Libri i diplomatit të njohur: Vuk Karaxhiç, i cili megjithëse mblodhi shumë këngë epike, gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan, nuk arriti kurrë t'i gjejë

Libri i diplomatit të njohur: Vuk Karaxhiç, i cili megjithëse mblodhi shumë këngë epike, gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan, nuk arriti kurrë t'i gjejë

“Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq.3.)

Sava Andjelkovic – Pedagog në Universitetin e Parisit I-Sorbonne, në Departamentin e Sllavistikës:

Beteja e Fushës së Zogut të Zi (Kosovo polje), afër Prishtinës, më 15 qershor 1389, është ngulitur thellë në ndërgjegjen e serbëve. Rezultati i betejës mbeti i pasigurt edhe pas disa muajsh. Në fillim, turqit u ndaluan në përparimin e tyre, gjë që dukej se ishte një fitore për të krishterët, por shumë shpejt trashëgimtarët e Lazarit njohën fuqinë turke dhe u bënë aleatë të saj.

Kjo ngjarje historike, e cila shënoi fillimin e fundit të shtetit mesjetar serb, u shndërrua në legjendë, duke u bërë metaforë e heroizmit dhe tradhtisë, ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, sakrificës dhe zgjedhjes së perandorisë qiellore në vend të perandorisë tokësore, gjë që është me të vërtetë ideja qendrore e traditës lidhur me Kosovën, e pranishme edhe sot. Legjenda dhe versioni epik i ngjarjeve ishin, sigurisht, më joshëse dhe më të fuqishme se faktet historike. Ndërkohë publiku serb është anestezuar nga histori të vazhdueshme, sipas të cilave Kosova është humbur që prej shumë kohësh. E gjithë elita jonë atlantiste merr pjesë këtu sipas mënyrës së saj:

Asnjë tekst origjinal i një kënge për betejën e Kosovës, që daton nga shekulli XV, nuk është ruajtur, dokumenti më i vjetër daton nga viti 1530. Heroizmi i Milloshit do të jetë i pranishëm në traditën popullore duke filluar vetëm nga gjysma e dytë e shekullit të pesëmbëdhjetë, siç duket falë burimeve të shkruara osmane (Popoviç 1998: 42), të cilat e përmendin për herë të parë me emrin Bilish Kobila, si vrasës i pabesë i perandorit turk. Vuk Karaxhiç botoi në vitin 1823 Fragmente të këngëve të ndryshme nga Kosova, një titull që sugjeron se ato ishin mbetje këngësh të humbura në tërësinë e tyre.

Të gjitha janë në vargje dhjetërrokëshe. E para rrëfen ardhjen e perandorit turk Murat në Kosovë dhe letrën që ai i drejton Lazarit, ku e fton ose të dorëzojë vendin, ose të përballet me të në luftim. E dyta përmban mallkimin që u bën princi të gjithë serbëve që nuk do të vinin të luftonin në Kosovë. E treta, qendrore dhe thelbësore, megjithëse mjaft e shkurtër (63 rreshta), këndon darkën e dhënë nga princi në prag të betejës, duke bashkuar pjesëmarrësit kryesorë serbë në betejë.

E katërta tregon një pararojë të ngarkuar me detyrë që të vlerësojë rëndësinë numerike të forcave turke dhe e pesta paraqet sjelljen heroike të heronjve kryesorë gjatë betejës. Këto fragmente, të cilat Vuk Karaxhiçi i ka rishkruajtur siç i kishte dëgjuar të kënduara nga i ati në fëmijëri, pa dyshim janë kompozuar, në formën që ne i njohim sot, nga fundi i shekullit të 18-të. Vuk Karaxhiç, i cili megjithëse mblodhi shumë këngë epike gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan, nuk arriti kurrë të gjejë tregimtarë të tjerë të aftë për t’i kënduar të njëjtat tekste ose të paktën variante të tyre. (1)

                                                                  ****

Sllobodan Antoniç – sociolog, analist politik, profesor në Departamentin e Sociologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Beogradit…:

Nikola Hajdin (ish-kryetar i Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve-SANU): “duhet që këta njerëz të mësohen me epokën kur Kosova është humbur”.

