Libri i Blendi Fevziut: Mbreti
Zog, si i vodhi 178 kg flori

Libri i Blendi Fevziut: Mbreti <br />Zog, si i vodhi 178 kg flori
Një ekskursion në politikën e shtetit shqiptar nga 1912 deri në 2012. Si të tillë e ka konceptuar gazetari Blendi Fevziu librin e tij të ri “100 vjet”, një libër ku janë përmbledhur në një: faktet dhe ngjarjet kryesore të këtij shekulli sa i takojnë shtetformimit e qeverisjes së Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë, vitet plot ngjarje të 1913-1914, revolucioni i qershorit, qeveria e Ahmet Zogut, vendosja e monarkisë e shoqëruar me shumë analiza mbi qeverisjen e mbretit Zog, atentate dhe vrasje të dyshimta, akuza e kundra akuza, mandej pushtimi i Shqipërisë, ardhja në pushtet e komunistëve, regjimi i gjatë diktatorial, përmbysja e tij, vitet plot ngjarje të fillimit të ’90-ës, personazhe të njohur e të panjohur, qeverisjet dhe përplasjet e shumta pas 90-ës, deri në vitin 2012 për të cilin flasim... Në këto linja shtrihet libri i ri i Fevziut, i cili promovohet sot në UET. Nga ky libër Shqiptarja.com ka përzgjedhur këtë pasazh që flet për pushtimin e Shqipërisë, dilemat e mbretit Zog, arratinë e tij dhe faktet që serviren mbi atë që u quajt për kaq e kaq vite ‘vjedhja e floririt shqiptar’.

Dokumentet, ja si i vodhi mbreti Zog 178 kg flori
Mëngjesin e 1 prillit 1939, Ambasadori shqiptar në Berlin, Rauf Fico dërgoi një telegram urgjent në adresë të Mbretit. Ai e sqaronte se Gjermania i sugjeronte Mbretit të pranonte ofertën italiane për të shmangur kështu një "situatë të komplikuar". Sipas dokumentave diplomatike gjermane:
"Rauf Fico, Ambasadori shqiptar ne Gjermani, i udhëzuar nga qeveria, kërkoi të informohet më 5 prill 1939 pranë MPJ gjermane mbi qëndrimin gjerman. Nënsekretari i Shtetit Ernst Ëoermann gjatë bisedës bëri të qartë se Shqipëria të mos priste ndonjë ndihmë nga Gjermania."
Po atë mbasdite Beogradi sugjeroi zyrtarisht një qëndrim të ngjashëm. Qëndrimi u bë edhe më armiqësor më 4 Prill, kur Komandanti i Ushtrisë Jugosllave në Dibër të Madhe, i komunikoi zyrtarisht Prefektit të Dibrës, Kol Mjeda se në rast konflikti, ushtria jugosllave do ta konsideronte kërcënim çdo lëvizje ushtarake 15 km nga kufiri dhe në një rast të tillë, do të hynte, si masë mbrojtëse, 15 - 20 km në brendësi të territorit shqiptar. Kjo deklaratë u përsërit edhe në Shkodër, nga Komandanti ushtarak i Podgoricës. Po në datën 1 Prill 1939, Ciano shkruante në ditarin e tij:
"Gjatë pasdites, Sereqi, ministri i ri shqiptar, erdhi të më takonte… Ai tha se ishte dakord me ne. ... Sereqi vendosi të niset për në Tiranë me Jacomonin, në mënyrë që të bindë mbretin. Pastaj, me pretekstin se nuk ishte në gjendje të shkëmbente paratë e tij shqiptare, i kërkoi Jacomonit t'i jepte hua 15.000 lireta, si kësti i parë i një ryshfeti!"

