Në mbi 1000 metra lartësi, mes maleve, ajrit të pastër dhe një qielli të mbushur me yje, Fushë-Studën u kthye për një natë në destinacionin e mijëra vizitorëve.

Mbi katër mijë persona morën pjesë në edicionin e tretë të “Natës së Yjeve”, aktivitet i organizuar nga Bashkia Librazhd, që tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të veçanta të verës në zonë.

Rruga e shtruar drejt Fushë-Studënit të çon larg zhurmës së qytetit, në një hapësirë ku muzika dhe natyra bëhen pjesë e së njëjtës atmosferë. Çadrat e ngritura nga vizitorët, familjet, të rinjtë dhe tingujt nga skena krijuan një pamje krejt ndryshe nga një koncert i zakonshëm.

Në skenë u ngjitën artistë të njohur, mes tyre Eneida Tarifa dhe Olsi Bylyku, ndërsa festa vijoi nën qiellin e hapur. Por muzika nuk ishte e vetmja arsye që njerëzit zgjodhën këtë destinacion.

Një nga momentet më të veçanta ishte vëzhgimi i Hënës dhe yjeve përmes teleskopit. Shumë vizitorë zgjodhën gjithashtu të qëndronin gjatë natës në çadrat e tyre, duke e përjetuar Fushë-Studënin si një kamping të madh nën yje.

Për banorët e Librazhdit, aktiviteti është tashmë edhe një moment takimi mes familjeve, emigrantëve që rikthehen për pushime dhe vizitorëve nga qytete të ndryshme.

Përtej festës, “Festivali i Yjeve” po i jep vëmendje edhe potencialit turistik të Fushë-Studënit, një zonë me natyrë të pasur, temperatura të freskëta gjatë verës dhe një peizazh që mund të shijohet në çdo stinë.

Dhe kur muzika u shua, mbi Fushë-Studën mbeti ajo që e bëri këtë natë të veçantë: Hëna, yjet dhe qetësia e maleve.

Një natë ndryshe, që tashmë ka gjetur vendin e saj në verën e Librazhdit.