Vladimir Kostiç (kryetar aktual i SANU-s): Kosova nuk është e jona -dhe kjo duhet të kuptohet sa më shpejt të jetë e mundur” se “as de fakto e as de jure nuk është në duart e Serbisë” dhe se “në këtë moment, zgjuarsia e vetme politike me elementë dinjiteti, është të lëshohet Kosova”.

Dubravka Stojanoviç (për RFE): “Serbia nuk mund të shkojë përpara përderisa nuk është përballuar me faktin se Kosova është e humbur në luftë”.

Biljana Srbljanoviç (Blic): “Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të jetë “e jona”, kjo është e gjitha”.

1 – Sava Andjelkovic. Les motifs du chant populaire Le Dîner du prince dans la pièce de Ljubomir Simović. La Bataille de Kosovo. (Motivet e këngës popullore Darka e princit në shfaqjen e Ljubomir Simoviqit. Beteja e Kosovës). Revue des Ètudes Slaves. LXXXIV-1-2/2013. Fq. 9-24.

Alexei Kishjuhas (Danas): “Kosova, praktikisht, është e pavarur dhe ky është një realitet”.

Snezana Chongradin (Danas): “Pavarësia e Kosovës është i vetmi kompromis i pranueshëm”.

Srdjan Dragojeviç (në Twitter): Është budallallëk të më ndiqni nëse nuk jeni dakord me postulatet e mi: 1-Kosova është e pavarur; 2-Në Srebrenica është bërë gjenocid”.

Dejan Iliç (Pesçanik): “Më shumë më ka goditur përjashtimi i Novak Gjokoviçit nga turneu i tenisit në Nju York, sesa mundësia që Vuçiç të ketë nënshkruar pavarësinë e Kosovës në Uashington para disa ditësh”.

Bojana Maljevic (për H1): “Kosova është e pavarur, pavarësisht nëse ka apo jo një karrige në OKB.” (Në Twitter);”Opozita gënjen popullin duke thënë se Kosova nuk ka pushuar së qeni e jona që prej kohësh”.

Vladmir Arsenijeviç: “A është me të vërtetë Kosova serbe? Unë nuk do ta thoja këtë. Unë mendoj se Antarktida, ndoshta, është pjesë e Serbisë, por kjo nuk më ndihmon aspak.

Bojan Toncic (Remarker): “Kosova nuk është serbe….”.

Gordana Susha (Danas): “… një frazë mbi “fjalën serbe më të shtrenjtë” (…) që pompon dhe rigjallëron (…) një opus nacionalist luftënxitës.” (1)

                                                                          ****

Sllobodan Dukiç – historian:

I mbaj mend mirë ditët e fëmijërisë dhe frikën prej shqiptarëve. “Nëse nuk je i mirë, Shqiptari do të të rrëmbejë”, më thoshte me kërcënim nëna. Sapo njëri prej nesh shihte një burrë me sharrë të varur mbi sup, ai mendonte se ishte në “rrezik”. Pastaj të gjithë fshiheshim pas lokalit që shihte nga ajo anë, duke pritur që sharrat, siç i thërrisnin të rriturit, të largoheshin nga cepi i rrugës. Kam dëgjuar të moshuarit që thoshin “ata” nuk janë për gjë tjetër veçse për sharrim druri, transport qymyri, për punë të pista. Kanë kaluar dhjetravjeçarë dhe për shqiptarët ende dëgjojmë se ata janë qenie inferiore. Tifozi agresiv nëpër stadiume e ka kthyer in tolerancën ndaj fqinjëve në urrejtje. I verbuar nga urrejtja, ai përsërit refrenin: “Godit, masakro, që Shqiptari të asgjësohet”!

Kështu, nuk mund të thuhet se historia e këtyre marrëdhënieve është armiqësi. Ka pasur momente konflikti, por edhe miqësie. Që kur kanë ardhur sllavët në Ballkan, ata kanë jetuar me shqiptarët. Së bashku ata i përkisnin, si pjesë, disa shteteve të mëdha shumëkombëshe: Bizantit dhe Perandorisë Osmane. Nuk kishte asnjë konflikt deri në shekullin e 19-të. As populli serb dhe as populli shqiptar në atë kohë nuk synonin të krijonin shtete të mëdha.