Në datën 5 prill në orën 5 të mëngjesit, Mbretëresha Geraldinë lindi djalë. Trashëgimtari i Fronit u quajt Princ Leka dhe 101 topa përshëndetën lindjen e tij. Leka do të ishte Princ i vërtetë për vetëm 48 orë. Më 7 prill ai do të largohej nga Shqipëria, për t'u kthyer aty përfundimisht në moshën 63 vjeçare, pasi kishte jetuar në 18 vende të ndryshme të botës. I larguar nga froni ai ndërroi jetë në pallatin e hallave të tij në qendër të Tiranës në nëntor 2011.
Në ora 10.00 Mbreti po përshëndeste nxënëset e shkollave të mesme femërore që po parakalonin për nder të lindjes së trashëgimtarit kur Ministri i Jashtëm, Eqrem Libohova i kërkoi një takim urgjent. Zogu nuk u befasua nga ajo që ai i lëshoi mbi tavolinë. Ishte ultimatumi i Kryeministrit Italian Benito Musolini, që ai e priste nga dita në ditë. Ultimatumi prej 14 pikash përqëndrohej kryesisht në këto 7 pika:
"Italia me kërkesë të Shqipërisë i jep Mbretërisë së Shqipërisë protektoratin e saj dhe i siguron mbretit Zog dhe trashëgimtarëve të tij, fronin e Shqipërisë.
Italia merr përsipër të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë në bashkëpunim me forcat ushtarake shqiptare dhe për këtë qëllim ka të drejtën të vendosë forcat e saj ushtarake në ato zona që do të gjykohen me marrëveshje midis palëve, të domosdoshme për mbrojtjen e vendit.
Përfaqësuesi diplomatik dhe konsullor italian në vendet e huaja, do të ngarkohen me mbrojtjen e interesave të Mbretërisë së Shqipërisë dhe të shtetasve të saj.
Italia do të mbajë në Shqipëri, një komisar të lartë që do të marrë rangun e dytë, pas kryetarit të shtetit dhe do të ketë si funksion harmonizimin e politikës shqiptare me politikën italiane.

Italia i njeh Shqipërisë bashkimin doganor dhe monetar
Simbolet e shtetit shqiptar do të mbahen ashtu si janë, por duke i shtuar fashion Litorio tek e cila do të mbështetet shqiponja e Shqipërisë.
Italia i siguron Mbretit Zog dhe trashëgimtarëve të tij të ligjshëm një listë civile prej 3 milion lirash në vit."
Zogu reagoi me qetësi. Në ora 14.00 një mbledhje e përbashkët e Asamblesë Kombëtare dhe Qeverisë e hodhi poshtë Ultimatumin Italian si të papranueshëm dhe e konsideroi akt agresioni. Ajo rivotbesoi Qeverinë me Koço Kotën Kryeministër. Ndërkohë Tirana dhe qytetet e tjera të Shqipërisë zjenin nga demostratat e rinisë që kërkonte armë për të mbrojtur vendin. Zogu fillimisht i kish përshëndetur edhe vetë demostratat, por më pas, nën sugjerimin e shumë vetëve i kish frenuar ato. Këshilltarët i kishin thënë atij se demostratat po instrumentalizoheshin nga italianët për të nxitur një frymë kundër Romës që më pas ta shfrytëzonin si pretekst për ndërhyrjen ushtarake. Demostratat qenë ndezur në fakt edhe më shumë nga avionët italianë që kishin hedhur mëngjesin e 6 Prillit me mijëra fletushka kundër Mbretit dhe pro Italisë në territorin shqiptar.
Në orën 2 të natës midis 5 dhe 6 Prillit, Mehmet Konica, ish përfaqësuesi i Qeverisë së Vlorës në Londër në vitin 1913, kërkoi të takonte urgjent Mbretin. Ky e priti në apartamentin e tij. Konica i sqaroi se Ambasadori Jugosllav në Tiranë, i kishte deklaruar në mënyrë informale, por për të vënë në dijeni Mbretin se Ministri i Jashtëm Markoviç kishte sugjeruar që në rast të një sulmi Italian mbi Shqipërinë, kufiri do të mbyllej. Jugosllavia nuk do të lejonte asnjë zyrtar shqiptar që të kalonte në territorin e saj.

