Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët në Njësinë Administrative Polis në Librazhd.
I shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla dhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi prezantuan projektin për mbështetjen financiare që do u bëhet fermerëve. Programi i ri i mbështetjes financiare për fshatin që do të financohet nga buxheti i shtetit dhe me financimin e Bashkimit Europian, nis këtë pranverë dhe synon të ndikojë në rritjen e mëtejshme të eksporteve, si edhe fuqizimin e ekonomisë rurale.
Në fjalën e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se nga Njësia Administrative Polis janë disa familje që kanë aplikuar për të përfituar nga ky projekt shumë i rëndësishëm si dhe i bëri thirrje fermerëve që të bëhen bashkë për të planifikuar dhe të mos vazhdojnë të mbjellin secili për vete.
“Një pjesë e njerëzve që kam takuar këtu më kanë thënë që nuk kemi për të përfituar gjë, sepse kemi 10-15 vjet që aplikojmë, por në fund nuk kemi përfituar. Ndoshta kjo është e vërtetë për çfarë ka qenë deri më sot, por të jeni të sigurt që historia po ndryshon pozitivisht. Për herë të parë ne kemi një proces që nuk kërkon asnjë lloj dokumenti, mjafton të keni një ide të mirë në kokë për të zhvilluar bujqësinë në atë pjesë toke që keni. Nuk mund të vazhdojë më që secili të vazhdojë të mbjelli për hesap të vet, por duhet të fillojmë të bëhemi sa më shumë bashkë me njëri-tjetrin për të planifikuar. Dua t’iu them shembullin e një djali nga Polisi, i cili sot në Selanik prodhon fidanë për pjesën më të madhe të Greqisë. Iku koha që duhet ta bëjmë këtë punë atje ku e kemi bërë prej 25 vjetësh në Greqi, është koha të investojmë tek toka jonë këtu, e cila është një prej tokave më prodhimtare. Këtu gjen edhe ullirin, edhe limonin, edhe hurmën, edhe rrushin, edhe pjeshkën, edhe gjithçka tjetër”, u shpreh Balla.
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Balla tha: “Me këtë projekt, ku tashmë nuk kemi vetëm fondin e qeverisë shqiptare, por Bashkimi Europian na ka besuar plot 92 milionë euro për tu investuar në bujqësinë shqiptare. Sa të aftë do të jemi ne për ti tërhequr, kjo varet nga ne”.
Duke u ndalur tek bimët medicinale, Balla tha se një ndër projektet kryesore është ndërtimi i një qendre të madhe për mbledhjen, trajtimin dhe përpunimin të bimëve mjekësore për gjithë Librazhdin. “Mali i Polisit mund të mbajë me bimë mjekësore të gjithë ballkanin, përsa i përket nevojave që ka ky rajon për bimë mjekësore”, përfundoi Balla.
Komento
Z Palla i ben thirje fermereve te librazhdit te hapin KOOPERATIVAT BUQESORE TE TIPIT ED RAMA
Përgjigju