Një organizim i ri letrar, Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë, ‘Forumi 26’ krijohet nga shkrimtarët shqiptarë nga kudo ku ata jetojnë dhe krijojnë.
President i Forumit është Stefan Çapaliku, zv/president Ag Apolloni nga Kosova dhe Granit Zela mban detyrën e koordinatorit.
“Ne e konsiderojmë gjuhën shqipe si atdheun tonë të përbashkët kulturor. Përmes këtij forumi synojmë që letërsia shqipe të trajtohet si një e tërë e pandashme.”, thotë Stefan Çapaliku për “Report TV”.
Forumi 26 synon rol aktiv në jetën kulturore dhe ndikim ndaj vendimmarrësve për ndërtimin e politikave kulturore gjithëpërfshirëse. Prioritet mbetet krijimi i një tregu të përbashkët të librit shqip dhe rritja e promovimit të autorëve shqiptarë.
“Ne duam që fjala e shkrimtarit të mos mbetet një zë i vetmuar, por të jetë pjesë e debatit publik dhe një këshillë e vlefshme në zhvillimet kulturore dhe shoqërore.”, vijon Çapaliku.
Rrjeti kërkon të forcojë bashkëpunimin mes shkrimtarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, duke krijuar ura reale komunikimi në fushën e letërsisë, kritikës dhe botimit
“Letërsia nuk është vetëm krijimtari individuale, por edhe përgjegjësi kulturore. Bashkimi është mënyra jonë për t’i dhënë zë kësaj përgjegjësie.”, shton Çapaliku.
Grupi themelues i Forumit 26 përbëhet nga 18 shkrimtarë: Andreas Dushi, Adil Olluri, Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Durim Taçi, Entela Tabaku, Ervin Nezha, Gazmend Krasniqi, Granit Zela, Ledia Dushi, Lulëzim Haziri, Mark Pashku, Marsela Neni, Ndue Ukaj, Vlora Konushevci, Primo Shllaku, Stefan Çapaliku, ndërsa President Nderi është zgjedhur Visar Zhiti.
Forumi mbetet i hapur për anëtarë të rinj dhe pritet të prezantohet zyrtarisht edhe në Prishtinë në ditët në vijim.
Komente