Mbreti thirri Kryeministrin Koço Kota dhe diskutoi me të, fatin e Mbretëreshës. Ata vendosën t'i kërkojnë parlamentit që të merrte vendim për strehimin e saj në një vend tjetër, pasi Tirana nuk ishte më e sigurtë. Të gjithë e dinin që gjithçka ishte tani çështje orësh.
Më 6 prill mbledhja e këshillit të Ministrave që drejtohej nga Mbreti u ndërpre nga një lajm urgjent. Benito Musolini kish dërguar një ultimatum të fundit. Ultimatumi niste në orën 14.00 dhe Mbreti Zog kishte 5 orë kohë për të pranuar kushtet Italiane. Në ora 19.00 Italia do të merrte vendimin për të ndërhyrë ushtarakisht.
3 orë më vonë, në ora 5 mbasdite, Ministri Eqrem Libohova solli telegramin e Zef Serreqit që e njoftonte për dorëheqjen e tij. Ishte shenja që sulmi italian do të fillonte brenda 24 orëve. Orën e saktë nuk e dinte askush. Ato momente atë ishte duke e vendosur Kryeministri Benito Musolini dhe Konti Ciano. Ky i fundit, po sqaronte se do të fluturonte edhe vetë mbi Tiranë me bombarduesin e tij.
Në mbrëmje herët, Mbreti qëndroi pak kohë në shtëpinë e Mehdi Frashërit, ish kryeministrit të tij. Në ora 19.00, pikërisht në atë minutë që skandonte ultimatumi italian, ai lexoi në radio Tirana këtë deklaratë me zërin e tij:
"Italia i ka bërë Shqipërisë disa kërkesa që, nëse do të plotësoheshin, do t'i hiqnin vendit tonë pavarësinë.
Unë dhe qeveria ime nuk do të pranojmë kurrë kushte të tilla që kanë për qëllim minimin e lirisë së fituar me gjakun e popullit. Përballë pushtimit, e ftoj popullin shqiptar të bashkohet sot, në këtë moment rreziku, të mbrojë sigurinë e vendit dhe pavarësinë e tij deri në pikën e fundit të gjakut. Unë jam i bindur se populli shqiptar, i vogël në numër por i madh në shpirt e guxim, do të dijë të tregojë ato ndjenja të larta nacionaliste që kanë frymëzuar atë dhe paraardhësit e tij.
i bindun, që një komb i bashkuar në këtë frymë, do të ketë mbështetjen e Zotit, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të mos e humbin guximin dhe dashurinë për atdheun. Rroftë Shqipëria. Rroftë Populli shqiptar.
Zogu i I - rë, Mbret i Shqiptarëve 6 prill 1939"

Ishte komunikimi i fundit publik i Mbretit me shtetasit. Ishte deklarata e tij e fundit si kreu i shtetit shqiptar. Pak orë më pas, afër mesnatës, Komandanti i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare Xhemal Aranitasi, kërkoi një takim urgjent me mbretin. Ai i vendosi mbi tavolinë një zarf. Ishte dorëheqja nga detyra. Po ato momente që ushtria Italiane e hipur në anije qe nisur drejt bregdetit shqiptar.
Në ora 4 të mëngjesit të datës 7 prill 1939, Mbretëresha Geraldinë, në gjendje të rënduar shëndetësore, Princi i sapo lindur Leka dhe një numër i madh shoqëruesish u nisën për në Korçë. Parlamenti kishte aprovuar nisjen e tyre, pak pas mesnate. Ai pati autorizuar që në kushte më të vështira, Mbretëresha të largohej jashtë vendit për në Greqi. Një makinë Mercedez u adoptua me një barrelë ku qëndronte Geraldina dhe karvani mori rrugën e Elbasanit.
Zogu i përcolli vetë dhe vijoi të shëtiste ende në oborr me Kryeministrin Koço Kota dhe Ministrin e Jashtëm Eqrem Libohova. Ende nuk ishte zbardhur kur ai mori raportet e para nga rojet kufitare. Teksti dhe shënimet e tyre të marra me nxitim e sipër në telefon ishin këto:
"Saranda raporton: Flota Italiane hyri në portin e Sarandës dhe filloi shkarkimin në tokat tona. Kam në dispozicion vetëm një togë, ushtarë të rojës së kufirit. Luftën e fillova. Kam për të bërë detyrën, për të vdekur për mbret e atdhe. Rroftë Mbreti e rroftë Shqipëria. Toger Taifur Dibra!
Vlora raporton: Flota Italiane tani filloi bombasdimet prej detit e ajrit dhe shkarkoi në portin e Vlorës e Karaburun. Luftën e fillova vetëm me një kompani ushtarake të Rojeve të kurifit nën komandën e kapoiten, Dodë Nikollës e 50 xhandarësh. Asnjë fuqi tjetër akoma nuk kam. Jam duke u tërhequr ndër shpatet e Sevasterit e të llogarasë, për sistemimin e ndërlihdjeve me fuqitë tona që po i presim orë më orë. Rroftë Mbreti, Rroftë Shqipëria, Kolonel Ali Rizaja.
Durrësi raporton: "Flota Italiane ka rrethuar Durrësin dhe hyri në port. Janë mëse 30 copë anije në durrës, Porto Romano e zonat e Banjavet. Nuk patëm kohë për të minuar portin. Ne do të bëjmë detyrën, avioacioni po na dëmton shumë. Urdhëroni komandën e Shijakut që të na vijnë në ndihmë. e sidomos të sigurojë zonjën e Banjavet. Tani që po raportoj filloi bombardimi dhe mitralozat, dhe u ndërpre telefoni. Lufta vazhdon por menjëherë dërguam një stacion radio R3 në Shijak. Major Abaz Kupi"