Tensionet në marrëdhënie lindin me fillimin e krijimit të shteteve kombëtare në hapësirën gjeografike ballkanike. Hartat e këtyre mega-shteteve mbivendosen dhe shtrihen mbi hapësirën shqiptare. Shqiptarët janë të vonuar në krijimin e shtetit të tyre. Ai u krijua vetëm në shekullin e 20-të. Por tashmë ka shtete-kombe, që kanë përvetësuar hapësirën e tyre të jetesës.… Lëvizja kombëtare shqiptare u shfaq me Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Ishte një thirrje që  shqiptarët të bashkohen dhe të kenë një program kombëtar, i cili do të çojë drejt një shteti të vetëm etnik. Synimi për të patur një ide kombëtare dhe për të hedhur themelet e shtetit shkakton qëndresë te kombet e tjera ballkanike. Ata e shohin këtë si një projekt për një Shqipëri të madhe. (1)

1 – Sllobodan Antonic: Nos lignes rouges – les enfants et le Kosovo. (Linjat tona të kuqe – fëmijët dhe Kosova). Srbin.info. 26.09. 2021.

2 – Sllobodan Dukiç. Mali mit o testerasima i veliki o “Staroj Srbiji”. Un petit mythe sur les testeurs et un grand sur la “Vielle Serbie” – Një mit i vogël për testuesit dhe një i madh për “Serbinë e Vjetër”. Pancevo-Sity. 26.02.2018.

                                                                        ****

Srđa Popoviç – aktivist politik, një nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lëvizjes Studentore Otpor:     

Dhe mua më duket tani, kur i kthehem gjithë kësaj, se kemi bërë rrethin e plotë dhe më duket se kjo politikë e forcës ka çuar në një disfatë të plotë. Dhe guxoj ta them, edhe pse e di që nuk është popullore – Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë, përveç në rast të një Lufte të Tretë Botërore. (1)

Stanislav Sretenoviç – profesor në Institutin e Historisë Bashkëkohore:

Përpjekjet e para për bashkëpunim rajonal rezultuan në lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe të miqësisë, aleancës mbrojtëse dhe bashkëpunimit ushtarak midis vendeve ballkanike, me qëllim çlirimin dhe bashkimin e bashkatdhetarëve të tyre ende nën tutelën e Perandorisë Osmane. Me nismën e princit serb Mihajlo Obrenoviç (Mikhail Obrénovitch), një sërë marrëveshjesh të këtij lloji u nënshkruan në vitet 1866-1867.

Në fillim të shekullit të 20-të, aleanca e lidhur nga Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria u dha atyre fitoren ushtarake kundër Perandorisë Osmane dhe u lejoi  të zgjeronin territorin  kombëtar, formula aq e dashur për politikanët ballkanikë të kohës, “Ballkani për popujt ballkanikë”, nënkuptonte më tepër përpjekjen hegjemoniste të këtij apo atij populli të rajonit, dinjitarët e lartë të Kishës që bekojnë vrasësit, promovojnë kriminelët në shenjtëri, mbrojnë pedofilët, nuk paguajnë taksa, përhapin urrejtje ndaj kombeve dhe feve të tjera. (1)

1 – Srđa Popoviç. Osveta Kosova. (Hakmarrja e Kosovës). Radio Pescanik. 22.02.2008. 

 2 – Stanislav Sretenoviç. À la recherche de l’Entente balkanique en Serbie: réflexions historico-politiques sur les années 1930 et 2000. (Në kërkim të Antantës Ballkanike në Serbi: reflektime historiko-politike për vitet 1930 dhe 2000). Anatoli.1/2010. Fq. 71-86.                                                                     

                                                                          ****

Stasha Zajeviç – aktiviste e paqes dhe kryetare e organizatës “Gratë në të zeza”:

                                                                          ****            

Vesna Pesiç – sociologe, politikane dhe diplomate:

