LIBRAZHD - Përgjegjësi Rajonal për Bujqësinë në Librazhd Osman Terziu, është pezulluar nga detyra ditën e sotme pas një takimi që Ministri Panariti dhe Deputeti Taulant Balla pati me fermerët në Librazhd.
 
Disa fermerë denoncuan tek Ministri Panariti një rast korrupsioni të Osman Terziut me subvencionet, ku ai sipas tyre kishte vjedhur fondet për bujqësinë dhe nuk ua kishte shpërndarë ato fermerëve.
 
Ministri i Bujqësisë ishte në Librazhd inspektoi një vreshtari të standardeve europiane në fshatin Togëz të Libazhdit e cila është subvencionuar nga shteti. Sipas Ministrit skema e subvencioneve nuk është ende në nivelin e duhur, por vit pas viti fondet po shtohen.
 
Deputeti i PS Taulant Balla u tha banorëvë se skema e mëparshme e subvencionimit ka qenë një skemë korrupsioni, por tashmë, sipas tij, ky sistem po funksionon. Ai u bëri thirrje banorëve të denoncojnë çdo rast të abuzimit, nëse hasin në të tillë.
 
Ministria e Bujqësisë, në skemën e subvencioneve të këtij viti ka përcaktuar si përparësi vreshtat, pemtarinë, blegtorinë dhe baxhot.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)