Shëngjini raporton: "Flota Italiane filloi shkarkimin në zonat e Shëngjinit, luftën e filluam me një togë ushtarësh të rojeve të kufirit, nën komandën e toger Mark Jakut dhe 30 xhandarëve. Jemi në pritjen e ndihmave dhe jemi duke luftuar në afërsi të Kokarriqit. Do ta vazhdojmë deri në fund. Rroftë Mbreti! H.Bekteshi dhe toger M.Jaku"
Një numër i vogël xhandarësh, rojesh bregdetare dhe pak vullnetarë arritën të luftojnë atë ditë për thuajse 10 orë. Një mbrojtje më e organizuar mund të kishte qenë katastrofë për Italinë dhe do ta kishte ngritur lart emrin e Shqipërisë. Gjithsesi trupat e Musolinit u pritën me luftë. 11 ushtarë italianë u vranë dhe dhjetra të tjerë u plagosën atë ditë në portet shqiptare. 21 ushtarë dhe vullnetarë shqiptarë humbën jetën. Shqipëria u bë vendi i parë i Europës që ju përgjigj me armë një agresioni! Austria dhe {ekosllovakia përpara saj, nuk kishin rrezistuar.

Në Ora 6.30 të datës 7 prill, Eqrem Libohova njoftoi fuqitë e mëdha dhe lidhjen e kombeve për sulmin. Ai nuk mori asnjë përgjigje. Madje as konfirmimin se telegramet u vendosën mbi tryezat e punës së Kryeministrave të Europës. Por nëse të gjitha fuqitë botërore mbyllën sytë, aprovuan në heshtje apo me miratim të hapur pushtimin e Shqipërisë, shtypi botëror, në të gjithë kontinentet u vu në mbrojtje të saj. Siç dëshmojnë këto copa gazetash:
Journal Des Debats - "Vërtetohet sot se me gjithëse lajmet që vijnë nga Italia përpiqen ti paraqesin operacionet të përfunduara pa asnjë kundërshtim, trupat Italiane përkundrazi, gjetën një qëndresë të rreptë kur mbas shkatërrimit të qyteteve të zgjedhura si pika zbarkimi, filluan të zbresin në tokë"
Le Journal - "Një fuqi detare e rëndësishme e përbërë prej 180 anijesh dhe 200 mijë ushtarësh pushtoi gjithë pikat kryesore të bregdetit shqiptar dhe vazhdon përparimin në thellësi. Aviacioni Italian i përbërë prej 400 aeroplanësh bombardoi rreptësisht qytetet, duke vrarë e masakruar gratë, fëmijët dhe pleqtë e pa mbrojtur. Disa qytete janë krejtësisht të shkatërruar"

Nga zelli për t'i dalë në krah Shqipërisë, disa prej tyre botuan edhe reportazhe të ekzaltuara si ky i "The Times":
" Mbreti Zog i Shqipërisë, i veshur me kostum kombëtar, udhëhiqte sot ushtrinë e tij në një luftë që do t'u ndalonte italianëve zbarkimin në Durrës. Zëra nga Tirana thanë se shqiptarët po qëndrojnë heroikisht dhe në shumë vende italianët janë detyruar të kërkojnë shpëtim në det. Duket se tratativa e parë italiane për të zbarkuar ka qenë dramatike. Afro 20 oficerë italianë zbritën nga një varkë e një kryqëzori që ndodhej jashtë portit. Kur u kërkuan dokumentat ata u përgjigjën: Kemi ardhur ta pushtojmë vendin tuaj. Disa pushkë u dëgjuan dhe u ndalua kalimi. Mbas kësaj, lufta filloi"

