LIBRAZHD- Rreth 15 shtëpi janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht në Komunën Orenjë të rrethit të Librazhdit. Si pasojë e çmontimit të tyre në natyrë, tronditja ndihet edhe në shtëpitë e fshatrave përreth. Më të rrezikuar nga dëmtimet e banesave të tyre, ndihen banorët e katër fshatrave, Funaraz, Floq, Zdrazh dhe në Orenjë.

Vëndi që është përzgjedhur për të demontuar municionet luftarake është Mali i Zgarës, i cili ndodhet shumë pranë shtëpive të banimit. Banorët shprehën se “ndjejmë shpërthimin e municioneve luftarake se herë që ato demontohen dhe ne po jetojmë me frike se mos një ditë shtëpitë po na zënë brënda nga tronditja e themeleve dhe plasaritja e mureve”, shprehet një banor i fshatit Orenjë.

Kryeplau i Funarazit, Musa Karaji, shprehet se “problemi është evident dhe po bëjmë gjithcka për të mos lejuar shpërthimin e municioneve luftarake në natyrë ku rrezikohen jo vetëm shtëpitë nga shëmbja, por edhe jeta e banorëve që është kryesorja.

Komuna ka bërë verifikimet dhe i ka dërguar në Qarkun e Elbasanit të dhënat e shtëpive të dëmtuara. “I kemi bërë disa shkresa Ministrisë së Mbrojtjes që të ndërpresë demontimin e armëve luftarake në natyrë, por nuk e dimë se deri kur do të vazhdojë kjo situatë e tillë”, u shpreh kryeplaku.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)