Populli serb,si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, e ka ndërtuar identitetin e tij mbi ndjenjën e hakmarrjes ndaj padrejtësive që i janë bërë. Gjatë shekujve ai ka qenë i nënshtruar ndaj një administrate perandorake, ka luftuar për të ruajtur identitetin (gjuhë, fe), ka ëndërruar për një përtëritje të perandorisë së tij të humbur mesjetare (2)

Hakmarrja, sipas mitit të Kosovës, rrjedh nga dy perceptime që ka për këtë vetë populli serb: martirin dhe heroiken, viktimën dhe fitimtarin e vërtetë. Hakmarrja e viktimës ishte baza e aspektit të identitetit kombëtar të zgjedhur në një kohë kur rrethanat kërkonin që të bëhej diçka për të kuruar “gjendjen tragjike” të popullit serb. Fjalimet mbi “sakrificat e kota”. (3)

1 – Stasha Zajeviç. Lični problem Radmile Hrustanović. (Problème personnel de Radmila Hrustanoviç – Problem personal i Radmile Hrustanoviç). Radio Peščanik. 26/10/2007.                

2-Vesna Pesiç. La Radiographie d’un nationalisme. Les racines serbes du conflit yougoslave. (Radiografia e një nacionalizmi. Rrënjët serbe të konfliktit jugosllav). Les éditions de l’Atelier. Les éditions ouvrières. Fq. 36.                              

3 – Po aty. Fq. 37-38.                       

                                                                    ****

Vladan Jovanoviç – bashkëpunëtor shkencor, ligjërues në programet e specializuara pasuniversitare në fushën e ndërmjetësimit në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, pedagog, etj.:

Nëse analizojmë rezultatet e historiografisë serbe për kolonizimin e Kosovës, duke ditur se struktura etnike e Kosovës kishte ndryshuar vazhdimisht në favor të shqiptarëve, mund të përfundojmë se kolonizimi, që ndodhi ndërmjet dy luftërave, ishte një përpjekje për të ndrequr “padrejtësinë historike”.

Zhvendosja e “njerëzve të kulturës turke” – Pas Krizës së Madhe Lindore në fund të shekullit të 19-të, një numër i madh turqish joetnikë, të udhëhequr nga ndjenjat e tyre fetare, e jetuan rënien e Perandorisë Osmane si fatkeqësinë e tyre personale, dhe për këtë arsye zgjodhën të emigrojnë në Turqi, duke e parë këtë vend si atdheun e tyre të vërtetë.

Luftërat ballkanike, rënia përfundimtare e Perandorisë, Lufta e Parë Botërore dhe krijimi i shtetit jugosllav i theksuan këto ndryshime demografike. Arsyet mbizotëruese të emigrimit ishin “fanatizmi fetar”, siç quhej në atë kohë, i cili i ndalonte turqit të jetonin nën sundimin e “të pafeve”, po kështu edhe lidhjet familjare, frika nga hakmarrja për pjesëmarrjen në luftë në anën e armikut, por edhe shpresa për një jetë më të mirë në Turqi.

Është fakt se pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878 çështja shqiptare nuk u ndal së zhvilluari dhe ndërkombëtarizuari. Autoritetet turke kishin probleme serioze me shqiptarët e Vilajetit të Kosovës, ndërsa taksambledhësit e tyre i shmangeshin rregullisht Drenicës. Në prag të rënies së Perandorisë Osmane i ashtuquajturi regjim xhonturk u ofroi shqiptarëve lëshime shumë specifike në arsim dhe vetëqeverisje.

Disa vite më vonë shtetet serbe dhe jugosllave nuk ofruan lëshime të tilla. Përkundrazi, ata treguan mungesë vullneti për të braktisur irracionalitetin e një miti, dhe për të njohur realitetin e ri. Kishin kaluan pesë shekuj dhe gjërat nuk ishin më njësoj në kuptimin demografik. Mënyra se si ushtria serbe hyri në Kosovë në vitin 1912 (me luftë), duket se e ka çimentuar këtë rrugë epike. (1)

Nëse analizohen rezultatet e historiografisë serbe për kolonizimin e Kosovës, mund të shihet se kolonizimi i ndodhur ndërmjet dy luftërave ishte një përpjekje për të korrigjuar “padrejtësinë historike”, duke pasur parasysh besimin se struktura etnike e Kosovës ishte vazhdimisht duke ndryshuar në favor të shqiptarëve, që nga fundi i shekullit të 17-të e deri në vitin 1912.

