pas të bëhet hedhja e vlerës që ata kanë paguar në faturën tatimore me të cilin merret rimbursimi. Sipas drejtuesve të shkollave, ndoshta do të shikohet mundësia që pas fillimit të mësimit nxënësit të pajisen me faturë tatimore.

“Xhezmi Delli”
Në shkollën 9-vjeçare “Xhezmi Delli” edhe dje nxënësit janë kthyer mbrapsht, pasi nuk ka libra për nxënësit. Në këtë shkollë nuk ka nisur akoma shpërndarja e tyre. Dyert e kësaj shkolle janë hapur vetëm për mësuesit, të cilët revoltohen kur ne i pyesim se cila është arsyeja se përse nuk ka nisur ende shpërndarja e librave shkollorë. “Nuk ka tekste. As sot (e martë) nuk janë shpërndarë tekstet pasi nuk kanë ardhur. Ne nuk e dimë se përse nuk kanë ardhur tekstet në këtë shkollë, ne jemi mësues kështu që largohuni ose i thirrëm rojes”,- shprehen ata të irrituar kur ne këmbëngulim të dimë arsyen se përse në këtë shkollë nxënësit kanë mbetur pa libra.

Mungesat MASH: Problemi të zgjidhet brenda 4 ditëve
Në prag të fillimit të ri shkollor në gjimnazet dhe sh kollat 9-vjeçare të kryeqytetit mungojnë një pjesë e librave. Ministria e Arsimit fajëson për këtë shtëpitë botuese dhe i bën apel atyre se nëse nuk e zgjidhin këtë problem brenda 4 ditëve do të ndërpresin kontratën deri në futjen e tyre në “listën e zezë” vitin tjetër, që do të thotë të përjashtohen nga gara e librit shkollor. MASH garanton se janë marrë të gjitha masat që në ditën e parë të shkollës të gjitha shkollat do të jenë të kompletuara plotësisht me tekste. Nga një vëzhgim në shkollat 9- vjeçare dhe gjimnazet e kryeqytetit, librat që mungojnë në gjimnaze janë: anglishtja, historia dhe një pjesë e lëndëve me zgjedhje. Ndërsa në ato 9-vjeçare janë biologjia dhe historia. Sipas këshilltarit të ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, e njëjta situatë po monitorohet edhe nëpër rrethe për të garantuar pajisjen e plotë me tekste edhe në skajin dhe rrethin më të largët.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë