LIBRAZHD, 3 Tetor / ATSH-Miranda Sadiku/- Pas qytetit të Elbasanit, tashmë edhe në Librazhd kanë nisur punimet për shndërrimin total të qendrës së qytetit. Kryetari i bashkisë, Shefki Cota, thotë se "ka disa ditë që kanë nisur punimet për rikonstruksionin total të qendrës së qytetit, ku me një investim prej 54 milionë lekë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të ndërhyrhet në rinovimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, shtrimin me pllaka dhe ndricimin, qe do të arrijë deri tek stacioni i trenit".
Punimet do të bëjnë të mundur që qendra e qytetit të Librazhdit të jetë një hapësirë shlodhëse për qytetarët, e parashikuar si zonë pushimi, me stola dhe hapësira të gjelbra. Në këtë hapësirë do të lejohet qarkullimi vetëm i mjeteve të urgjencës. Punimet e nisura janë parashikuar të përfundojnë brenda 6 muajsh. /a.ke/