Por gazeta si "The Daily Telegraph" që akuzuan ashpër Kryeministrin Britanik Cambërlen për dorëzimin e Shqipërisë i dedikuan asaj një editorial që fillon me këto fjalë:
"Shqipëria foli me një gjuhë të cilën Europa e kish humbur zakonin ta dëgjonte. Shqiptarët refuzuan të nënshtrohen dhe po vazhdojnë luftën. Pushtuesit u përballën me një qëndresë të fortë, por dje, sipas njoftimeve tona, po përparonin në thellësi të vendit."
Në ora 11.30 në pallatin e Mbretit erdhi një telegram nga Musolini, në përgjigje të një kërkese të Mbretit Zog. Ai i kërkonte mbretit të dërgonte përfaqësues pranë Gjeneral Guxonit në Durrës për t'u marrë vesht. Ekziston ende mundësia për një marrëveshje, shkruante Musolini. Mbreti Zog nisi Ministrin e Ekonomisë, Rrok Gerën dhe Kolonel Sami Kokën. Forcat e mbrojtjes në Shijak u njoftuan të lejonin delegacionin të kalonte për Durrës. Gjeneral Guxoni ju sqaroi dy përfaqësuesve të Mbretit se kishte urdhër që të priste deri në orën 6 plotësimin e kushteve të Musolinit.
Në ora 5.00 mbasdite trupat italiane që tashmë kishin zbarkuar në Durrës çanë mbrojtjen në Shijak ku u zhvilluan luftimet më të ashpra dhe u nisën drejt Tiranës. Por hedhja në erë e urës mbi Erzen i vonoi disa orë. Në ora 7.00 parlamenti u nis me kamionë drejt Korçës.
Mbreti Zog qëndroi ende, sipas kujtimeve të vetë atij, deri në datën 8 Prill në orën 3 të mëngjesit. Që në mbrëmje, parlamenti kishte votuar spostimin e Mbretit dhe Oborrit në qytetin e Korçës. Parlamenti kishte shpallur Korçën Kryeqytet të përkohshëm të Mbretërisë. Korça do të qëndronte kryeqytet për 4 ditë! Zogu bashkë me të qeverinë mbërriti në Pogradec në ora 10.00 të mëngjesit.

Po atë ditë, herët në mëngjes, pak orë pasi Zogu kish ikur, trupat italiane hynë në Tiranë në një atmosferë të qetë. Akti i vetëm heroik i ditës ishte ai i Mehdi Frashërit, një zyrtari të moshuar, ish kryeministër, që u mbyll në godinën e bashkisë prej nga ju drejtoi qytetarëve një fjalim prekës, partiotik dhe frymëzues në radio. Në kujtimet e tij, Mehdi Frashëri e përshkruan kështu këtë moment:
"Atë çast përpilova një thirrje për gjithë popujt e botës në gjuhën frëngjisht, të cilën intelektualët që u mblodhën rreth meje. E përkthyen në dhjetë gjuhë njëherësh. Radio zuri ta përhapë në gjithë botën…"
Pa e ditur edhe vetë, Mehdi Frashëri po luante rolin e një Kasandre. Fjalimi i tij drejtuar botës, që kishte frymëzuar atë ditë shqiptarët ishte një paralajmërim që u vërtetua shumë shpejt:
"Një popull prej 44 milionësh sulmoj sot më ora 4.30 të mëngjezit një popull prej një milionësh, që po qëndron me trimëri. Armiku me gjithë forcën e tij ka pasur katër humbje gjer më tani në Sarandë, Vlorë, Durrës e Shëngjin.

Nofta armiku do ta fitojë luftën por do të marrshojë mi kufomat e të gjithë shqiptarëve, burra dhe gra. Popull i botës! Ngrihuni kundër barbarëve modernë se nesër do të jetë rrezik për të gjithë por do të jetë edhe vonë. Ajo që na ngjet ne sot, do t'ju ngjasë të tjerëve nesër"
I pajisur me një pitoletë, bashkë me disa djem të rinj, Mehdi Frashëri rrezistoi edhe pak kohë, derisa kërkoi strehim politik në ambasadën Turke. Në kujtimet e tij ai shpreh keqardhjen për mugesën e organizuar të qëndresës:
"…gjithë populli bërtiste se donte armë të luftonte. Për fat të keq Mbreti, ministrat dhe servilët e tij kishin frikë për kokat e tyre, U diftua edhe një herë në faqen e botës historike se despotizma është tradhëtar i kotë e gjithnjë ka frikën e tij…"