Ajo që vihet re nga dokumentacioni arkivor në dispozicion, është synimi për ta populluar këtë zonë “me elementë meritorë dhe të verifikuar kombëtarisht”, pra me veteranë të luftës, çetnikë, policë, kufitarë, refugjatë dhe aktivistë partiakë, ndonëse disa nga kolonistët ishin gjithashtu nëpunës të qeverisë në pension, tregtarë dhe aventurierë të dështuar.

Nga këndvështrimi i shtetit kolonizimi jugosllav ishte “më i liri”; çdo familjeje mërgimtare i jepeshin 10.000 dinarë, ndërsa për shembull, në të njëjtën kohë çdo kolonist në Kanada merrte 160.000, në Prusi 120.000, në Kaukaz 90.000 dinarë. Kjo është arsyeja pse njerëzit që emigruan në Kosovë, Metohi dhe Maqedoni ishin të tejmbushur me borxhe, gjë që u zgjidh pjesërisht nga qeveria e udhëhequr nga Milan Stojadinoviç, duke ua shlyer pjesën më të madhe të borxheve (80%).

Pasi vendoseshin kolonistët përjashtoheshin nga taksat shtetërore për një periudhë 3-5 vjeçare, ndërsa shteti siguronte transportin dhe materialin ndërtimor falas. Atyre iu dha kryesisht tokë shtetërore e papunuar, e braktisur nga të shpërngulurit (pothuajse një e katërta e fondit të tokës ishin “prona pa pronarë”), dhe toka që u ishte sekuestruar rebelëve shqiptarë – kaçakëve.

Vetëm në territorin e zyrës agrare të Pejës kishte pothuajse 10.000 hektarë tokë të ashtuquajtur kaçake. Shpërndarja e tokës në bazë të kritereve politike nuk ishte problemi i vetëm që i bënte kolonistët të ndiheshin të shqetësuar. Ata jetonin në toka të paregjistruara, të cilat kanë ndërruar shumë herë pronarë. Kjo i bëri ata objektiva kryesorë të shantazhit, veçanërisht para zgjedhjeve komunale ose parlamentare.

Fshatarët shqiptarë dhe turqit e qytetit e perceptuan kolonizimin si një kërcënim kombëtar, ndërsa  autoritetet lokale, nga ana tyre, i shihnin kolonistët me mosbesim. Nga ana tjetër, kolonistët ishin një mjet i përshtatshëm për të kërcënuar popullsinë vendase, Milorad Vujiçiç, atëherë ministër i Punëve të Brendshme, besonte se kolonistët serbë duhej të vendoseshin vetëm në zonat që ishin nën sulme të forta nga kaçakët e armatosur. Një këndvështrim të ngjashëm kishte edhe Vasa Çubrilloviç, i cili propozoi kolonizimin e të gjithë zonës në kufi me Shqipërinë. (1)

Lidhja e Prizrenit (për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar) ishte një lëvizje e formuar në të njëjtin vit si reagim ndaj vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, që u jepte shteteve sllave trojet e banuara nga shqiptarët. Baza e idesë së programit të paraqitur në Prizren është që katër krahinat e Perandorisë Osmane (Janina, Shkodra, Kosova dhe Manastiri) të shkrihen në një krahinë të vetme shqiptare. Ljubodrag Dimiç beson se Lidhja ishte një instrument i politikës së jashtme turke dhe se dokumenti programor i përmendur ishte një lloj koncepti territorial dhe etnik i Shqipërisë së Madhe.

Njëkohësisht me Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në dhjetor 1912, e cila i dha fund Luftës së Parë Ballkanike dhe gjatë së cilës Shqipëria u shpall fillimisht shtet autonom nën Sulltanin, ushtria serbe hyri në Shqipëri. Kjo në historiografinë shqiptare cilësohet si “pushtimi i parë” i vendit nga Serbia. Në tekstet shkollore të historisë serbe, ky “qëllim i luftës shtetërore publike” për daljen e Serbisë në detin Adriatik përmes Shqipërisë veriore, nuk përmendet. Ai, siç vëren Dubravka Stojanoviç, nuk përmendet as në tekstet mësimore, që trajtojnë Luftën e Parë Ballkanike.

Diplomacia serbe është përpjekur pa sukses të bindë Europën se shqiptarët nuk janë fare të pjekur për të pasur shtetin e tyre dhe se tërheqja e Serbisë nga kufijtë shqiptarë i ka mbyllur asaj një nga “drejtimet jetësore të zhvillimit”. Në të njëjtën kohë opinioni publik serb u tejngop me stereotip negative për shqiptarët.

Kjo “logjikë e imperializmit rajonal” përfshin këndvështrimin e Jovan Cvijiçit për “domosdoshmërinë anti-etnografike” të daljes së Serbisë në Adriatik nëpërmjet Shqipërisë së Veriut, pavarësisht nga popullsia jugosllave e atyre rajoneve, që ai i konsideronte si një amalgamë serbo-shqiptare themeluesi i Shoqatës së Mjekëve Serbë, “babai i kirurgjisë serbe” dhe politikani Dr. Vladan Gjorgjeviç, botoi në vitin 1913 librin “Arnautët dhe Fuqitë e Mëdha”, i cili synonte të vinte në dyshim para fuqive të mëdha aftësitë e shqiptarëve dhe kështu edhe të drejtën për të pasur shtetin e tyre.

Kjo ishte një formë e mbështetjes intelektuale për operacionin gjashtëmujor ushtarak serb në veri të Shqipërisë në vitet 1912/13, që synonte t’i siguronte Serbisë një dalje në det, Gjorgjeviçi e nis me diseksionin antropologjik: “Arnauti tipik është i hollë dhe i vogël, ka diçka cigane, fenikase tek ai”. Më pas ai paraqet legjendën e përmendur për njerëzit grabitqarë parahistorikë. (fq.7).

Meqenëse ai futi faktorin serb në tregimin e tij, Gjorgjeviçi nxitoi të përshkruante ndikimet e ndërsjella sipas një kornize bardhë e zi. Kështu, shqiptarët gjoja e kanë marrë zakonin e vëllazërimit nga serbët, “por e kanë korruptuar, sepse ndërsa vëllai serb e konsideron gruan e vëllait si motër të tij, arnauti mund të martohet me gruan e vëllait që është ende gjallë, dhe në Arnautluk njerëzit për një fyerje shumë të vogël vrasin njëri-tjetrin…”! (fq. 9-10). Po kështu, sipas tij, kryengritjet e armatosura të shqiptarëve kundër qeverisë turke nuk shpërthyen për motive liridashëse, por “vetëm për të mos paguar asnjë taksë…dhe për të mos dorëzuar armët, që u duhen aq shumë për të vrarë njëri-tjetrin” (fq. 41).

Gjorgjeviçi gjurmon me shumë zell  paragjykimet për arnautin tinëzar dhe kapriçioz. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, 60.000 shqiptarë “me pushkët që u dhanë nga Serbia dhe Mali i Zi, kaluan në anën e turqve dhe luftuan kundër të dy shteteve serbe, në mënyrën e tyre të egër, tinëzare dhe tradhtare” (fq. 41).

Arnautët paraqiten si “qitës të këqij në ndeshje frontale”, por shumë të saktë në prita, gjë që aludon edhe për tinëzinë e tyre (fq.113). Ata “bëjnë sikur kanë vdekur, vetëm për të vrarë brutalisht ndonjë oficer serb prapa krahëve. Sigurisht, atëherë oficeri i kap të gjithë ata tradhtarë dhe i gjykon sipas ligjit të luftës”! (fq. 42).

Tërheqja e ushtrisë serbe nga Veriu i Shqipërisë në vitin 1915 nuk hasi në kurrfarë dhimbsurie nga ana e popullatës vendase, por nuk pati as ndonjë qëndresë të organizuar për shkak të anarkisë së brendshme. Madje, në të njëjtën kohë në territorin shqiptar kishte gjashtë ushtri të ndryshme. Kur filloi ofensiva e Fuqive Qendrore në vjeshtën e vitit 1915, organizimi i grupeve kaçake u intensifikua. (1)

Me ndihmën e paradokseve dhe kthesave dramaturgjike, Gjorgjeviçi përpunon imazhin e “moralit arnaut”! Sipas versionit të tij, të plagosurit shqiptarë nuk e kanë pushuar egërsinë as në spitalet serbe, ku njëri prej tyre “me dhëmbë bishe i ka shkëputur një motre të mëshirshme një copë faqe”. Gjorgjeviçi më pas thekson: “Dhe Austro-Hungaria dëshiron të bëjë një shtet me këto bisha?” Pastë fat!” (fq 43).

Një temë shumë e përshtatshme për diskreditimin e shqiptarëve ishte e drejta e tyre zakonore dhe gjakmarrja, “që nuk konsiderohet krim, por detyrë e shenjtë”. Në një moment, Gjorgjeviçi thotë se mbi 70% e vdekjeve të meshkujve te shqiptarët vijnë nga gjakmarrja dhe se për ta ishte turp të vdisje në shtrat (f. 47).

Duke shkruar për egërsinë dhe anarkinë e shqiptarëve, ai tallet me bujqit e këqij, që nuk dinë të bëjnë djathë deleje, që nuk kanë dëgjuar as për plugim të thellë dhe për plehërim (f. 76). Përshkrimi nga Gjorgjeviçi i shqiptarit të armatosur, me tone tallëse dhe figura stilistike të dështuara, e kthen atë në prag të absurdit: edhe pse kanë pushkë, shqiptarët janë krejtësisht të patalentuar në gjueti dhe peshkim dhe falë prapambetjes së tyre të lindur shkatërrojnë pyjet e ahut e bëjnë kullota. (fq 79).

Vërejtjes së njërit prej udhë shkruesve, sipas të cilit përballë çdo kulle arnaute ka një kokë kali të ngulitur në një shtyllë druri, Gjorgjeviçi i shton: “Falë Zotit që në ato shtylla nuk ka koka njerëzish!” (fq. 102). “I bukur qytetërim!”, bërtet Gjorgjeviçi, duke u kujtuar lexuesve se shqiptarët, ndryshe nga serbët, ende hanë me gishta, se janë me morra dhe nuk i ndërrojnë rrobat dhe se “në gjithë Arnautllukun ka vetëm një tualet” ( fq. 103).

Konsulli rus në Prizren, Ivan Jastrebov, e mbështeti këtë stereotip agresiv me përshtypjet e tij për egërsinë e shqiptarëve “gënjeshtarë” dhe “tinzarë”, për të cilët vjedhja nuk ishte mëkat, por një “ves i lindur” (fq. 121). Në ekzagjerimet dhe përgjithësimet e tij konsulli rus humbet sensin e masës, por nuk shqetësohet kur shkruan se shqiptarët: “duken si kafshë me fytyra njerëzore”, “të gjithë dalin lakuriq”, “të gjithë janë grabitës dhe vrasës famëkëqinj” (fq. 104.-109).

Me një ndjenjë të fortë drame, Gjorgjeviçi e lë për të fundit çështjen e grave. Shqiptarja është një “gjysmë gjak” pa të drejtë trashëgimie, për vrasjen e së cilës pagesa është dy herë më e vogël sesa për vrasjen e një burri. Veç kësaj, nëse është shterpë, ajo largohet, ndërsa burri pret prej saj që “të bartë dru, të gatuajë ushqim, të pjekë bukë dhe të qepë fustane” (fq. 114-115). Mirëpo femrat shqiptare kanë edhe anën tjetër, atë gjakatare: “këta arnautë të egër, gjithmonë duhet të përdorin gjakmarrjen. Ky zakon edhe gratë e zbutura i kthen në bisha gjakpirëse, që pinë gjakun e njeriut”(f. 107)./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Rama dhe Berisha u forcuan më 2024, më të fortë edhe më 2025! Mendoni sikur Saliu të ishte kryeministër i Kinës?

Spahiu: Rama dhe Berisha u forcuan më 2024, më të fortë edhe më 2025! Mendoni sikur Saliu të ishte kryeministër i Kinës?