Gjesti i Mehdi Frashërit befasoi edhe vetë italianët, që i premtuan se do ta falin dhe më pas e internuan në Itali. Ai do të luante sërish një rol në vitet 1943 - 1944.
Mbreti Zog pati me sa duket edhe një shpresë të fundit. Ai dhe Kryeministri Koço Kota tentuan gjithë kohën të lidhen me Kryeministrin Grek Metaksas. Më 9 Prill 1939 ora 19.00 eskorta e Mbretit, Qeveria e Shqipërisë, deputetët e Asamblesë, një pjesë e gardës, thuajse 1300 vetë në total, dolën nga kufiri Shqiptar në doganën e Kapshicës. Autokolona ndali një moment aty. Garda u rreshtua, flamuri shqiptar u ul dhe Mbreti e vendosi në makinën e tij. Pastaj iku tej, pa e ditur, që kjo ishte ikja e fundit e tij nga Shqipëria, ku nuk do të kthehej më kurrë! Madje as i vdekur.
Në autokolonën e mbretit udhëtonin edhe 11 valixhe me afro 178 kg flori që ai kishte marë me vendim të Këshillit të Ministrave mbrëmjen e datës 6 prill 1939. Historia e floririt që Zogu mori me vete ka qenë gjithnjë objekt debati. Dokumentat e Arkivit të Shtetit sqarojnë se në datën 6 Prill 1939 rreth orës 21.00 Mbreti udhëroi Ministrin e Financave Kol Thaçi që e gjithë gjendja e Thesarit të shtetit t'i bëhej atij prezente. Në fakt, ari i Shqipërisë ruhej kryesisht në Banka di Napoli (2454 kg ar) dhe vetëm një pjesë e vogël floriri (afro 178 kg) gjendej në kasafortën e Bankës së Shqipërisë. Arkëtari i Përgjithshëm Ramadan Berberolli, sipas urdhërave të Qeverisë, i dorëzoi Mbretit shumën prej 448535 monedhave ar në shtëpinë e Koço Kotës dhe afro 118195 monedha, vonë në mesnatë në shtëpinë e vëllait të Mbretit në afërsi të Stadiumit të sotëm "Qemal Stafa". Zogu i zhvillonte mbledhjet e qeverisë aty. Sipas dokumentave Mbreti Zog tërhoqi në total 566975.5 franga ari. Thuajse gjithë atë që kishte në dispozicion thesari shqiptar. Nisur nga llogaria që një Napolon Flori përbëhej nga 20 Franga ar, Mbreti kish marrë me vete një shumë prej 27848 Napolonash flori. E kalkuluar me kursin e floririt të sotëm (Kursi i datës 20 Gusht 2012), rezulton se Mbreti Zog kish marë me vete, një shumë të barabartë sot me 5 milion e 630704 Euro. Në kujtimet Mbreti sqaron se pjesa kryesore u shpërnda nën kujdesin e një komisioni prej 7 vetësh për zyrtarët e dalë në Larisa, Follorinë dhe Beograd. Por askush nuk di të thotë sot se sa mund të ketë qenë sasia e arit që Mbreti posedonte personalisht dhe që e ruante në kasafortën e tij në Pallat, por ashtu si edhe bizhuteritë dhe gjërat e tjera me vlerë.

Mbreti dhe Mbretëresha u takuan në Larisa të Greqisë. Udhëtimi i tyre i përbashkët zgjati plot 22 vjet, ndërsa ai i Oborrit Mbretëror, 63. Ata shkuan fillimisht në Stamboll ku qëndruan 2 muaj; më pas u nisën për Francë duke kaluar nëpër Rumani, Poloni, Lituani, Suedi, Norvegji, Belgjikë dhe mbërritën në Paris në shtator 1939. Për qëndrimin e tij dhe të 115 vetave që e shoqëronin, Zogu mori me Qira nga ish Mbreti i Anglisë i abdikuar, kështjellën "De la Maye" në Versajë. Por ai do të qëndronte aty pak muaj, deri në qershor 1940. Kur Franca u pushtua nga gjermanët arriti të largohet me anijen e fundit për në Londër.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të SHQIPTARJA.com datë 30 tetor)

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital